Harta e investimeve në Shqipëri, Zvicra merr “timonin”

Harta e investimeve në Shqipëri, Zvicra merr “timonin”
Fluksi i IHD-ve drejt vendit tonë rezulton se po vjen më i lartë nga Zvicra, pasuar nga Holanda e më pas, nga Turqia

Cilat vende po sjellin më shumë investime të huaja në vendin tonë? Renditja e fundit e tyre e publikuar nga Banka e Shqipërisë, liston pikërisht Zvicrën si vendin me fluksin më të lartë të tyre në tremujorin e dytë të këtij viti. Duke lënë pas, vende të tjera tradicionale në këtë aspekt, të tilla si Greqia, Italia, Gjermania etj.

Konkretisht, sipas të dhënave rezulton se sipërmarrësit zvicerianë kanë investuar në Shqipëri 88 milionë euro për periudhën në fjalë. Teksa edhe në tremujorin e parë të këtij viti, ky vend sërish e kishte të lartë këtë tregues, deri në 106 milionë euro. Teksa në tërësinë e tij, stoku i IHD-ve nga Zvicra gjatë tremujorit të dytë të këtij viti figuron të jetë 1.136 milionë euro. Por nuk ka qenë kjo situatë me Zvicrën disa vjet më parë, për shembull në vitin 2014 kur prej saj në Shqipëri gjatë një tremujori kanë mbërritur mesatarisht rreth 20 milionë euro.

Një gjë e tillë lidhet mesa duket me faktin se Zvicra është vendi nga regjistrohen investimet për gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP), projekt madhor ky energjetik për vendin tonë, i cili ndikoi në tërësinë e tij për rritjen e nivelit të IHD-ve gjatë dy viteve të fundit.

Nga ana tjetër, një vend që ka sjellë shumë investime të huaja në Shqipëri, duke u listuar pas Zvicrës është Holanda, e cila ka financuar fillimisht projektet e hidrocentraleve mbi lumin e Devollit. Në shifra, për gjashtë muajt e parë të vitit, holandezët sollën në total 101 milionë euro, ku 87% e kësaj shume ishte në tremujorin e parë, ndërsa në të dytin shënuan rënie të ndjeshme. Kurse në vendin e tretë renditet Turqia, me një fluks të IHD-ve prej 30 milionë eurosh. Investimet më të mëdha turke janë në sektorin bankar dhe atë të telekomunikacioneve.

 

Ku po investojnë më shumë të huajt në vendin tonë?

Energjetika si e tillë, duket se mbetet sektori ku sipërmarrësit e huaj kanë investuar më shumë në vendin tonë. Përmendim këtu ato të ndërmarra si në hidrocentralin në lumin Devoll, por edhe në gazsjellësin Trans-Adriatik, TAP. Por një tjetër investim i madh në energji është edhe hidrocentrali “Ashta” i ndërmarrë nga austriakët. Në vend të dytë, renditet grupi i  “Informacionit dhe komunikacionit”. Por vitet e fundit, investimet në këtë sektor duket se janë tkurrur. Bankat janë sektori tjetër që tërhoqën kapital në Shqipëri në fillim të viteve ‘2000. Konkretisht, stoku i investimeve në aktivitete financiare dhe të sigurimit në qershor 2018 ishte 1.08 miliardë euro, duke u renditur në vend të tretë. Nga ana tjetër, sektori i katërt që ka tërhequr më shumë investime të huaja direkte ndër vite është industria nxjerrëse, kryesisht ajo në fushën e naftës dhe minerale, që merret me shfrytëzimin e pasurive minerare. Më pas renditen, industria përpunuese, aktivitete profesionale, aktivitete të pasurive të paluajtshme etj. Kurse bujqësia renditet në fund të listës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: