Kombëtarja pa lider në fushë!

Kombëtarja pa lider në fushë!
Rregulli i vendosur nga trajneri Panucci rrezikon ta kalojë shiritin dorë më dorë. Kuqezinjtë kanë krijuar historikisht konflikte për përzgjedhjen e duhur të një lideri, me përjashtim të periudhës kur shiritin e mbajti Lorik Cana 

Aranit Muraçi

Kombëtarja shqiptare ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë mungesën e një lideri në fushë. Nëse mund të jetë një i tillë, ai mund të cilësohet lideri pa shirit. Pas ’90, vetëm në periudhën kur kapiten dhe lider i padiskutueshëm i Kombëtares së Shqipërisë ishte Lorik Cana, kuqezinjtë krijuan një grup më të konsoliduar, që u mundësoi edhe kualifikimin historik në finalet e Euro 2016. Pas lamtumirës së Lorik Canës, në dy vitet e fundit Shqipëria ende nuk ka gjetur një lider në fushë, që të mbajë shiritin e kapitenit pa krijuar përçarje apo qejf-mbetje te të tjerët. Ansi Agolli, Mërgim Mavraj, Andi Lila, Odise Roshi, dhe së fundmi Jahmir Hyka, kanë mbajtur shiritin e kapitenit. Ish-kapiteni Lorik Cana, në fakt e bëri publike dëshirën e tij, që shiriti i kapitenit duhet t’i takojë mbrojtësit të Napolit, Elseid Hysaj. “Po përpiqem të jap maksimumin tim edhe me kombëtaren. Jam ndjerë krenar kur Lorik Cana më ka dhënë shiritin e kapitenit. Kam qenë i vogël kur e kam parë ku do të luaj. Për shiritin të shohim në të ardhmen,” – theksoi Hysaj, i cili gjithsesi pret që këtë besim ta marrë nga lojtarët e tjerë dhe trajneri Panucci. Por sipas një rregulloreje që vendosi Christian Panucci, shiritin duhet ta merrte lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje në përfaqësuese. Dhe automatikisht shiriti i takoi fillimisht Ansi Agollit (73 ndeshje) e në mungesë të tij Andi Lilës (68 ndeshje). Për shkak të moshës të dy lojtarët munguan në miqësoret e kaluara dhe nuk janë aktivizuar titullar në ndeshjet e fundit zyrtare. Ndaj Izraelit shiriti i kalit Jahmir Hykës, lojtari i radhës me më shumë paraqitje në ekipin kombëtar. Por kundër Izraelit dhe Skocisë, para të dyja këtyre dy ndeshjeve, Ansi Agolli ka shoqëruar trajnerin Christian Panucci si kapiten, në vigjilje të dy ndeshjeve të para zyrtare të Ligës së Kombeve, ndonëse nuk ka luajtur në fushë. Agolli, 35-vjeç, lojtari i Qarabag në Azerbajxhan vështirë se mund të luajë rolin e liderit për shkak të moshës në të ardhmen. Kësisoj, detyrë e Panucci-t është t’i gjejë Shqipërisë kapitenin e munguar për pjesën e mbetur të Ligës së Kombeve dhe kualifikueseve për në Euro 2020.

Trajnerët vendas të Kombëtares Shqiptare merrnin përgjithësisht miratimin e shumicës së grupit të lojtarëve për t’i besuar shiritin atij që mendonin se mund të kryente më mirë rolin e liderit në fushë. Para se shiriti i kapitenit t’i besohej Lorik Canës, në Kombëtaren Shqiptare shiritin e kanë mbajtur emra si Altin Lala, Rudi Vata dhe më së shumti portieri Foto Strakosha. Në ato vite shpërtheu edhe një skandal mbi përçarjen në kombëtare, pasi u ndanë në dy grupe lojtarësh: në njërin grup bënin pjesë ata që luanin në Greqi dhe donin kapiten Strakoshën dhe në grupin tjetër lojtarët që aktivizoheshin në ligat e Europës Perëndimore dhe ishin për Rudi Vatën. Disa lojtarë kuqezi pretenduan kohë më vonë kur lanë karrierën se kjo përçarja shoqërohej me rezultate zhgënjyese në fushë. Presidenti aktual i FSHF-së duke parë rolin e dobët të trajnerëve vendas për të ushtruar autoritetin e duhur te lojtarët vendosi në mandatin e parë të punës që t’ia besonte drejtimin e kombëtares trajnerëve të huaj. Pavarësisht kritikave, koha ndoshta i dha të dejtë në këtë vendimmarrje që u shoqërua në atë kohë edhe më kosto financiare.

Shqipëria nuk ka një lider në ekip të përmasave të Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, apo Lucas Modric, për të mos e pasur të nevojshme diskutimin mbi shiritin e kapitenit.   - “Kapiteni do jetë ai që ka më shumë prezenca në fushë. Më qëlloi të isha unë njëherë në karrierë me Italinë, sepse ishin të dëmtuar të tjerët dhe unë kisha më shumë ndeshje”, sqaroi Panucci, mbi debatet për shiritin. Megjithatë Italia e ka praktikuar këtë rregull në kohën kur luante trajneri aktual, por shiritin e kanë mbajtur emra si Franco Baresi, Paolo Maldini, Fabio Cannavaro e Giggi Buffon, të gjithë liderë të padiskutueshëm në fushë për ekipin ku luanin dhe kombëtaren gjatë gjithë karrierës së tyre. Dhe duket se këtë rregull në kohën kur luante Panucci Italia e vendosi për të shuar garën mes dy mbrojtësve legjendarë të Milan, Baresi e Maldini. Elseid Hysaj, lojtari shqiptar me vlerën më të madhe ne treg (50 mln euro), ndoshta kritikohet me të pa të drejtë pasi nuk po të njëjtin rendiment në kombëtare, si tek Napoli. A nuk do të ishte shiriti i kapitenit një motivim më shumë për të?!

Shiriti i kapitenit te Italia  

Gianluigi Buffon                               176         80           2011-2018

Fabio Cannavaro              136         79           2002-2010

Paolo Maldini                     126         74           1994-2002

Giacinto Facchetti            94           70           1966-1977

Dino Zoff                             112         59           1977-1983

Giuseppe Bergomi          81           33           1988-1990

Franco Baresi                     81           31           1990-1994

Shpërndajeni me miqtë tuaj: