KOMENT/ Ç’lidhje ka Skënderbeu i madh i Kuvendit të Lezhës me atë të llotove dhe oligarkëve në Shqipëri?

KOMENT/ Ç’lidhje ka Skënderbeu i madh i Kuvendit të Lezhës me atë të llotove dhe oligarkëve në Shqipëri?
Nga Afrim Krasniqi

Duke hulumtuar raportimet 2017-2018 në mediet ndërkombëtare mbi figurën e Skënderbeut, gjen të papriturën dhe turpin e madh që të gjithë e kemi parasysh dhe nuk e shohim, nuk e ndjejmë dhe për të cilin as nuk mund të flasim.

Lajm dominues mbetet vendimi i UEFA për dënimin e Klubit të Futbollit “Skënderbeu” (http://www.xn--insideorldfootball-jxb.com/…/matchfixing-skenderbe…/), lajm që gjendet në çdo media të rëndësishme perëndimore e rajonale.

Çfarë lidhje ka Skënderbeu i madh i Kuvendit të Lezhës me Skënderbeun e llotove dhe oligarkëve të tjerë të biznesit sportiv në Shqipëri?

Asnjë.

Përse duhet që emri i madh të baltoset kaq shumë dhe kaq banalisht nga matrapazët e sportit?

Përse qytetarët e Korçës, këshilli bashkiak, FSHF dhe edhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë duhet të mbyllin sy e veshë duke toleruar një poshtërim kaq banal të simbolit, emrit dhe domethënies që ka për ne Gjergj – Kastrioti (Skënderbeu) i pafajshëm?

Zgjidhja është dhe mbetet vetëm një: në momentin kur çështja mori trajtim institucional, do të duhej që adhuruesit e shtetit, ligjit, moralit, historisë dhe identitetit, - të ngrinin zërin dhe të bënin ndarjen e menjëhershme zyrtare dhe publike të Skënderbeut nga ekipi i 20 -30 punëtorëve të topit të krijuar nga koalicioni korruptiv i pushtetit të djeshëm dhe të sotëm politik e financiar.

Le ta quajnë FK Takaj apo FK Bode, FK Zeqo apo FK Filo, le të sheshin e të blejnë gola e birra, redbull apo kasa fiskale, apartamente në bregdet apo vila turistike, siç kanë bëre e vijojnë të bëjnë edhe shumica e ekipeve të “suksesshme” të tranzicionit në Shqipëri; le të organizojnë festa e mitingje në rrugë; le ta përdorin si të duan, por as ata dhe askush nuk ka të drejtë të përdorë emrin e simbolit kombëtar për asnjë formë trafikimi, fitimi, abuzimi dhe krimi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: