Eksperti i krimeve: Shteti nuk e mori në mbrojtje “Stelën”, e vranë se akuzoi policët e Vlorës

Eksperti i krimeve: Shteti nuk e mori në mbrojtje “Stelën”, e vranë se akuzoi policët e Vlorës
INTERVISTA/ Vijon rrëfimi i ekspertit të kriminalistikës, Miltiadh Muçi: “Ngjarje të ndodhura në mjedise policore, të shkaktuara nga efektivat e saj, gjithmonë janë mbuluar nga hije të errëta, që është tepër e vështirë t’i ndriçosh. Autorët nuk vihen para përgjegjësisë së ligjit, bile një ditë ndodhen në poste drejtuese...”

“Për fat të keq, në raste, në rrethana dhe mjedise që kanë lidhje me veprimtarinë e strukturave shtetërore dhe në veçanti ato të policisë, janë shkaktuar viktima të pafajshme”. Ky është një tjetër fakt që sjell në rrëfimin e tij të radhës për “Albanian Free Press”, Miltiadh Muçi, ekspert i njohur i kriminalistikës. Duke pohuar se janë disa ngjarje, ku është cenuar autoriteti i saj. Lidhur me to, ai sjell në vëmendje rastin e vrasjes makabre të nënës 18-vjeçare, Johana, e njohur ndryshe edhe me pseudonimin e policisë, “Stela”. “Ajo që guxoi të akuzojë policët e Vlorës për trafikimin e qenieve njerëzore dhe që u bë viktimë e drejtësisë”, citon ai. Por duke përmendur edhe një rast tjetër të ngjashëm sipas tij, pikërisht atë të familjes Daka, përmes të cilit gjithashtu akuzon strukturat e policisë.“Në më pak se 10 vjet, nga veprimet diletante dhe të papërgjegjshme të trupës së policisë, brenda dhe jashtë ambienteve të saj janë vrarë më shumë se 10 viktima të pafajshëm, duke shkelur konventat ndërkombëtare dhe Kushtetutën e vendit, ndërsa numri i viktimave të punonjësve të policisë, fatkeqësisht është më shumë se 20 herë më i madh”, është një tjetër deklaratë tronditëse e tij, lidhur me këtë dukuri...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Si një ekspert i kriminalistikës, a mund të na sillni në vëmendje ndonjë ngjarje tjetër që ju ka mbetur në mendje për peshën e saj?

Po. Eshtë vrasja makabre e nënës 18-vjeçare, Johana, e njohur ndryshe edhe me pseudonimin e policisë, “Stela”. Ajo që guxoi të akuzojë policët e Vlorës për trafikimin e qenieve njerëzore e që u bë viktimë e drejtësisë. Me lotët në sy dhe vajzën 3-muajshe lënë strehën e tyre, në një barakë të pushtetit vendor, “të zënë pa leje”. Stela, shumë e vendosur dhe me prova, pati kurajën të denoncojë korrupsionin, në hallkat më të rëndësishme, jo vetëm të policisë, por dhe të prokurorisë e gjykatës, të cilat jo vetëm nuk e morën në mbrojtje jetën e saj, por krijuan premisa të kishte përfu ndimin më tragjik, të gjendej e masakruar me thikë. Ndërsa Igli Toska, ministri më i ledhatuar atëherë i qeverisë “Nano”, jo vetëm që nuk reagoi, por drejtues të tij në Policinë e Vlorës, paturpësisht e etiketuan si “prostitutë”, edhe pse më të inkriminuarit, në trafikimin e qenieve njerëzore dhe të lëndëve narkotike. Policë të saj, jo rastësisht dhe në ditët e ndërrimit të pushteteve, u kapën në Elbasan me kanabis sativën e kultivuar në zonën e Lumit të Vlorës. E mendoj të panevojshme, të komentoj dobësitë dhe shkaqet e inkriminimit të policisë, sloganin më absurd të Toskës, “Të luftojmë rendin brenda rendit”. Nuk mund të mos e përmend as edhe reagimin e kryepolicit Shtëmbari, i cili e mohoi bashkëpunimin e policisë me Stelën, për interesa të tyre dhe personave të tjerë,  brenda e jashtë organit të  policisë. Çështja “Stela” nuk mund të quhet e mbyllur, gjersa shkaktarët sillen sikur të mos të ketë ndodhur asgjë. Vrasja e saj ishte e pashmangshme, sepse nuk e mori në mbrojtje pushteti, që nuk e ka për gjë të të vrasë. Sot e pësoi “Stela”, ndërsa nesër me siguri do ta pësojë dikush tjetër...

 

Cilat ngjarje të tjera do t’i konsideronit si të rënda, të ndodhura gjatë këtyre viteve?

Pas arratisjes nga paraburgimi të Bujar Dakës, bashkë me të dënuarit e tjerë, në dhjetë ditët e para të shkurtit të vitit 2004, në Shkodër, rrodhën ngjarje të tjera më të rënda. Organi i procedimit penal arrestoi  tre policë, përjashtoi dhe shkarkoi nga detyra dymbëdhjetë të tjerë, ndërsa drejtuesit kryesorë të policisë, pas disa deklaratave në media iu kujtuan efektivave, se “kështu do ta pësonin të tjerët nëse nuk i kryejnë mirë detyrat”! Masat e marra ndaj policëve, a thua se ishin e vetmja rrugëzgjidhje, për të minimizuar problemet që ishin të  grumbulluara, kur strukturat e Policisë së Shtetit kishin zhgënjyer komunitetin e Shkodrës. Pse duhej menduar që shkaktarët e ngjarjes ishin të dënuarit e arratisur dhe ata të ndëshkuar të trupës së policisë, kur në hapësirat e paraburgimit ndodhej trefishi i numrit më të mundshëm. Drejtuesit e Policisë përse e patën kaq lehtë të ndëshhkonin vartësit? Ishin këto mendësi që sollën pasoja të tjera të rënda, sidomos për familjen Daka. Nuk kaluan shumë ditë, kur kunata e Bujarit në moshën 20-vjeçe u helmua. U tha se kishte qenë në depresion, si pasojë e gjendjes së rëndë të krijuar në familje, të cilës s’pati mundësi t’i shpëtonte as burri i saj, Agimi. Një javë më pas, ai u gjend i vdekur në një zyrë të policisë së Komisariatit Nr.4, të Tiranës, ndonëse nuk kishte qenë banor i saj. Vdekja e Agimit më detyron të pyes, si dhe pse u ndodh aty, kur familja  kalonte këtë fatkeqësi?

Përgjigjia nënkuptohet, nuk u gjend rastësisht. Vëllanë e Bujarit e gjurmonte policia dhe familjes Daka i kërkohej dorëzimi i tij, duke u bërë presion pjesëtarëve të saj. Me Agimin u mendua mirë ku dhe si do “punohej”, në  Tiranë, veprim që s’mund të kryhej me iniciativën e dy titullarëve të komisariateve të policisë, natyrisht me urdhër të drejtuesve kryesorë të  ministrisë së Rendit. Rrethanat e vdekjes së Agim Dakës mbeten të paqarta, sepse ngjarje të tilla të ndodhura në mjedise policore, të shkaktuara nga efektivat e saj, gjithmonë janë mbuluar nga hije të errëta, që është tepër e vështirë t’i ndriçosh. Autorët nuk vihen para përgjegjësisë së ligjit, bile një ditë ndodhen në poste drejtuese. Asnjë profesionist policie, prokuror, kriminalist, apo mjek, etj., pjesëmarrës në hetimin e kësaj ngjarjeje, nuk mund të pranonte versionin e vetëvrasjes, kryesisht mbi shpjegimet e inspektorit të krimeve, të cilit aq më tepër i përkisnin zyra ku ndodhi ngjarja dhe arma pistoletë, me të cilën viktimës iu shkaktua vdekja. Ky version mbetej, nëse më parë ishte rrëzuar versioni i vrasjes me dashje direkte, indirekte apo aksidentale. Ndërsa për drejtorin e Policisë së Tiranës ishte më mirë t’u kërkonte falje prindërve, të afërmve, miqve, bashkëqytetarëve të Agim Dakës, i cili pasi ishte dhunuar, u ndodh në zyrën e policisë, i vrarë me armën e zjarrit të efektivit të saj. Ngjarja e Agim Dakës zgjidhej me objektivitet, nëse institucioni i procedimit nuk do të  mbështetej vetëm në të dhënat e policisë. Për fat të keq, në këtë rast dhe në raste të tjerë, në rrethana dhe mjedise që kanë lidhje me veprimtarinë e strukturave shtetërore, dhe në veçanti të policisë kanë shkaktuar viktima të pafajshme. Janë disa ngjarje që është cenuar autoriteti i saj. Me atributet e Policisë Gjyqësore, sipas Kodit të Procedurës Penale, të deleguara nga organi i Prokurorisë, çuditërisht hetojnë ekspertë, njëkohësisht oficerë të Policisë Gjyqësore, si pjesë e strukturave shtetërore, kur është i nevojshëm dhe mendimi i ekspertit të pavarur. Përsëri do pyes: Strukturat e shtetit në ministrinë e Drejtësisë dhe të Rendit, përse nuk i kishin larguar më parë të dënuarit nga dhomat e paraburgimit, por për një kohë të gjatë i mbanin në kushte të papranueshme, tepër të rënduara nga numri shumë i madh, ndërsa interesohen pas asaj ngjarje që ndodhi në familjen Daka dhe revoltave të paraburgosurve. Mundet të justifikohen, kur i kishin mundësitë për sistemimin më parë të tyre? Prandaj, opinioni shoqëror dhe në veçanti të afërmit e viktimës, i kanë kërkuar organit të prokurorisë, që me përgjegjësi profesionale e sidomos juridike, me ndjenjë të humanizmit qytetar, të saktësojë versionin e vërtetë, të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj vrasjeje enigmatike, të vërë para përgjegjësisë personat e këtij fundi tragjik, që shkaktoi dy viktima të pafajshme, në familjen “Daka”.

 

APELI

“Policia t’i shërbejë popullit!”

“...Policia është kthyer nga institucion i diktaturës më të egër të Europës, në institucion të shtetit ligjor”. Një vlerësim i tillë është bërë para disa kohësh prej kryeministrit Edi Rama. Një vlerësim që personalisht më ka indinjuar, edhe pse kanë kaluar disa vjet. Si polic i diktaturës, dua të saktësoj se kush ka qenë policia e brezit  tim dhe kush është policia tani. Pa mëdyshje, ne i kemi shërbyer me përkushtim dhe vetëm me ndërgjegje  të lartë popullit, sikurse është bërë edhe në mjekësi, me shqetësimin e përditshëm të mos shkelnim ligjin, të drejtat dhe liritë e personit. Dikur, kartotekat e policisë nuk mbanin shenjat e duarve për të gjithë qytetarët dhe as të personave të dënuar nga gjykatat me burgim të formës së prerë. Por vetëm të atyre që kishin kryer vjedhje jo të çdo lloji, apo krime ndaj jetës së personit. Ndërsa sot në kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike të personit, të çdo gjinie e moshe madhore, krahas disa gjeneraliteteve janë regjistruar dhjetë gishtat, edhe pse për identifikim të personit mjafton shenja e gishtit të kontrollit, si element identifikimi në praktikën policore ndërkombëtare. Sistemi që keni vendosur, ka si qëllim të kontrolloni njëkohësisht të gjithë shtetasit, të pasigurt sikur të jemi vrasës, grabitës, trafikantë, dhe më keq “terroristë”. Policia e diktaturës nuk njihte aspak “çimka” ndaj çdo personi, sepse nuk ekziston garancia në përdorim, por kryheshin vetëm për vrasjet dhe krime të rënda, kur duhej të saktësohej sa i vërtetë ishte informacioni. Nuk mund të kontrolloheshin bisedat e telefonisë fikse dhe as bë-hej fjalë për bisedat lëvizëse, ndërsa sot parlamenti miraton ligj për regjistrimin e numrit të telefonit lëvizës,  të përgjohet kushdo sa herë dëshiron dikush në pushtet. Në kohë të diktaturës nuk kishte policë në dyert e shkollave, për të kontrolluar lëndë narkotike, armë, etj., kurse në Shkollën e Riedukimt të Fëmijëve, edukatorët e saj oficerë të policisë, me arsimin pedagogjik mësonin, flinin, hanin, punonin e loznin bashkë me fëmijët, kur sot ju nuk keni vend të siguroni monstrat vrasëse të 13-vjeçarit të Beratit apo të Peshkopisë. Në më pak se 10 vjet, nga veprimet diletante dhe të papërgjegjshme të trupës së policisë, brenda dhe jashtë ambienteve të saj janë vrarë më shumë se 10 viktima të pafajshëm, duke shkelur konventat ndërkombëtare dhe Kushtetutën e vendit, ndërsa numri i viktimave të punonjësve të policisë, fatkeqësisht është më shumë se 20 herë më i madh”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: