ITALI/ Shfrytëzonin me dhunë vajzat për prostitucion, kapet banda e 22 shqiptarëve

ITALI/ Shfrytëzonin me dhunë vajzat për prostitucion, kapet banda e 22 shqiptarëve
Një aksion i policisë italiane në orët e para të mëngjesit ka synuar ekzekutimin e 22 urdhrave të arrestit për një bandë shqiptare që shfrytëzonte vajza nga vendet e Lindjes për prostitucion në Italinë e Veriut.

Operacioni është shtrirë në provincat Monza Brianza dhe Como të Lombardisë.

Në pranga ka përfunduar edhe një anëtare e 23-të e bandës shqiptare, një femër rumune.

Disa nga të akuzuarit janë shpallur në kërkim, pasi i shpëtuar arrestimit, ndërsa dy nga shqiptarët janë në burg duke vuajtur dënimin për krime të tjera, por “punonin” edhe nga qelia.

Sipas policisë italiane, viktima të bandës ishin 25 vajza kryesisht shqiptare, por edhe bullgare, moldave, polake, rumune dhe hungareze.

Shqiptarët i dërgonin vajzat në territore të kontrolluara prej tyre në Arosio, Lentate sul Seveso, Bregnano, Cermenate, Figino Serenza, Vertemate con Minoprio, Mariano Cornense.

Tre nga të arrestuarit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Nga hetimet ka rezultuar se shqiptarët kontrollonin në distancë aktivitetin e prostitutave në rrugë. Secili prej tyre kishte në mbikëqyrje një apo dy vajza dhe në fund ndanin fitimet pavarësisht se cila prej vajzave kishte “punuar” më shumë apo më pak.

Tutorët kishin për detyrë të mos lejonin që vajzat të humbisnin kohë me klientët, pasi “koha është flori”.

Shpeshherë vajzat ishin të detyruara të dilnin në rrugë edhe kur nuk ishin në gjendje të mirë shëndetësore, pasi në fillim merrnin një paralajmërim, më pas kërcënime dhe në fund mund edhe të “kërciste dajaku”.

Shqiptarët i shoqëronin vajzat për të filluar “punë” dhe më pas i sillnin në shtëpi, madje i shoqëronin edhe në shtëpitë e klientëve kur ata paguanin më shumë.

Gjatë operacionit të kryer nga efektivët e policisë së Milanos, u sekuestruan edhe 25 mijë euro. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: