Gjergj Buxhuku: Rënia e të ardhurave, qeveria po i justifikon me zhvlerësimin e euros

Gjergj Buxhuku: Rënia e të ardhurave, qeveria po i justifikon me zhvlerësimin e euros
INTERVISTA/ Flet administratori i Përgjithshëm i Konfindustria-s, Gjergj Buxhuku: “Prania e grupeve kriminale dhe me shuma të mëdha të parave të zeza, po e vështirëson shumë punën e biznesit të ndershëm”

“Janë dëshpëruese dhe jo serioze përpjekjet e qeverisë, për të përligjur rënien e të ardhurave në buxhet me forcimin e lekut”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, kreu i organizatës së njohur të biznesit, Konfindustria, Gjergj Buxhuku. Sipas tij, rishikimi i buxhetit i kryer së fundmi, është shenja e prekshme e rënies së dukshme të rendimentit fiskal të ekonomisë. Më tej, ai liston edhe vështirësitë aktuale që ka biznesi në Shqipëri, duke përmendur edhe ato që sipas tij mbërrijnë nga ekzistenca e parave të zeva, të vëna në përdorim nga grupet kriminale.

“Tregu në zvogëlim të ndjeshëm për arsye të fuqisë blerëse dhe uljes së konsumatoreve për shkak të emigrimit masiv, tregjet e mbyllura nga oligopolet, çmimet e larta të karburanteve dhe të energjisë elektrike, paaftësia e qeverisë për të hapur tregje të reja konkurrenciale, sistem bankar jo konkurrencial dhe ndryshimet në rritje të barrës fiskale ku përmendim TVSH-në për biznesin e vogël, taksën e pronës, tarifat e Rrugës së Kombit”, përmend në mënyrë konkrete ai të gjitha pengesat që biznesi ndesh sot në përditshmërinë e tij...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

Si e ka gjetur sipas jush muaji shtator ekonominë shqiptare? Çfarë premton ajo për muajt në vijim me ecurinë aktuale qe ka. Si ka ndikuar sipas jush zhvlerësimi i euros në ecurinë ekonomike dhe a mundet që rishikimi i fundit i buxhetit te rikuperojë realisht humbjet e shkaktuara prej tij?  

Ekonomia shqiptare ndodhet prej kohësh në gjendje të vështirë. Rishikimi i buxhetit i kryer së fundmi, shoqëruar edhe me një mosrealizim të dukshëm të ardhurash në buxhet krahasimisht planit, është shenja e prekshme e rënies së dukshme të rendimentit fiskal të ekonomisë. Janë dëshpëruese dhe jo serioze përpjekjet për të përligjur rënien e të ardhurave në buxhet me forcimin e lekut. Nëse do të ishte kështu, si shpjegohet që nuk përllogariten njëkohësisht edhe përfitimet e mëdha të qeverisë nga pagesat e shërbimit të borxhit publik, që në pjesë dërrmuese është në monedhë të huaj? Gjendja bëhet edhe më shqetësuese, kur vlerëson se nëse do të pranojmë si të vërteta të dhënat e INSTAT-it, rritja ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2018 është më e lartë se parashikimi, punësimi është rritur, çmimi i karburanteve është rritur ndjeshëm, por në të njëjtën kohë është rritur ngarkesa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në biznesin e vogël, etj. Normalisht, në kushte të tilla, të ardhurat në buxhet duhet të ishin dukshëm më të mëdha sesa planifikimi. Por ndodh e kundërta. Prandaj, qeveria duhet të zgjedhë në justifikimet e saj ndërmjet të dhënave jo të vërteta të institucioneve zyrtare për rritjen ekonomike dhe paaftësisë, ose korrupsionit në administrimin fiskal.

 

Cilat janë problematikat kryesore me të cilat ndeshet aktualisht biznesi dhe parashikimi rreth tyre?

Tregu në zvogëlim të ndjeshëm për arsye të fuqisë blerëse dhe uljes së konsumatoreve për shkak të emigrimit masiv, tregjet e mbyllura nga oligopolet, çmimet e larta të karburanteve dhe të energjisë elektrike, paaftësia e qeverisë për të hapur tregje të reja konkurrenciale, sistem bankar jo konkurrencial dhe ndryshimet në rritje të barrës fiskale ku përmendim TVSH-në për biznesin e vogël, taksën e pronës, tarifat e Rrugës së Kombit. Gjithashtu, prania e grupeve kriminale dhe me shuma të mëdha të parave të zeza, po e vështirëson shumë punën e biznesit të ndershëm.

 

Qeveria po përgatitet për Eurobondin e radhës, qe po shigjetohet nga opozita si borxhi i ri i shqiptarëve. Ju si e vlerësoni atë?

Nëse eurobondi do të përdoret për të ulur interesin e shërbimit të borxhit publik, kjo është pozitive. Në rast të kundërt, ai është tregues i vështirësive që po kalon ekonomia shqiptare dhe do të ishte thjesht një oksigjen i çastit për qeverinë, por një hall më shumë për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë nesër.

 

Së shpejti nis puna për hartimin e buxhetit të vitit të ardhshëm, 2019. Ku mendoni se duhet të fokusohet ai, meqë do jetë edhe një vit elektoral.

Nëse do të ketë përpjekje për të ndrequr diçka nga vërejtjet e mësipërme, do të ishte ne drejtimin e duhur, por kjo duket shumë e vështirë. Ekonomia shqiptare ka nevojë për ndryshime thelbësore, që janë krejtësisht në drejtim të kundërt me filozofinë e deritashme të qeverisë. Në këtë kuptim, shpresojmë që buxheti i vitit të ardhshëm të paktën të mos jetë buxhet zgjedhor.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: