DITA E PARË E PARLAMENTIT, SI PASQYRË E VITIT TË RI POLITIK – OPINION NGA ALFRED PEZA

DITA E PARË E PARLAMENTIT, SI PASQYRË E VITIT TË RI POLITIK – OPINION NGA ALFRED PEZA

Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

"Nuk ka nevojë të pish gjithë butin, për të provuar verën; mjafton një gotë". Kjo shprehje e njohur popullore, i shkon më së shumti, edhe asaj se çfarë ka ndodhur në të hënën e 3 shtatorit, në ditën e parë të nisjes së sesionit të ri parlamentar. Mënyra sesi u qasën, sesi u sollën dhe si u pozicionuan të dyja palët, në raport me ditën e parë të vitit të ri politik dhe parlamentar, përbën edhe miniaturën më besnike të asaj që do të shohim në realitetin e këtij viti elektoral.

Le të jemi më të qartë dhe le ta shpjegojmë në mënyrë më konkrete, të gjithën këtë që sapo parashtruam.

E gjitha çfarë shumica dhe opozita performuan publikisht ditën e parë të rikthimit të jetës parlamentare, ishte paralajmëruar në njëfarë mënyre edhe përgjatë gjithë muajit gusht. Sidomos përgjatë ditëve të fundi të pushimeve verore, atëherë kur konferencat e shtypit nga selia e PD-së dhe deklaratat më së shumti virtuale nga rrjetet sociale të LSI-së, parathonin një shtator edhe më “të nxehtë” se vera “sahariane” e këtij viti. Për rrjedhojë, kjo ishte edhe preambula e një viti politik të tillë gjithashtu.

PS-ja e nisi të hënën me një mbledhje të Kryesisë, që në orën 09.00, duke u fokusuar tërësisht tek çështjet e saj të brendshme organizative, në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme lokale të qershorit të ardhshëm. Mesazhi që u dha në përfundim të saj ishte se mazhoranca qeverisëse do ta thellojë aleancën me qytetarët dhe se nuk do t’u përgjigjet atyre që ajo i konsideroi si shpifje të opozitës. Duke mos e përjashtuar mundësinë e dialogut konstruktiv me të për çështje në interes të vendit dhe shqiptarëve.

Ndërsa PD-ja dhe LSI-ja, e bojkotuan seancën e orës 17.00 në Parlament, duke e zhvendosur takimin e dy grupeve parlamentare të opozitës në të njëjtën orë, në kryeqendrën e veriut. Atje ku ditët dhe javët e fundit janë regjistruar disa ngjarje të rënda kriminale. Ndërkohë që Lulzim Basha deklaronte se kryeministri nuk duhej të ishte në Parlament në Tiranë, por duhej të ishte bashkë me të në Shkodër, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, deklaroi se vendi i shefit të opozitës ishte në sallën e të zgjedhurve të popullit.

Ekranet e televizioneve informative ishin ndarë në mes dhe jepnin njëkohësisht edhe seancën plenare të Parlamentit në Tiranë, edhe takimin e jashtëzakonshëm të përfaqësuesve të opozitës në Shkodër. Herë fjalën e përfaqësuesve të qeverisë që akuzonin se nga Shkodra po tentohej “të "nxihej” imazhi i Policisë së Shtetit dhe herë fjalën e Lulzim Bashës, që fliste për kriminalizimin e pushtetit të mazhorancës, të bërë "njësh me krimin”.

Pse kjo qasje?

Bojkoti i seancës së parë të Kuvendit, nga ana e përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ishte një gjest, një hap, një sinjal konkret politik që rreket të përcaktojë qartë që në fillim, sjelljen e saj përgjatë gjithë këtij viti elektoral që kemi përpara. Një sjellje që parathotë një mënyrë sjellje "in extremis" në javët dhe në muajt në vijim, deri në fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e pushtetit vendor.

Për PD-në me një krye Lulzim Bashën, këto janë zgjedhjet "e treta, të vërteta", pasi dy të parat, qoftë zgjedhjet lokale të 2015-ës e më pas, edhe ato të përgjithshme parlamentare të 2017-ës, ajo i humbi thellësisht përballë mazhorancës PS+LSI. Humbja për herë të tretë me radhë e demokratëve, përballë PS-së së vetme tashmë, do të ishte një goditje shumë e madhe për ata vetë, gjë që do të përbënte një goditje dramatike për vazhdimësinë e një opozite të gjatë dhe rraskapitëse. Një skenar, që nuk jepte siguri për rikthimin në pushtet në vitin 2021.

Ndërsa për LSI-në, këto janë zgjedhjet e para të rikthimit në opozitë, pas tetë viteve të kaluara në qeverisje. Duke u bërë në këtë mënyrë, një provë e vërtetë zjarri për mbijetesën në kushtet e reja, aq më tepër, po të kemi parasysh se mbështetja e deridjeshme për të varej më së shumti nga ideja e krijuar se LSI-ja, ngado që të rrotullohej timoni i pushtetit, do të qëndronte gjithmonë mbi anijen e qeverisjes. Një fitore për koalicionin opozitar do të ishte një inkurajim i madh. E kundërta do fillonte të vinte seriozisht në pikëpyetje mbijetesën për në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të pas tre viteve.

Çfarë do ndodhë më pas?

Të gjendur përballë kësaj situate, në kushtet kur PS-ja dhe Edi Rama qeverisin "të pashqetësuar" të vetëm në "aleancë" me qytetarët, opozita po kërkon që të gjejë një kalë të vërtetë "race" për betejën që mesit të 2019-ës, të cilën mesa duket e konsideron jetike për të ardhmen e saj politike. Jo vetëm për shkak të llogarive elektorale, por edhe për shkak të efekteve që pritet të thellojë edhe më tej, implementimi i reformës në drejtësi dhe pritshmëria e marrjes së datës për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, në qershor.

Kjo është arsyeja që opozita deklaroi nga Shkodra, në përfundim të takimit të jashtëzakonshëm atje, se do shpalosë platformën e saj "për çlirimin e qeverisë nga krimi", duke iu rikthyer nga ana tjetër, specialitetit të vjetër të mospjesëmarrjes së rregullt nëpër mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Fakti se opozita deklaroi këtë platformë të re, që mund të konsiderohet edhe si dokumenti i saj më i rëndësishëm politik për vitin e ri elektoral, tregon se ajo ende nuk është e përgatitur siç duhet, për hapat që thotë se do të ndërmarrë në vijim. Nga njëra anë, opozita e trash zërin duke dashur të demonstrojë verbalisht "muskujt" e saj. Por nga ana tjetër, fakti që ajo na tregoi se sapo improvizoi sërish, e bën atë të pabesueshme se aksioni i kësaj radhe do të jetë i ndryshëm nga tjerët. Për rrjedhojë, edhe fundi i tij, nuk ka si të mos ketë fatin e aksioneve të mëparshme.

Përfundimi

Përtej të gjitha detajeve të kësaj analize, një gjë është e qartë tashmë: Më shumë sesa një vit të ri politik apo parlamentar, në Shqipëri më 3 shtator 2018, sapo ka startuar një vit i ri elektoral. Sinjali për nisjen e kësaj "maratone" të re politike, sapo u dha. Palët janë pozicionuar qartazi tashmë. E bashkë me fillimin e garës, kanë nisur të përvijohet edhe ritmi, edhe mënyra sesi do të garojë gjithësecili deri në finish.

Përgjatë rrugës së gjatë të kësaj gare, mund të ketë edhe thyerje te rregullave të lojës, apo goditje poshtë brezit. Në një lojë si kjo, aq më tepër në një nivel demokracie si jona, "kampionati" i lejon deri në njëfarë mase edhe këto. Mjafton që arbitri të mos i përjashtojë me kartonin e kuq dhe në fund, le të fitojë më i miri.     

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: