ENGJËJT KUNDËR KRIMIT – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

ENGJËJT KUNDËR KRIMIT – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të gjithë kanë dalë në fushën e luftës kundër krimit: Maxhoranca dhe Opozita.

Të gjithë janë engjëj. Maxhoranca qëndron në parlament dhe lufton në fushën e ligjeve e të qeverisjes, ndërsa opozita ka dalë “rrotull shtëpisë” ku lehin qentë. Por të gjithë janë njësoj: Engjëj. Pas betejës do të kemi gjahun në fushën tonë dhe do të kënaqemi...

Do të kënaqemi me rastet, edhe sikur të mos kemi gjah:

Rastet:

I pari:

Koha vjen rrotull për t’u bashkuar engjëjt. Propozimi i djeshëm i opozitës për të kryer vetingun e politikanëve ishte një rast për t’u bashkuar me qeverinë. Kjo është një ëndërr që sillet rrotull si fantazmë dhe realizohet të paktën një herë në vit. Opozita u bashkua me qeverinë në pranverën e vitit 2017 dhe la në fushën e betejës një çadër, si edhe vetë pluralizmin politik. Që atë ditë, Shqipëria ka ndërtuar sistemin bipartizan në politikë, që në fakt fsheh monizmin politik...

Tani ka ardhur prapë rasti për të bindur publikun se “po bashkohemi, lum si ju!”. Tani po bashkohen në emër të luftës kundër krimit dhe kjo i bën të gjithë të lumtur. Që sot e tutje, sipas propozimit të qpozitës, nuk do të ketë më asnjë politikan të kriminaliziuar. Sipas opozitës, nis procesi i vetingut edhe për politikën dhe kështu populli shpëton. Maxhoranca e priti me gëzim propozimin e opozitës dhe të gjithë u gëzuan se “engjëjt dolën në fushën e betejës” të gjithë së bashku. Krimi iku.

Rasti i dytë:

Të rrojmë edhe ca kohë, siç rrojtëm me vetingun në drejtësi. Ky është qëllimi i propozimit për veting në politikë. Vetingu në drejtësi dështoi, thuajse. Për shkak të tij, sot ka rënë sistemi i drejtësisë: As ka Gjykatë Kushtetuese, as Gjykatë të Lartë dhe nesër nuk do të ketë Gjykatë të Apelit. Vetingu në drejtësi kishte për qëllim t’i hapte rrugë krimit në politikë. Pa kulmin e Pallatit të Drejtësisë, politika nuk mund të gjykohet. Sado që të bëhen vetingje në politikë, pa gjykata nuk ka efekt. Por politika “engjëllore” e ka rrëzuar drejtësinë para se të vijë vetingu. Parulla e vetingut në politikë është njësoj si parulla: “Edhe pak sa të arrijmë komunizmin!”, që u zvarrit katër dekada nëShqipëri. Asnjëherë nuk do të ketë dekriminalizim të politikës.

Rasti i tretë:

Të sillet ndërmend “Gjahu i Malësorëve”, i shkruar nga Kristoforidhi në mes të viteve ‘800 të shekullit të kaluar. Jo thjesht tregimi si letërsi, por të sillet skema sesi luftojnë për gjahun të gjithë, njerëz e zagarë, nga të katër anët dhe në mbrëmje sjellin në shtëpi gënjeshtrën. “Kaf- kuf... kaf- kuf”- një jetë të tërë që luftohet kundër krimit, por krimi bën kërdinë. Opozita deklaron se shteti është kriminalizuar, se qeveria është kriminale, se kudo jeta është e pasigurt!... Por ndërkohë, opozita rron në këtë vend, rron e nuk deklaron se “nuk jam e zonja të luftoj krimin”.  Ky është një “kaf- kuf” i dështuar- sipas Kristoforidhit. Qeveria nuk ka dhënë kurrë shpjegime se çfarë është kriminalizuar... A është kriminal shteti? Atëherë si e mban bota këtë shtet kriminal? A ka shkelur ligjet e veta? A ka bërëligje kriminale? Në cilin planet jeton ky shtet?... Të gjitha këto pyetje lindin pasi dëgjon engjëjt e të dy krahëve, që thonë se shteti është i inkriminuar... Po vallë, a nuk është rasti të pyesim se cili është ky planet që duron mbi kurriz, të vetmin shtet të inkriminuar në botë?

Rasti i katërt:

Duke luftuar të gjithë “engjëjt” së bashku kundër krimit, është fshehur krimi. Në radhë të parë, se nuk dihet e as thuhet cili është krimi... Krimi është droga e Xibrakës, apo dy-tre vrasës në Shkodër?... Engjëjt, me këtë rast e minimizojnë krimin deri në pikën sa e bëjnë të padukshëm. Krimi ka marrë jetën e njeriut që është prona, paqja dhe liria, por këta thonë “Xibraka’, një fshat i humbur në Elbasan.

Më në fund, fshehja më e madhe: Të vetmit që janë kultivues të krimit e kriminelëve janë këta politikanët që dalin në “gjahun e malësorëve” kaf- kuf, nëpër përrallat e Kristoforidhit. Këta kanë grumbulluar pasurinë e shqiptarëve në duar të tyre, këta kanë bllokuar lirinë e njeriut për të gëzuar pronën dhe pasurinë e vet, këta sjellin në Parlament vrasës dhe hajdutë....

Atëherë pritet që në fushën e gjahut të shikojmë prapë njeriun dhe popullin.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: