JASTËKU NË BARK – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

JASTËKU NË BARK – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

“Jastëku” është bërë simbol i frikës. Ngjarja me të cilën lidhet, ka ndodhur para vitit 2013, kur opozita socialiste po tentonte të vinte në pushtet “me të gjitha mjetet”. Kandidati për kryetar bashkie në Kavajë - një burrë i shkurtër dhe i akuzuar më shumë si trafikant se sa i dashuruar pas femrave, u ndodh pa femër në krah kur po dilte në mitingje. Ishte shumë e thjeshtë: “Rrëmbeu” njërën nga të njohurat, e vuri në krah dhe i tha: “Ti je gruaja ime!” E shkreta vajzë e mori për “vërteti” dhe nisi fushatën në krah të “burrit”. Sapo fitoi, ai nuk pyeti më për femrën që do të ishte “first Kavaja”. Vajza e kuptoi dhe sajoi “jastëkun në bark”.

“First Lady”e Kavajës, shpalli shtatzëninë. Pak ditë më vonë, erdhi në Tiranë dhe lëshoi alarmin se dikush “i kishte nxjerrë nga barku” fëmijën. Tha se ngjarja kishte ndodhur në një hotel afër stadiumit “Dinamo”, ku nuk u gjet as thika, as plaga, as gjaku. Gruaja e re, thjesht kishte nxjerrë jastëkun nga nën fustani mbi bark.

Frika e shumëfishtë e mbërtheu njeriun e shkretë: Frika reale se burri nuk po e kurorëzonte si grua, frika se “ku e kishte humbur” fëmijën që kishte nisur t’i dukej në barkun e fryrë...; vetëm një frikë nuk e mendoi (edhe këtë nuk e mendoi nga frika), se ekspertiza ligjore do të kërkonte prova...

Shoqëria jonë, atë natë, u mbyt nga lajmi: Televizionet hapen ekranet për opinione, për biseda, për keqardhje, për urrejtje, për rinovim lajmi.... Uah! Çfarë u bë atë natë...!

Fenomeni i “jastëkut në bark” tanimë ka marrëdhënie.

Ngjarjet e fundit “policeske”, në zemër të tyre kanë “jastëkun” ose frikën. Është interesante për t’u ballafaquar me analizat e Sigmund Freud, fakti që dy e treta e ngjarjeve aktuale alias “jastëku”, kanë lidhje me afera seksuale - nga ku shfaqen frikërat e mëdha.

Ngjarja e fundit me oficer Nuhun

Ky ka lëshuar një “bombë” mes gazetarësh, ia ka mbathur nga Shqipëria dhe ka mbyllur një histori frikërash personale. Bomba është se, “një vajzë e përdhunuar prej djalit të nomenklaturës, nuk gjen mbështetjen e policisë, por përkundrazi”. Shoqëria u trondit me të drejtë. Ndërsa tregimi politik i krimit vazhdoi me “detajet”që dha: “Kanë bërë presion dy deputetë, një kryetar bashkie dhe një djalë deputeti”. Presioni sipas Nuhut, ishte bërë ndaj vajzës me qëllim që të tërhiqte denoncimin dhe ndaj policit që të mos merrte denoncimin...

Ndërsa frikërat personale të oficer Nuhut, ishin mbledhur nëpër vite: Që nga Vlora, në Berat dhe në Fushë- Krujë, tre herë kishte kërkuar transferim me arsyetimin e frikës, se “kërcënohem për shkak të detyrës”... Nuk kanë kaluar as 24 orë nga momenti i shpalljes së frikës së fundit të oficer Nuhut, kur me sa duket, po del “jastëku”.

Deputetët e përmendur kanë ngritur padi penale për kryetarin e opozitës, që mori guximin të thotë se “akuza e Nuhut” është e vërtetë dhe një gazetar investigativ që tentoi të bëjë diçka në këtë fushë... Frika ka kaluar nga “barku i jastëkut”, tani drejt shoqërisë politike, drejt shoqërisë mediatike dhe drejt njerëzve të dobët. Nën frikë është shtuar edhe kryeministri i nesërm, edhe gazetari që do të kishte karrierë, edhe djali i deputetit, edhe skuadra e policëve..”- më në fund edhe vajzat që mendojnë se janë “të pambrojtura”.

Tani të gjithë këtyre po iu duket vetja si “vajza eksperimentale” e Sigmud Freud, e cila kishte shkruar një letër dashurie dhe pas kësaj u tmerrua se mos ia kapin...

Pas kësaj, vajza e grisi letrën e dashurisë, e bëri copë- copë... Por nuk ishte mjaft. Kudo ku shikonte copa letrash, vajza tmerrohej dhe gati e zinte histeria nga frika - që mjeku i madh Freud e ka quajtur “histeri e mbrojtjes”.

A është ky shqetësimi i vërtetë që kemi nëpër duar? Vini re, thashë “i vërtetë”; se që është shqetësim, është... Kjo është dilema.

E nisim që nga maja

Në majën e pemës së opozitës politike, kanë rënë gjethet e “të vërtetës”,menjëherë sapo shpalli “krimin”. Nuk ka më asgjë për të thënë, asgjë për të korrektuar, asgjë për të bërë. Aq ishte. Opozita thjesht shprehu frikën e vet; frikën “frojdiane” se mos vallë ka lënduar qeverinë më shumë se duhet. Opozita, nga frika e tejkalimit, tani edhe derën për të thënë ndonjë të vërtetë, e hap me bërryl se ka frikë mos lërë shenja gishtash. Në të gjitha aksionet kundër krimit, opozita është tërhequr menjëherë sapo ka shkarkuar frikën e vet. Në një akt si ky i “oficerit Nuhu”, kohë më parë, opozita tha se kapi përgjimet e drogës mes trafikantit dhe vëllait të ministrit... Në një deklaratë për publikun, opozita ka thënë se do të bëjë “vettingun e politikës” – një iniciativë e pa realitet, propagandë e vjetër. Opozita ka frikë përballë vetes, jo përballë pushtetit.

Pushteti: Deputetët kanë frikën e mbledhjes së radhës që vjen. Mes tyre dikush do të hajë dikë; pak nga pak, po vijnë zgjedhjet e tjera. Babai i djalit që akuzohet për “përdhunimin” e ish-të dashurës, ka frikën e grupit. Deputeti që kallëzoi në polici shefin e opozitës dhe gazetarin, ka frikë të mendojë për “përdhunimin”, kushedi sa akte më të kushtueshme ndodhen rrugës... Pushteti në grup nuk ka frikë vetëm nga një gjë: Nga rënia! Ai nuk bie për shumë kohë, sa të ekzistojnë frikërat që transmetohen në popull. Pushteti është pacienti që gëzon shëndet shumë të mirë, deri në momentin kur uni i tij do të përballet me një përvojë të dhimbshme që kishte vendosur ta harronte...

“Jastëku” i mbetet vetëm viktimës. Lajmi, i saktë ose jo, ka frikësuar mijëra që i ka kthyer në viktima, përveç vajzës që u bë “protagoniste”. Frika e politikës është shkarkuar mbi viktimën popull dhe ky e vuan... Edhe gazetarët që përdoren lehtësisht...

Ky është fenomeni, shumë më i lashtë se jastëku i Kavajës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: