HALLET E QYTETARËVE TË KOSOVËS DHE HALLET E LIDERËVE TË SAJ! – OPINION NGA ALFRED PEZA

HALLET E QYTETARËVE TË KOSOVËS DHE HALLET E LIDERËVE TË SAJ! – OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nuk ka periudhë më të mirë për të parë një fenomen mjaft interesant politik, atë të raporteve mes halleve reale të qytetarëve të një vendi dhe halleve të liderëve të tyre politikë, sesa kjo e këtyre ditëve në Kosovë. Mjafton që të shohësh lëvizjet e drejtuesve të elitës politike të Prishtinës, takimet, qëndrimet e artikulimet e tyre dhe të përkthesh se çfarë fshihet prapa tyre, për të kuptuar më qartë diferencën që ato kanë, me nevojat reale të qytetarëve dhe sfidat e Republikës së re.

Një lajm i mirë  

Mediat nga Brukseli raportojnë se komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, paralajmëroi se Parlamenti Evropian do të votojë të enjten rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo procedurë u hap rrugën bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për këtë çështje, negociatat e të cilave pritet që t'i zhvillojë, raportuesja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon.

Propozimi i parë nga Komisioni Evropian është dhënë në maj të vitit 2016, por procesi i u bllokua për shkak të mosratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Pas gati tri vjet debatesh e përplasjesh, marrëveshja u ratifikua nga Parlamenti i Kosovës, në mars të këtij viti. Më 18 korrik Komisioni Europian kishte dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, duke vlerësuar se Kosova I kishte plotësuar kushtet e procesit të dialogut për këtë çështje.

Më 30 gusht, Komiteti LIBE, votoi në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërkohë që votimi i sotëm, fillimisht ishte parashikuar që të bëhej në tetor. Qytetarët e Kosovës aktualisht janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që duhet të kërkojnë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian.

Një lajm i keq

Ky lajm erdhi ndërkohë që Presidenti i Komisionit Europian, Junker i bëri thirrje BE-së që ndryshe nga sa deri tani, të jenë të bashkuar përgjithmonë, kur vjen fjala për Ballkanin Perëndimor. "Nëse nuk e bëjmë, atëherë rajoni në fqinjësinë tonë, do të formësohet nga të tjerët", - tha ai. Rritja e ndikimit rus, synimi i Brukselit për të forcuar politikën e zgjerimit pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian, rreziku i rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe kriza e emigracionit, besohet se janë disa nga arsyet e alarmit të Junker.

Pavarësisht vendimit shumë të rëndësishëm që i hap udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve në hapësirën Shengen dhe mesazheve të ish-kryeministrit të Luksemburgut, Kosova është e fundit në ecurinë e procesit të integrimit, ndër të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Siç dihet, në vagonin e parë janë Serbia dhe Mali I Zi, një hap më pas vijnë Shqipëria dhe Maqedonia dhe akoma më pas tyre, Bosnjë Hercegovina.

Prej shumë kohësh, është stopuar procesi i njohjeve të reja ndërkombëtare të shtetit të ri. Ndërkohë që ëndrra e madhe e integrimit të Kosovës, duket se mbetet ende për në "Kalendat greke", kur kemi parasysh se 5 nga 28 shtetet anëtare të Bashkimit Europian, nuk e kanë njohur akoma atë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi, janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, një kusht i domosdoshëm ky për të dyja palët, për ambiciet e tyre të integrimeve europiane.

Pavarësisht debateve, optimizmit, skepticizmit dhe polemikave që kanë shoqëruar idenë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, një gjë duket se kuptohet qartë: Një marrëveshje e madhe që çon në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, është ende shumë larg. Një lajm i keq ky, për të gjithë ata që shpresojnë për një anëtarësim të shpejtë të Kosovës, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Liderët e Kosovës mes dy tureve

Shtatori, më shumë se në Prishtinë i ka gjetur liderët politikë të Kosovës, në Tiranë. Më shumë se në sallën e Parlamentit të Kosovës, i ka gjetur në zyrat e qeverisë, Parlamentit dhe të shtetit në Shqipëri. Më shumë se takime me qytetarët e vet, paria e Prishtinës, është takuar këto ditë me liderët politikë të Tiranës.

Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj, Kryetari I Parlamentit Veseli, liderët e partive politike parlamentare në mazhorancë dhe opozitë, duket sikur kanë pozuar e qëndruar këto kohë, më shumë me Metën, Berishën, Bashën, Ramën dhe Ruçin, sesa me drejtuesit e institucioneve të tyre apo bashkëpunëtorët e tyre më të afërt në parti.

Turi i tyre në Shqipëri, më shumë i ngjan një pelegrinazhi drejt vendeve të shënuara, për të marrë bekimin e njërit apo tjetrit "shenjt", thjesht dhe vetëm në funksion dhe interes të nevojave të tyre të politikës së brendshme e të ditës në Kosovë, sesa si një qasje natyrale e raporteve të kuptueshme mes politikës në Prishtinë e Tiranë, në të dyja anët e kufirit shqiptar në Ballkan.

Ndërsa Hashim Thaçi, ndryshe nga kundërshtarët, kritikët apo bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, e ka rritur piacën. Duke u ngjitur një shkallë më lart. Në vend thjesht të një udhëtimi në Tiranë, si gjithë liderët e tjerë politikë të Kosovës, ai ka ndërmarrë një tur ballkanik. Të martën ai ishte në Malin e Zi, për t’u takuar në Podgoricë me homologun Milo Gjukanoviç, ndërsa të mërkurën (dje) në Shkup, për t’u takuar me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Kritikët thonë se më shumë sesa një përpjekje për të promovuar idenë e tij të këmbimit të territoreve, nëpërmjet "korrigjimit të kufijve" me anë të një marrëveshje paqësore me Beogradin, e cila sot ndihet më e fortë ndërkombtarisht për ta ndarë Kosovën, Hashim Thaçi po kërkon të ngrejë stekën personale, për t’i shpëtuar përmes faktorizimit rajonal e ndërkombëtar, kërcënimit që vjen nga Gjykata Speciale.

Përfundimi

Sigurisht që Shqipëria është një faktor shumë i rëndësishëm për çështjen e Kosovës, sikundër edhe faktorizimi rajonal e ndërkombëtar i saj. Ndaj, edhe turet e liderëve të politikës së Prishtinës, është e kuptueshme që janë pjesë e detyrës, misionit dhe funksioneve të tyre.

Por, kur ato realizohen si qëllime në vetvete, thjesht e vetëm në funksion të egos, halleve dhe nevojave të ambicieve të tyre personale, atëherë këtu kemi të bëjmë me një akt politik të panevojshëm. I cili mund të sjellë ndonjë përfitim imediat për protagonistët e tij, por e sigurt është se qytetarët e Kosovës që i kanë votuar ata për zgjidhjen e problemeve të tyre, nuk do të përfitojnë asgjë. Përkundrazi. Ëndrra e tyre europiane, mund të shtyhet për t’u realizuar në "Kalendat greke".

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: