EMIGRACIONI I SHQIPTARËVE NUK ËSHTË ZGJIDHJE, POR DËSHTIM - OPINION NGA SONILA MEÇO

EMIGRACIONI I SHQIPTARËVE NUK ËSHTË ZGJIDHJE, POR DËSHTIM - OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Po dhe po!

Njeriu në botën e lirë ka të drejtë të ndjekë ëndrrën e një jete më të mirë, për të shmangur varfërinë, konfliktin, luftën; të provojë kudo ndjen se çmohet puna e talenti i tij; të synojë Gjermaninë a Suedinë, për të rritur standardin e jetesës e për të garantuar të ardhme më të mirë për fëmijët, veten e familjen. Kështu ka qenë kaherë dhe me këtë logjikë shpjegohet emigracioni i çdo kohe, eksod a më i përmbajtur qoftë.

Por nuk mund të justifikohet asnjë vendimmarrës, politikan a qeveri me këtë argument, duke ia faturuar lirisë së lëvizjes dhe të drejtës për të patur një jetë më të mirë, shifrat e emigracionit a azilantëve që, në statistikë, Shqipërinë e rendisin pranë vendeve në luftë e konflikte të përgjakura.

Sepse lëvizja e lirë nuk nisi sot, nuk u garantua sot kjo mundësi, që fluksi të justifikojë kalimin nga bunkeri në botën e lirë - për këtë, shifrat serviren nga organizma ndërkombëtarë. Sipas Raportit Vjetor të Situatës së Azilantëve, të publikuar nga Bashkimi Europian verën e këtij viti, Shqipëria renditet e shtata në botë për numrin e azilkërkuesve në Bashkimin Europian në vitin 2017, pas shteteve ku emigrantët i ikin luftës: Siri, Irak, Afganistan, Pakistan dhe Eritrea, me 26 mijë aplikime.

Që nga viti 2013, rreth 157 mijë qytetarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil. Nëse përllogaritim numrin e azilkërkuesve për 1000 banorë, për secilin nga 20 shtetet që kryesojnë listën në vlerë absolute Shqipëria renditet e para në botë, duke llogaritur popullsinë e ulët të saj. Për çdo 1000 banorë në Shqipëri, numri i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian ishte 9, duke na vendosur në krye të listës. Të dytët renditen shtetasit nga Gambia, me 6.5 kërkesa për azil në çdo 1000 banorë, duke u ndjekur nga sirianët, me 5.9 kërkesa për 1000 banorë, të renditur të tretët.

Ndërkohë, gati gjysma e popullsisë shqiptare do të largohet nga vendi, sipas sondazhit të kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në kuadër të Barometrit të Opinionit Publik në vendet e Ballkanit. 43% e shqiptarëve i janë përgjigjur po pyetjes, nëse do të merrnin në konsideratë largimin nga vendi. Në rajon jemi të dytët, së bashku me boshnjakët; pas Kosovës, në renditjen e përqindjes së popullatës që do largimin.

Patjetër që vendet e zhvilluara konkurrojnë për të marrë fuqinë e kualifikuar të punës; patjetër që synojnë trurin dhe krahun e lirë punëtor; patjetër që përgatisin politika mikluese, që i apelojnë dëshirës njerëzore për një jetë më të mirë. Por shqiptarët, me shumicë, jo vetëm plotësojnë anketime dëshirash për t'u larguar nga vendi i tyre, por më shumë se kushdo e bëjnë realitet largimin. Të shtatët në botë vitin e kaluar, për numrin e azilkërkuesve në Bashkimin Europian.

Pra, një vend që bombardohet dita ditës e ora orës, në media e rrjete sociale, me propagandën se negociatat janë hapur, se jemi më pranë Europës, sërish prodhon numrin më të madh të azilantëve e të dëshiruarve për tu larguar drejt... Europës. Me logjikë të thjeshtë, në logjikën e fakteve, këtij populli i është vrarë shpresa e më shumë se aq, i është bërë i padurueshëm realiteti. Se nëse negociatat kanë datë, reformat po funksionojnë, ekonomia po rritet, pse duhet të ketë një statistikë kah vendeve të luftës? A mund të jetë argument thjesht lëvizja e lirë, në statistikën konkurruese për azil e emigracion me vendet e luftës?

Për hir të argumentit, Eurostat, pak ditë më parë, publikoi të tjera të dhëna për azilkërkuesit. Në tremujorin e dytë të vitit 2018, aplikuan për herë të parë për azil 3930 persona, ose 3% e totalit të azilkërkuesve në Bashkimin Europian. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, numri në total i aplikimeve për herë të parë nga shqiptarët për azil, llogaritet të jetë 8040. Franca vijon të jetë vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve shqiptarë, edhe për tremujorin e dytë të 2018-s, me 38% të kërkesave - rreth 1495 aplikues.

Pas saj, në vend të dytë për numër të lartë aplikuesish, renditet Greqia me rreth 20% të kërkesave për azil - rreth 800 aplikues, ndërsa në vend të tretë është Mbretëria e Bashkuar, ku vetëm gjatë tremujorit të dytë, kanë aplikuar për azil 13% e totalit - rreth 500 shqiptarë.

Kur argumenti i vetëm që lideri i jep këtyre shifrave, është se "çështja e atyre që ikin e vijnë është çështje e kohës dhe e lirisë për të lëvizur; se nuk jemi më bunkeri i Enver Hoxhës, jemi një vend i lirë dhe njerëzit kanë lirinë e lëvizjes. Nëse shqiptarët kërkojnë azil politik, kjo ndodh vetëm për një arsye, sepse ende nuk jemi anëtarë të BE-së dhe nuk kemi akses në tregun e lirë të punës", - atëherë të zhbëjmë ca absurdin e pohimeve.

Të marrësh për referencë kohën e rënies së diktaturës dhe të prodhosh shifra të larta emigracioni edhe pas 28 vitesh distancë me të, ngjan propagandë shëllirë ose arsyetim prej inkubatori, ku ke abstraguar nga çdo dromcë realiteti.

Lëvizja e lirë për një punë a angazhim më të mirë, është njëra anë e medaljes. Por të firmosësh si emigrant ose azilant e për më tepër duke konkurruar shifrat e atyre që largohen nga lufta, nuk është status privilegjues, për të cilin një lider, një qeveri, duhet të flasë me këtë lehtësi turbulluese!

Nëse pranojmë se, tregu ndërkombëtar i punës konkurron fuqishëm për të thithur trurin dhe forcën më të kualifikuar punëtore, si mund të pretendosh si qeverisje të realizosh objektivat e rritjes ekonomike, produktivitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm? Me zbrazjen e vendit nga më të aftët, krijuesit, mjekët, shpikësit, inxhinierët, profesionistët e lartë e teknikët e mesëm? Po si na argumenton të paktën thithjen e trurit? Që të kompensojë këtë hulli, që dënon kapitalin njerëzor të një vendi?

Investimet e ulëta, lulëzimi i sektorëve jo prodhues në ekonomi, normat e larta të fitimit në ndërtim e lojëra fati, këto do përthithin trurin për të kompensuar lëvizjen e lirë nga Shqipëria drejt BE-së? Pse nuk janë këto thagma të mjaftueshme për të kompensuar ikjen nga ky vend?

Si ka mundësi të përmendet mungesa e aksesit në tregun europian të punës, si arsye e ikjes së shqiptarëve, kur Shqipëria, sipas matjeve të Bankës Botërore, ka pasuri natyrore rreth 13,375 dollarë për frymë, nivel më i lartë se shumica e vendeve të Ballkanit, se grekët, italianët, gjermanët e të tjerë europianë? Ndërkohë që Shqipëria ka nivelin më të lartë të pasurive natyrore për frymë, ka të ardhurat disafish më të ulëta për banorë se këto vende. Zhvillimi ekonomik i një vendi varet nga përdorimi i duhur dhe me efikasitet i kapitalit natyror dhe investimi i të ardhurave nga burimet natyrore të kapitalit, si mineralet, në infrastrukturë dhe arsim. Sipas Bankës Botërore, kjo ndikon në rritjen e pasurisë së vendit e mirëqenien e qytetarëve. Atëherë, ç'lidhje ka përmendja e mungesës së aksesit në tregjet europiane të punës me ikjen e shqiptarëve, kur parajsën e kemi këtu dhe shfrytëzimi i keq i saj është përgjegjësi e keqqeverisjeve?

Kur na përmenden shifrat e kroatëve, që largohen në masë në emigracion si ne, nuk di nëse zoti Plenković, kryeministri i Kroacisë, i gëzohet mundësisë së lëvizjes së lirë të bashkëkombësve të tij, për të lënë vendin e për të kontribuuar në vende të tjera të Europës e nëse justifikohet duke krahasuar shifrat me emigracionin e italianëve. Në studimin më të fundit të Departamentit të Historisë në Universitetin Katolik Kroat, drejtuar nga profesor Tado Jurić, theksohet se arsyet për të cilat kroatët emigrojnë në masë, janë pasiguria ligjore dhe ekonomike, imoraliteti i elitave politike, korrupsioni i madh, dyshimet e përgjithshme në zhvillimin ekonomik e social të vendit. Dhe tema e emigracionit në Kroaci, shifrat e të cilit kryeministri shqiptar i krahason me tonat, konsiderohet si çështje shumë kritike kombëtare dhe e sigurisë. Çuditërisht, këtu justifikohet me lirinë e lëvizjes, pasi bunkerët kanë rënë.

Mund të rendisja këtu edhe çështjet e ngritura nga Banka Botërore e të tjerë organizma ndërkombëtarë mbi arsimin, që nuk u përshtatet nevojave të tregut e zhvillimit ose cilësisë së ulët të shërbimeve.

Ndaj, po dhe po! Motivimi për një jetë më të mirë, për zhvillim karriere, për standard më të lartë jetese, është arsye për të kërkuar më të mirën; por kur nuk ke adresuar ende absurdin e ikjes, prej një prej vendeve me pasuri më të mëdha natyrore në Europë, në shifra emigracioni të njëjta me ato të vendeve në luftë, atëherë edhe zgjidhja që propozon qeveria, do jetë po aq e keqe sa problemet që has çdo i ikur.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: