FIJET QË PRITEN! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

FIJET QË PRITEN! – PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
Nga Juela Meçani

Fundi i gushtit ishte i trazuar, gjeopolitika nuk e la të qetë atmosferën e pushimeve, ndërkohë që ekonomia është ajo që është dhe njerëzit përpiqen të mos ndërtojnë jetën mbi xhama të thyer.

Por përsëri ka një pushtet të fuqishëm që i mban të mbërthyer, ku më shumë e ku më pak dhe ai është televizioni.

Duke qenë se bëj pjesë në ata persona që mendojnë se televizioni dhe gazetaria italiane është më ekselentja në Europë, unë besnike e shijes time, atë ndjek që kur isha pa dhëmb në gojë. Ndaj e përjetova me habi dhe kureshtje respektin e jashtëzakonshëm që ndesha në rrjetet italiane mbi atë që e kanë quajtur “babain e televizionit italian”, shpikësin e talk-show, Maurizio Costanzo.

Djali i vetëm i familjes, Maurizio, festoi 80 vjetorin dhe ekrani që e bëri të njohur e nderoi si rrallë herë ka bërë ndonjë televizion në botë, për një gazetar të gjallë dhe aktiv.

Kjo koinçidoi edhe me të vetmen herë kur gjeniu i “Maurizio Costanzo Show” i pranoi festimet dhe lajkat me dëshirë, ndryshe nga herë të tjera kur i ndrojtur dhe i rezervuar siç është, do të mbyllej brenda vilës së tij, aty ku jeton me bashkëshorten Maria De Filippi prej 23 vitesh.

Por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte se ndoqa transmetimin e një përvjetori të emisionit të tij të famshëm maratonë, në një nga përvjetorët dhe në të ishin ftuar personalitetet më të famshëm në Itali, nga politika dhe arti, një pjesë e të cilëve ishin bërë të famshëm falë intervistave nga Maurizio.

Klima që gjeta në Shqipëri pasi pashë këtë emision ishte ajo kurioze e lëvizjeve të gazetarëve të njohur e më pak të njohur nga njëri ekran në tjetrin.

Deri këtu asgjë të keqe nuk ka, fundja është treg dhe çdokush bën zgjedhjen e tij. Por detaji që më bëri të reflektoj kishte lidhje pikërisht me këtë gazetar të madh, ai po që është vërtetë i madh.

Që në vitin 1982 ai nisi me projektin e tij në të atëhershmin Fininvest, në Canale 5 e ku sapo mbylli sezonin me një audiencë të jashtëzakonshme, në të njëjtin teatër, pas 36 viteve. Me disa pasazhe në Rai e disa eksperienca në menaxhim, gazetari zgjodhi të qëndrojë e të luftojë që të ruajë suksesin aty ku nisi madhështia e emrit të tij.

Një punë kolosale për të ri-shpikur vetveten, rinovuar stilin gazetaresk, në përshtatje me ndryshimin e brezave e shijen e publikut, por duke ruajtur të njëjtin stil në xhaketë, me të njëjtën këmishë, pa kravatë e me skenar përpara.

Ndërkohë në median shqiptare, sapo mësohesh me profilin e një gazetari ose gazetareje në një ekran, sapo krijon besueshmëri, afeksion, të bëhet si njeri i shtëpisë, sapo ke parë spotet ku gazetari thur elozhe për televizionin ku merr pagën, duke e quajtur si më të mirin në treg, befas e gjen të ikur diku gjetkë.

Përsëri them se në shikim të parë nuk ka asgjë të keqe, gazetari punon për pasion, ideal por edhe për para dhe famë, ka egon e tij dhe sigurisht bën edhe llogaritë e tija. Por vallë a do të kishte përfunduar kështu p.sh, me këtë audiencë të ulët, i lënë në hije, Radiotelevizioni Publik Shqiptar, nëse shumë figura që sot “ushqejnë” median mos ta kishin braktisur atë për një karrierë më të shndritshme?

Këtu fus edhe veten e këtu fus edhe respektin që ushqej për ata që ende sot mbajnë në këmbë ekranin e TVSH-së sepse e di që ofertat nuk u mungojnë që të largohen prej tij. Gazetarët e rinj është më se normale që të kërkojnë për më mirë, në punë e në pagë por figurat qendrore të një ekrani janë identiteti i tij, na pëlqejnë apo s’na pëlqejnë.

Nëse kolegët e mi, pjesën më të madhe të të cilëve i njoh sepse e kemi nisur bashkë karrierën, do të kenë fatin të festojnë 80 vjetorin si gazetarë aktivë, në cilin ekran vallë do të kenë lënë rrënjë? Cilin sukses jetëgjatë do të kenë ndërtuar duke dhënë një kontribut të patundshëm?

E në fund, sa të besueshëm për publikun jemi nëse nuk gjejmë stabilitet askund?

Askush nga ne, askush, nuk është i pazëvendësueshëm e askush televizion nuk është gjithmonë në kulminacion. Pronarët ndryshojnë, aksionet shiten, politika ndërron kah, biznesi ka kurbën e tij, por profili i rëndë i një gazetari ekrani është fija që mban të lidhura të gjitha, suksesin dhe dështimin e një ekrani.

Ndaj, nëse fijet priten shpesh, sa i fortë është ky profil?

Shpërndajeni me miqtë tuaj: