Hakmarrja e madhe e Ali Pashës ndaj Leklit e Hormovës, pse dhe si i vrau mbi 200 burra

Hakmarrja e madhe e Ali Pashës ndaj Leklit e Hormovës, pse dhe si i vrau mbi 200 burra
HISTORI/ Si e paguan dy fshatrat e mëdha të Tepelenës, pabesinë e Aliut, para se të bëhej Pasha... “Me mposhtjen e Leklit dhe Hormovës, me fitoren kundër Ibrahim Pashës të Beratit, me arritjet e tjera të realizuara në kohë fare të shkurtër, me goditje të shpejta, të befasishme dhe mjete të pakta, dinakëri e pabesi që e karakterizonin, Ali Pasha nuk habiti vetëm jugun, por tërë  Shqipërinë...”

Mbi 200 burra të vrarë nga fshatrat e Leklit dhe Hormovës në Tepelenë. Kjo është masakra më e rëndë e ndodhur në këtë zonë, shkaktuar nga pabesia e Aliut, që akoma nuk ishte bërë pasha. E realizuar me një plan djallëzor, ajo u pasua me një barbari ndaj banorëve të këtyre zonave. Gjithçka, e mbetur në kujtesë dhe që përmendet nga studiues të ndryshëm. Teksa nuk harrohet të pohohet prej tyre edhe roli pozitiv i krahut të djathtë të Ali Pashait, Thanas Vajës. Por edhe ai i Jorgo Pogës, që ai i besoi artilerinë e tij. Të tilla detaje, por edhe të tjera interesante në vijim, vijnë sot në “Albanian Free Press” mbi Pashallëkun e Janinës, të drejtuar pikërisht nga Ali Pashai...

Nga Miltiadh Muçi

Plani i Ali Pashë Tepelenës ndaj lekëljotëve dhe hormovitëve ishte vërtet djallëzor. Për këtë, ai do të shfrytëzonte postin e sundimtarit. I shtirur se gjoja e kishte harruar hakmarrjen dhe priste të bënin pajtim, përgatiti më parë planin si do të vepronte, në fillim kundër parisë dhe më pas kundër gjithçkaje në Lekël dhe Hormovë. Lajmëroi krerët e dy fshatrave, të mblidheshin në manastirin e Shën Triadhës në Tërbuq, për të biseduar dhe gjetur zgjidhjet më të mira mbi problemet e përbashkëta, për të marrë përsipër detyrimet reciproke dypalëshe. Të ftuarit hynë pa dyshuar, pasi çarmatosen. Kur të gjithë u ndodhën brenda, sulmohen nga katërqind forca të Pashait. Në pak minuta s’ mbeti asnjë gjallë, veç të plagosurve rëndë që luteshin t’i vrisnin sa më parë, që nuk duronin dot dhimbjet e plagëve vërtetë therëse, të pashërueshme. Kështu u shkaktua masakra më e rëndë në fshatrat e Rrëzës, Lekli e Hormova, nga pabesia e Aliut që akoma nuk ishte bërë Pasha. Krerët e fshatrave Lekël dhe Hormovë, me porosi të Aliut, u zunë të gjallë, me qëllim t’u rezervonin një vdekje me tortura, të cilat për nga egërsia s’mund të imagjinoheshin. Njëri ishte lekëljioti Jani Leka, të cilin e futën në gur të mullirit të blojës, që punonte derisa i griu trupin si pelte e gjakosur. Tjetri ishte i dashuri i Hankos, që e vendosën mbi zgarë hekuri dhe e poqën ashtu të gjallë, ky quhej Çaush Prifti...

Si vazhdoi më pas hakmarrja?

Hakmarrja e madhe e Ali Pashës, pasi vrau me një plan djallëzor, mbi 200 burra të Leklit dhe Hormovës, më pas u shtri tek fshatarët , shumica e tyre të pafajshëm. Nën drejtimin e Jusuf Arapit dhe të djalit të Pashait, Mustafait, u vranë të gjithë personat që u gjetën me armë në duar, madje Jusufi donte t’i shkonte në majë të jataganit pa dallim, gra e fëmijë. Por Aliu urdhëroi mos t’i prekte. “Pasi mbaroi me parinë në manastir, u erdhi radha banorëve e fshatrave të tyre. Fajtorë dhe të pafajshëm pinë kupën hakmarrëse të Aliut. Banorët u therën, shtëpitë e boshatisura u dogjën. Hormova dhe Lekli e paguan. Nuk do të mbetej për më vonë veçse Kardhiqi”, shkruan autori grek Vurnos, në librin “Ali Pashë Tepelena , tiran apo politikan i talentuar”.

Lekëljotët në Pashallëkun e Janinës

Me emrin e Ali Pashë Tepelenës, padyshim është i lidhur Pashallëku i Janinës. Aliu u lind në vitin 1774 dhe shkallët e karrierës ushtarake do t’i ngjiste pranë Valiut të Rumelisë, pasi kishte marrë për grua njërën nga vajzat e Kapllan Pashës, kurse motrën Shanisha, e martoi me një nga djemtë e Valiut. Krushqi të bëra me pikësynime të qarta, për të realizuar dhe lartësuar karrierën politike për pushtet. Me mposhtjen e Leklit dhe Hormovës, me fitoren kundër Ibrahim Pashës të Beratit, me arritjet e tjera të realizuara në kohë fare të shkurtër, me goditje të shpejta, të befasishme dhe mjete të pakta, dinakëri e pabesi që e karakterizonin, Ali Pasha nuk habiti vetëm jugun, por tërë Shqipërinë. Pas kurthit ndaj Kurt Pashë Delvinës dhe zëvendësimit të Selim Mustafa Beut, për Aliun nisi karriera drejtë Portës së Lartë. Aliu vuri dorë në Sanxhakun e Janinës. Porta e Lartë në vitin 1787, zihet ngushtë me luftën kundër Rusisë dhe do detyrohet të njohë si sundimtar të ligjshëm Ali Pashë Tepelenën. Pas kësaj, Aliu kishte synim të krijonte shtetin autonom dhe për ta realizuar atë, nisi të zgjerojë vazhdimisht territoret e Pashallëkut. Më parë mori Skelën e Artës, ndërsa më pas qytetin. Po ashtu, dhe fushën e Korçës. Qëndresë të madhe bënë suljotët, të cilët qeverisnin në mënyrë autonome, por pas dy dekadash, Ali Pasha i mposhti me dredhi. Pasi vendos t’u propozojë paqe, nëse do dorëzonin 24 pengje si garanci dhe në respekt të marrëveshjes që do arrinin, edhe pse ishte mashtrues, pengjet iu drejtuan ishullit të liqenit të Janinës dhe me urdhër të kryepolicit të Aliut, që ishte Thanas Vaja, u çarmatosën.

Çfarë ndodhi më pas?

Dhe këtu përsëri do veprojë pabesia. Në ishull ishte manastiri Shën Pavli ku murgu mori përsipër të ftojë suljotët në një meshë, qëllimisht për t’i lënë armët jashtë. Ata pranuan propozimin e murgut dhe kryeulur futen brenda si pengje të çarmatosur, duke bërë edhe kryqin me përkushtim. Për veprimtarinë e Pashallëkut, Ali Pasha mbante Këshillin, Divanin, me bashkëpunëtorë të zgjedhur nga njerëzit më të afërt dhe më të besuar, midis të cilëve më i njohuri do të bëhej lekëljoti Thanas Vaja. Kishte dhe lekëljotë të tjerë, luftëtarë e komandantë, sikurse ishte Janko Poga, që e vendosën në krye të artilerisë. Një nga miqtë e afërt të Aliut ishte babai i Thanasit, që e kishte ndjekur nga afër dhe i kishte shërbyer atij me fanatizëm. Ai, ishte ndër të parët lekëljotë që bashkëpunuan me Ali Pashën. Disa herë u plagos në luftërat e ushtrisë së Aliu, kundër atyre armike dhe i qëndroi besnik deri në momentet e vdekjes, të shkaktuar nga plagët e rënda në luftimet më të fundit.

Thanasi me Aliun kishin diferencë të mëdha moshe, mbi 22 vjet. Në këtë mënyrë bëhet të kundërshtohet edhe mendimi, se “Aliu me Thanasin janë rritur bashkë dhe kanë pirë gjirin e një nëne”. Këtë e saktëson më së miri mjeku anglez Holland, i cili në kujtimet e tij midis të tjerash ka shkruar, se “Thanasi nuk ishte as dyzetë vjeç, kur e njoha tek Aliu, që i kish kaluar të gjashtëdhjetë e dy vjeçët”.

Pjesëtarët e familjes Vaja ndodheshin më pranë se kushdo Pashallëkut të Janinës. Ali Pasha i tradhtuar nga djemtë, nipat dhe disa bashkëpunëtorë, në momentet e fundit të jetës e kuptoi se e kishin gënjyer dhe luftoi deri në vdekje.

Duan të thonë, për të mos rënë në duart e turqve, i kërkoi Thanasit ta vriste me dorë të tij. Edhe kërkesës të fundit të Ali Pashës, ai do t’i bindej dhe turqit detyrohen të marrin, për t’i çuar Sulltanit vetëm kokën, sikurse thuhet edhe në këngën e bashkëqytetarëve të tij: “Koka në Stamboll, trupi në Janinë ...”.

Thanas Vaja, në krahun e majtë të Ali Pashës

Thanas Vaja mbetet personifikim i vetive më të mira të burrave lekëljotë, të përshkruara nga autorë të ndryshëm të fushës së historiografisë dhe letërsisë, sikur është njëri prej tyre shkrimtari dhe politikani Sabri Godo. Në romanin “Ali PashëTepelena”, ai shkruan: “Thanasi ishte dinak, por i drejtë dhe i vërtetë, i ashpër, por me zemër të mirë, presë jatagani kur duhej goditur, burrë i vërtetë që se njihte frikën, i mbyllur në fjalë ndaj Zotit, mendimet ia shfaqte vetëm Pashait me aftësinë për të zënë miq në kohë të shkurtër”.

Figura e Thanas Vajas kurrsesi nuk është e plotë, nëse nuk përshkruhet me cilësitë, aftësitë, paraqitjen e tij, me të cilat bëri për vete Ali Pashanë, që të tjerët ia kishin zili. Ai ishte njeriu që me gjithë trupin e madh të zhvilluar, nuk kishte preferenca në ushqim, por hante çfarëdo që të ishte gatuar, me kurajon dhe vullnetin e paepur, që të dilte gjithmonë në ballë e të drejtonte taborët, që i fliste haptas pa ndrojtje Vezirit, ishte ushtari e prijësi që jetonte si murg dhe ecte si hije e Ali Pashë Tepelenës, që kishte pushtuar zemrën e tij. Gjithë këto veti kaq të rralla, vështirë t’i gjeje tek njeri tjetër, veçse tek ky personalitet i Pashallëkut të Janinës.

Por ndryshe nga autorë të kohës, francezi Pukëvil me grekun Valariotis, Thanas Vajan e tregojnë “tradhëtar gjakatar”, që me 150 trupa, i urdhëruar nga Ali Pashë Tepelena, vrau 600 myslimanë kardhiqotë. Por a ishin vërtet “tradhtar gjakatar”, Thanasi së bashku me luftëtarët që morën pjesë, kur duhej të pushtonin patjetër Kardhiqin? Përgjigjen më të saktë do ta jepte përsëri Pukëvili, që dëshmon gjëra të rëndësishme dhe thotë: “Aliu po bënte përpjekje titanike të krijonte shtetin e pavarur e modern, kur Kardhiqi ishte fole e fshehtë, i cili po përgatitej për betejën përfundimtare me Aliun, ku i fituar nga humbja e tij do ishte Sulltani. Ky u kishte premtuar kundërshtarëve të Aliut ndihmë ushtarake. Perandoria Osmane ishte aq shumë e interesuar, për t’i ardhur në ndihmë Mustafa Pashës në Kardhiq, sa urdhëroi më parë aleatët të shkonin në Shqipëri, si të tjerët që ishin në kufi me Pashallëkun e Janinës. Stambolli ishte bindur që Aliu përpiqej të krijonte Shtetin e Pavarur, ku lekëljoti Thanas Vaja ndodhej në frontin më të parë.

“Pavarësisht se çfarë thuhet, -shprehet arvanitasi Aristidh Kola, -rënia e Gardhiçit (Kardhiqit) ishte arritje e rëndësie të madhe për Ali Pashë Tepelenën, ku vërtet u shqua Thanas Vaja, që duke marrë pjesë në politikën antiturke të Aliut, e dinte nëse Gardhiçi do duronte dhe vinin ushtritë e Sulltanit, atëherë raporti i forcave do ndryshonte në disfavor të Aliut dhe në favor të turqve”. Thanas Vaja, ky patriot, sikur e vlerëson më tej atdhetari Kola, përfundimisht vdes i varfër, i padukshëm, i keqkuptuar, me dashurinë e madhe për Leklin, “prandaj na takon ne lekëljotëve të sotëm, që figurën e tij ta ngremë në vendin ku e meriton”.

 

 

FIGURA

Janko Poga, komandanti i artilerisë në Pashallëkun e Janinës

Nga banorët e krahinës së Rrëzës, Janko Poga do të mbetet komandanti i luftëtarëve të saj. “Ali Pashë Tepelena arriti, që të krijojë më vonë shtetin autonom feudal shqiptar, me kryeqytet Janinën e banorët e Labovës së bashku me fshatrat e tjerë të Rrëzës, komandoheshin nga Janko Lekëljoti dhe dalloheshin për trimëri. Ai i donte ushtarët, sepse ata i pranuan reformat e futura në trupën e artilerisë, ushtarët dhe oficerët vinin kapelë dhe shkurtonin flokët e gjata që mbanin më parë”, shkruan Fedhon Meksi në librin “Labova e Madhe dhe labovitët”. Ali Pasha krahas zgjerimit të territorit, nuk largoi vëmendjen asnjëherë në sigurinë e ruajtjen e kufijve, prej sulmeve të ushtrive kundërshtare. Me përsosjen e organizimit të Pashallëkut, vlerësonte dhe vepronte të përmirësonte sistemin e mbrojtjes, një aspekt ishte ndërtimi i kalave. Kujdes të veçantë do t’i kushtonte përgatitjes e stërvitjes së ushtrisë, duke përzgjedhur edhe komandantët vendas, si Isuf Arapin apo Ago Vasjarin dhe të tjerë. Ai do të mbante afër specialistë ushtarakë të huaj. Ia kishte besuar artilerinë lekëljotit Janko Poga ose Qako Lekëljoti. 60 topat malorë mbarteshin nga 32 mushka, për t’i vendosur në pozicionet e duhura për luftim. Vetëm rreth kalasë së Gjirokastrës ishin të vendosura 85 gryka zjarri. Në flotë ekzistonin dy anije lufte me disa barka të armatosura, secila kishte nga një top. Nëse Ali Pashë Tepelena do sulmohej, anijet prisnin të gatëshme në gjirin e Prevezës. Jankua, natyrisht kurrsesi s’mund të kishte famën e Thanas Vajas, as autoritetin e tij, por gjithsesi me detyrën që i besoi Ali Pasha, kishte vlera të mëdha, sidomos në situata lufte, për të cilën Veziri përgatitej nëse do ta detyronin kundërshtarët e huaj.

Lakminë që kishte ndonjë për vendin e zgjedhur, në shenjë respekti, ku lekëljotët e vendosën trupin e Jankos, do ta shprehin në vargje:

“Ngrehu Janko nga varri,

Të futet nofulla-dali.

Se kështu ta bëri djali

E marrtë plumbi te balli”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: