DEBATI/ Dëmshpërblimet, ish-të përndjekurit: Jemi kundër  ndryshimeve në ligj!

DEBATI/ Dëmshpërblimet, ish-të përndjekurit: Jemi kundër  ndryshimeve në ligj!
Qeveria insiston në pagesën e asaj që e cilëson kategori parësore, pra të ish-të përndjekurve që janë ende gjallë. Por ish-të përndjekurit reagojnë duke kërkuar që të mos harrohet as dëmshpërblimi për kategorinë e trashëgimtarëve të tyre

 Ndërhyrja në ligjin ekzistues “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, është shoqëruar me debate dje në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, teksa ministri Arben Ahmetaj, i gjendur përballë deputetëve dha sqarime për zbatimin e tij. “Ne do të vijojmë për të paguar të gjithë kategorinë parësore”, ka deklaruar ai. Duke nënkuptuar në këtë mënyrë, se qeveria do të synojë të paguajë ata të burgosur që janë gjallë, ndërsa trashëgimtarët do të vijnë pas tyre, duke u konsideruar si kategori dytësore.

Pikërisht, për këta të fundit, i pyetur nga deputetët nëse është normale që dëmshpërblimi për këtë kategori të shkojë deri te trashëgimtarët e largët, Ahmetaj u shpreh se shqetësimi është i drejtë, pasi më shumë duhet të investohet për të ardhmen.

“Paratë duhet të shkojnë te rrethi i parë, që janë lidhur direkt me ata që kanë vuajtur. Më pas të fillojmë të shtojmë radhët e mendoj se do të duhet të kemi një trajtim më të kujdesshëm. Pasi në këtë vend, po të hapemi me politika dëmshpërblyese si këto, ku nuk kanë cak, do bëjmë që edhe brezat e 100 viteve që vijnë të punojnë për brezat e 100 viteve të shkuara. Sot ka akoma shumë shpenzime që i kthehen të kaluarës. Trashëgimtarë të rrethit të parë janë, gruaja, djali vajza, janë 11 mijë dosje”, deklaroi ai. Duke vijuar me dhënien e shifrave konkrete, të tilla si pagesa e 178 milionë dollarëve për kategorinë e ish-të përndjekurve politikë.

“Përsa i përket këstit të nëntë, janë edhe 1200 subjekte parësore dhe jo parësore. Deri tani kanë marrë 70 milionë dollarë. Me 262 subjektet e radhës mbyllet kësti i nëntë. Me këtë mbyllet kategoria parësore”, sqaroi ndër të tjera Ahmetaj. Por çfarë mendojnë rreth kësaj strategjie të re të qeverisë për dëmshpërblimet përfaqësues të shtresës së ish-të përndjekurve politikë? “Albanian Free Press” ka marrë mendimin e dy prej tyre...

 

"Dëmshpërblim për të gjithë, jo vetëm atyre që janë gjallë"

INTERVISTA/ Flet z. Besim Ndregjoni, presidenti i Unionit të ish-të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë

Cili është vlerësimi juaj për ndryshimet e reja në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve ..”. Si i shihni ato. Ai jepet vërtet zgjidhje problemit të dëmshpërblimit, siç pretendohet nga qeveria?

Dëmshpërblimi është ligj. Dhe për atë nuk ka as “parësorë” dhe as “fundorë”. Ligji vetëm zbatohet. Përndjekja politike ka përfshirë 35%-40% të popullsisë shqiptare gjatë 50 viteve diktaturë. Shumica, mbi 6 mijë e ca vetë janë pushkatuar, që u kanë humbur edhe varret, të cilët para vitit ’45 as nuk i njohin për dëmshpërblim. A kemi të bëjmë me një ministër që njeh Kushtetutën, apo që nuk e njeh atë dhe bën një vendim politik, ideologjik dhe urrejtës ndaj kësaj shtrese? Kushtetuta e ka përcaktuar me ligj trashëgiminë si të tillë dhe nuk mund ta cënojë atë një ministër apo një VKM. Pa diskutim, që duhen dëmshpërblyer edhe trashëgimtarët. Sepse dënimin e ka vuajtur çdo familje, edhe ato kanë kaluar direkt në persekutim. Dhe dëmshpërblimin për to e japin të gjitha konventat ndërkombëtare, ajo është një e drejtë ndërkombëtare. Sepse ato janë përçudnuar në të gjitha aspektet e të drejtave themelore të njeriut. Por këta duan të persekutojnë edhe trashëgimtarët.

 

Në fakt, shumë vite kanë kaluar dhe qeveritë nuk po i japin dot zgjidhje çështjes së dëmshpërblimit.

Jo, jo. Qeveritë e shkuara e kanë njohur dëmshpërblimin si të tillë, nuk kanë dalë me vendime për të mos e njohur, pavarësisht se ato nuk e kanë dhënë, sipas tyre për arsye financiare etj, por nuk kanë selektuar kategori të veçanta.

 

Çfarë dëmshpërblimesh ka përfituar kategoria e ish-të përndjekurve gjatë viteve të qeverisë “Rama”?

Qeveria “Rama” ka dhënë vetëm dy këste, për 500-600 vetëve që janë gjallë, të burgosur, dhe që krenohet me një gjë të tillë. Kurse trashëgimtarëve, u ka dhënë vetëm këstin e parë dhe thotë që do jap të dytin, për nja 300 veta, lista e të cilëve ka kohë që qarkullon. Kurse qeveria “Berisha” ka dhënë dy këste për të gjithë, si për trashëgimtarët dhe ata ish-të persekutuar që janë gjallë. Kurse kësti i tretë nuk është dhënë që nga viti 2010.

 

Sa është në total numri i trashëgimtarëve të kategorisë së ish-të përndjekurve në rang vendi?

Në fakt, ata nuk numërohen si individë. Por si familje. Nuk mund të të jap një shifër ekzakte të tyre. Gjithsesi, janë 36 mijë familje në rang vendi të përndjekurish dhe janë 6 mijë e ca të pushkatuar. Asnjëri prej tyre nuk ka fituar asgjë nga qeveria “Rama”, vetëm të burgosurit që janë gjallë, të cilët janë rreth 1500-200 të tillë.

 

"Fundi i vendimeve komuniste, kundër ish-të përndjekurve"

Flet Kurt Kola, kryetari i partisë “Rruga e Lirisë”

“Ky është fundi i vendimeve komuniste që janë marrë gjatë 27 viteve. Është fundi i të gjithave, që janë marrë kundër shtresës së ish-të përndjekurve politikë . Pas fyerjes më të madhe që është sot për burgun e Tepelenës, vjen edhe kjo e radhës me këtë vendim për dëmshpërblimin. Sepse kur kanë miratuar ligjin për dëmshpërblimin e të pushkatuarve dhe të të burgosurve, kanë përcajtuar edhe për të internuarit, 1 mijë lekë ditën. Por sot e kësaj dite, ky fond nuk është haour dhe askush nuk ka marrë asnjë lek askush. Flas për internimin. Vijmë tek trashëgimtarët. Po pse t’ua japin të pushkatuarve dhe të burgosurve, për 8 apo 10 vjet, kur pjesa më e madhe e tyre ka vdekur? Dhe ish-anëtarëve të Byrosë politike ua kanë dhënë menjëherë dëmshpërblimin për burgun që kanë kryer, me miliona lekë? Ndërsa atyre trashëgimtarëve ua japin një herë në tre vjet dhe kur të vijë puna për ta përfituar atë njëherë e mirë, ata do të kenë vdekur të gjithë. Kanë kaluar 27 vjet nga ndryshimi i regjimit dhe trashëgimtarët kanë marrë një këst, një pjesë ka marrë dy këste dhe një pjesë nuk ka marrë asnjë këst akoma. Dhe me vendimin e ri përjashtohen me nipër e mbesa, që në fakt, kanë të drejtë ta përfitojnë dëmshpërblimin. Një masë që ne e arritëm me protesta dhe me djegie me benzinë, derisa e futën në ligj, por ata po e heqin nga ligji”.

 

REAGIMI

PD: Krimi i dytë ndaj të përndjekurve

Sipas Partisë Demokratike, ndryshimi i radhës i ligjit bëhet vetëm për të shtyrë në kohë dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Sipas deputetes Jorida Tabaku, ulja e fondit është bërë që në buxhetin e këtij viti. “Ndryshimet e fundit ligjore janë vetëm një shtyrje e pagimit të detyrimit për të përndjekurit politikë. Reflektimi i ndryshimeve të fundit të këtij ligji është bërë që me buxhetin e këtij viti. Qeveria në vend që t’i paguante ata 12-15 milionë euro, këtë vit ka llogaritur një fond prej 2.2 milionë euro. Ky është krimi i dytë që bëhet ndaj të përndjekurve”, u shpreh Jorida Tabaku.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: