DEGJENERIMI I “INSTITUCIONIT” TË VETTING-UT POLITIK NË SHQIPËRI - OPINION NGA ALFRED PEZA

DEGJENERIMI I “INSTITUCIONIT” TË VETTING-UT POLITIK NË SHQIPËRI - OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Paralel me depozitimin në Parlament të një nisme ligjore të PD-së në emër të opozitës shqiptare, për të institucionalizuar procesin e vetingut në politikën shqiptare, në media dhe nga selitë e partive, pa pritur fundin se çfarë do të bëhet me të, ka nisur lufta. Një luftë, e cila me këto ritme, me këto tone dhe me këtë intensitet, rrezikon që të infektojë përfundimisht gjithë klimën e shoqërisë.

E si të mos mjaftonte kjo "zjarrmi" që shpërndan tym e flakë plot tërsëllima gjithandej, rrezikon që të degjenerojë vetë procesin e vetingut politik. I cili duhet të jetë një proces natyror institucional pas reformës në drejtësi. Pas pastrimit të sistemit të drejtësisë dhe policisë, vetingu i klasës politike dhe drejtuesve të administratës shtetërore nga të korruptuarit dhe lidhjet e tyre okulte me botën e krimit, është një etapë tjetër drejt strategjisë së europianizimit të vendit.

Vetingu institucional

Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e thënë kjo me gojën e zv/Ndihmës-Sekretares së Shtetit, Elisabeth Millard, çelësi për realizimin e vetingut në politikën shqiptare, është ngritja dhe funksionimi i SPAK-un dhe i BKH-së. Të dyja këto, janë institucionet që do të ngrihen nga e para, si pjesë e pushtetit të drejtësisë së re. "Mendoj se ato do të jenë institucione kyçe, të cilat ndërsa do mund të bëjnë punën e tyre të rëndësishme, do të ndihmojnë që të shohim përparim thelbësor në këtë fushë të rëndësishme, - u shpreh Millard në Tiranë. Ngritja e këtyre dy institucioneve, që presupozohet se do të kenë në fokus të punës dhe veprimtarisë së tyre, pikërisht hetimin e thelluar të krimit të jakave të bardha dhe kollareve, është ajo që konsiderohet si vetingu penal. Një proces ky, i cili vjen pas vetingut administrativ nëpërmjet KPK dhe KPA, të cilit po i nënshtrohen sot 800 gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë.

Kjo është rruga institucionale dhe kushtetuese, nëpër të cilën pritet të kalojë vetingu i politikës shqiptare në të ardhmen jo edhe aq të largët. Ndërkohë që opozita jonë, ka propozuar një proces jashtë sistemit të ri të drejtësisë, duke kërkuar një komision të ekspertëve “të pavarur".

Këtë propozim, mazhoranca parlamentare ka deklaruar dhe duket e vendosur për këtë, që ta dërgojë për dhënie mendimi në Komisionin e Venecias. Ndërkohë, që opozita e kundërshton këtë hap, ku i vetmi argument i saj për këtë është që jemi në emergjencë dhe qeveria e Edi Ramës ka frikë dhe ndaj po e përdor Venecian si manovër për të fituar kohë. Ky institucion prestigjioz ndërkombëtar ka asistuar në vijimësi, të gjitha projekt-ligjet dhe reformat e rëndësishme kushtetuese të Shqipërisë.

Vetingu popullor

Ajo që opozita jonë kërkon ta quajë veting politik, nuk është gjë tjetër deri tani, veçse një aksion i radhës, që mesa duket ka si moto dhe si filozofi të saj fundore thënien: “Zhurma gjithçka, thelbi asgjë!”. Sepse në vend të rrugës institucionale e parlamentare, ajo ka zgjedhur një rrugë tjetër. Rrugën e realizimit të një "vetingu popullor", nëpërmjet denoncimit publikisht të një liste që sa vjen e zgjatet emrash të kundërshtarëve politikë. Vetingu popullor nuk është gjë tjetër në këtë rast, veçse përpjekja për të luajtur jo me të vërteta juridike, kushtetuese dhe ligjore. Por me “të vërteta” politike, për një luftë verbale të pashembullt, që synon jo vendosjen e drejtësisë. As forcimin e institucioneve dhe shtetit ligjor. E aq më pak pastrimin e politikës nga të inkriminuarit e vërtetë, nga të korruptuarit e vërtetë dhe nga lidhjet reale të krimit me politikën. Aksioni i fundit politik i opozitës duket se synon realizimin e përbaltjes me çdo mjet e çmim të kundërshtarit, nëpërmjet një lufte të pashembullt verbale. Një fushatë, ku vetingun politik që duhet të bëhet nga institucionet deri në marrjen e ndëshkimit të merituar ligjor dhe penal të të gjithë fajtorëve të vërtetë, po mundohet ta zhvendosë artificialisht jashtë sistemit. Duke dashur që ta nxjerrë këtë proces në rrugë. Në selitë e partive. Në sallat e konferencave të shtypit. Në studiot televizive. Në faqet e gazetave. Në rrjetet sociale. Në mediat online. Në vend të gjyqit juridik, po tentohet që politikanëve t’u bëhet një gjyq popullor. Në vend të një procesi juridik, kundërshtarëve po mundohen që t’u bëjnë një gjyq publik. Në vend të një procesi administrativ, "armikut politik" po tentohet që t’i bëhet një gjyq verbal. Në vend të një procesi penal, kampit politik përballë po mundohen që t’i bëhet një gjyq kolektiv.

Të gjitha këto dhe të tjera si këto, janë sjellje politike tipike populiste. Gjë që tregon se gjithçka po bëhet thjesht dhe vetëm për propagandë. E për rrjedhojë, për qëllime përfitimi politik dhe elektoral të terma afatshkurtër. Kurrsesi, për qëllime afatgjata, që synojnë goditjen e fenomenit me themel e pastrimin e politikës shqiptare në sistem, për qëllime të reformimit të thellë. Veti këto të reformave të thella strukturore, me efekte afatgjata, që sigurojnë shtetformimin funksional e modern.

Përfundimi

Ka një shprehje të njohur në politikën italiane, sipas së cilës rruga më e lehtë për të mos e hetuar një skandal, një ngjarje, një fenomen apo një çështje, është të ngresh një komision parlamentar hetimor. Siç është treguar edhe nga praktika në Shqipëri, kjo rrugë e çon një çështje ose drejt banalizimit, zhbërjes, prishjes së provave, ose drejt mbylljes dhe harresës.

Për analogji, edhe lënia e realizimit të procesit të vetingut politik, në dorë të klasës politike, liderëve politikë dhe partive politike, nuk bën gjë tjetër, veçse e shtyn këtë proces drejt kalendave greke. Ose e zhbën krejtësisht atë, nëpërmjet banalizimit dhe degjenerimit të "institucionit" të vetingut në Shqipëri. Ndaj, që pastrimi i klasës politike të ndodhë nesër, ashtu siç pastrimi i sistemit të drejtësisë po ndodh sot, duhet t’ia heqim politikës këtë "lodër të rrezikshme" nga duart. Duke e kaluar këtë proces jetik për fatet e demokracisë në Shqipëri, nga selitë e partive dhe rruga, brenda institucioneve të drejtësisë së re dhe të reformuar plotësisht nga themelet.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: