Klevis Balliu: Kurrë nuk do të ketë një bashkëpunim mes PD dhe PS

Klevis Balliu: Kurrë nuk do të ketë një bashkëpunim mes PD dhe PS
INTERVISTA/ Flet deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu: Europa nuk i hap negociatat me një shtet që drejtohet nga bandat e krimit të organizuar. Nuk i hap negociatat me një shtet që ska gjykata e drejtësi. Apo me një shtet që ska zgjedhje të lira e të ndershme dhe ku ministrat dhe banditët punojnë së bashku

“S’ka patur, nuk ka dhe kurrë nuk do të ketë një bashkëpunim PD-PS. Një tezë e tillë nuk ka vend aspak për diskutim në Partinë Demokratike. Ajo nuk do mund të bashkohet kurrë me bijtë e xhelatëve të diktaturës dhe me krimin e organizuar”. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, deputeti demokrat, Klevis Balliu, mbi një bashkëpunim të mundshëm mes dy forcave më të mëdha politike në vend. Duke shtuar se “tashmë se qëllimi i Partisë Demokratike është dekriminalizimi i plotë i politikës”. Dhe kjo, pasi sipas tij, “pa u çliruar qeveria dhe çdo zyrë e shtetit shqiptar nga uzurpimi i krimit dhe kriminelëve, apo dhe personave të lidhur me to, nuk ka dhe nuk mund të ketë qetësi dhe stabilitet në këtë vend”...

Intervistoi: “Albanian Free Press”

Është theksuar qysh në muajin qershor se bashkë me shtatorin, opozita pritet të nisë vrullshëm aksionin e saj. Ku konsiston ky aksion? Çfarë ka ai si ide dhe qëllim të tij kryesor? Kujtojmë se në këtë linjë, kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ka bërë para një muaji thirrje për revolta dhe mosbindje civile ndaj qeverisë.

Është e qartë tashmë se qëllimi i Partisë Demokratike është dekriminalizimi i plotë i politikës. Çlirimi i zyrave shtetërore nga kthetrat e krimit. Të jemi të qartë, inkriminimi i politikës erdhi si shkak i bashkëpunimit të ngushtë të Edi Ramës me grupe të caktuara kriminale, të cilat i dhanë atij votat në shkëmbim që kryeministri u ofron atyre mbrojtje politike. Madje, kryeministri ka vënë në shërbim të grupeve kriminale edhe strukturat shtetërore, si Policinë e Shtetit. Në këtë mënyrë, çdo aferë kriminale si narkotrafiku apo afera korruptive ndahet midis Ramës dhe bandave. Pa u çliruar qeveria dhe çdo zyrë e shtetit shqiptar nga uzurpimi i krimit dhe kriminelëve, apo dhe personave të lidhur me to, nuk ka dhe nuk mund të ketë qetësi dhe stabilitet në këtë vend.

PS-ja, tashmë një vit që qeveris e vetme. Cilat janë arritjet dhe gabimet kryesore të qeverisë në këtë 1 vit drejtimi pa LSI, sipas jush?

Këtu nuk mund të flasim për gabime. Këtu mund të flasim për strategji kriminale në zyrat e shtetit, me një ideator: Edi Ramën. Ka qenë një plan i mirëfilltë i Partisë Socialiste për të shkatërruar sistemin demokratik në vend, si dhe sundimin e bandave dhe kriminelëve. Kjo mund të arrihej edhe nëpërmjet fitimit të imunitetit të drejtësisë nga kjo qeveri. Për këtë, rilindasit përdorën lidhjet e hershme të Ramës me bandat e krimit, për të blerë dhe manipuluar sistemin zgjedhor. Bashkë-qeverisja e Ramës me krimin e organizuar solli shkatërrimin ekonomik të qytetarëve shqiptarë.

Si do ta komentonit debatin e përgjimit të Denar Bibajt me Ledio Biankun, për çështjen e pronave të shqiptarëve? A është i vërtetë presioni i Bibajt dhe çfarë pasoja sjell në politikën shqiptare dhe më tej në Strasburg për pronat?

S’kam asnjë dyshim që presioni është i vërtetë. Imagjinoni kur Rama arrin t’u bëjë presion gjykatësve në Strasburg se çfarë bën me gjykatësit në Tiranë. Rama është antidrejtësi dhe përgjegjësi i vetëm pse sot Shqipëria, si asnjë shtet në botë, është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

Mendoni se do të ketë ndryshime në qeveri në shtator dhe pse? Cilat janë ministritë që kanë punuar më dobët dhe si mund të ndryshojë mënyra e qeverisjes që të jetë më rezultative?

Nuk e di dhe nuk më intereson, pasi problemi nuk është një ministër apo një deputet, por është sistemi mafioz e korruptiv që ka ngritur Rama. Është në interesin kombëtar, që sistemi i ngritur prej Ramës, të shkatërrohet sa më parë. Dhe ka vetëm një mënyrë për ta bërë. Revolta mbarëpopullore. Qytetarët, të udhëhequr nga opozita, duhet ta shpëtojnë vendin nga gremina që po e çon kjo bashkëqeverisje e Rilindjes me krimin.

Qarkullon ideja për një bashkëqeverisje me PD-në. Mendimi juaj për një bashkëqeverisje apo bashkëpunim të mundshëm PS-PD e përafërt  si vitin e kaluar për zgjedhjet parlamentare?

S’ka patur, nuk ka dhe kurrë nuk do të ketë një bashkëpunim PD-PS. Një tezë e tillë nuk ka vend aspak për diskutim në Partinë Demokratike. Këto janë teza të dala nga analistë dhe media të paguara nga Rama. Partia Demokratike nuk do mund të bashkohet kurrë me bijtë e xhelatëve të diktaturës dhe me krimin e organizuar.

Si është aktualisht vlerësimi i organizmave ndërkombëtare për qeverinë “Rama”, kur jemi në prag të çeljes së negociatave?

Me Edi Ramën kryeministër, Shqipëria jo vetëm që nuk bën hapa para, por përkundrazi pas drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo është e qartë, pasi Shqipërisë nuk iu hapën negociatat dhe për sa kohë të qeverisë Edi Rama dhe mafia, vendi nuk ka asnjë mundësi qe të hapë negociatat. Europa nuk i hap negociatat me një shtet që drejtohet nga bandat e krimit të organizuar. Nuk i hap negociatat me një shtet që s’ka gjykata e drejtësi. Nuk i hap negociatat me një shtet që s’ka zgjedhje të lira e të ndershme .Nuk i hap negociatat me një shtet ku ministrat dhe banditët punojnë së bashku.

Si do ta vlerësoni turizmin shqiptar këtë vit, a u rrit numri i turistëve në Shqipëri dhe në zonën ku ju jeni angazhuar si deputete? Po cilësia e shërbimit dhe kushtet e akomodimit apo aspektet e tjera të një turizmi cilësor, a ishin në rritje në krahasim të një viti më parë, sipas jush?

Faktet flasin vetë. Plazhet shqiptare këtë vit u braktisën jo nga qytetarët e huaj, por dhe nga shqiptarët. Shqiptarët nuk patën mundësi ekonomike që të pushonin, pasi taksat dhe faturat e shumëfishuara po shkatërrojnë ekonominë e tyre. Vjedhja qeveritarë e qytetarëve bëri që ky vit të shënonte një braktisje të bregut shqiptar. Por jo vetëm kaq. Edhe abuzimet me çmimet, kanë trembur këdo shqiptar, duke i larguar ata nga bregdeti. Fatkeqësisht, ky sezon turistik dështoi, duke lënë pas një ekonomi edhe më të varfër. Dhe për këto, natyrisht që ka një përgjegjës. Qeveria kriminale e Edi Ramës.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: