Daja-Shehi, në Vlorë “nxënësi” kundër “mësuesit”

Daja-Shehi, në Vlorë “nxënësi” kundër “mësuesit”
Në javën e katërt të Superiores përballen dy kryesueset. Flamurtari drejtohet nga Ilir Daja dhe korçarët nga Orges Shehi, ish-trajneri dhe ish-kapiteni i Skënderbeut gjatë sezonit të fundit

Aranit Muraçi

Me përfundimin e dy ndeshjeve të Kombëtares në Ligën e Kombeve, futbolli shqiptar rikthehet në fundjavë me ndeshjet e radhës. Në Kategorinë Superiore do të luhen ndeshjet e javës së katërt, ku spikasin dy takime: Flamurtari-Skënderbeu, ndeshje që vendos fatet e kryesimit dhe Tirana-Luftëtari, ndeshje që përcakton ekipin që do të mbetet në fund të klasifikimit. Po aq të rëndësishme këto dy ndeshje do të jenë edhe për katër trajnerët e ekipeve respektive.

Flamurtari-Skënderbeu

Me nga 7 pikë secila dhe kryesuese të momentit, pas tre ndeshjeve të para dhe me ambicie për të fituar titullin kampion, në mbyllje të javës së katërt Flamurtari pret Skënderbeun në Vlorë. Ilir Daja, trajneri që shpalli kampion Skënderbeun në sezonin e fundit, u largua gjatë verës nga Korça dhe drejton Flamurtarin për të arritur të njëjtin sukses me ngjyrat e këtij ekipi. Përballë ai gjen si koleg edhe “nxënësin e tij”, ish-portierin dhe kapitenin e Skënderbeut gjatë sezonit të shkuar, Orges Shehin. Ky i fundit për “Albanian Free Press”, tha se ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera me Dajën, por tashmë ka nisur një karrierë të re në një ekip që ka të njëjtat pretendime. “Ndoshta në këtë aspekt do të jetë më e veçantë ndeshja në Vlorë. Karrierën time tani si trajner dua ta mbyll me të njëjtin sukses që kisha si lojtar dhe kapiten i Skënderbeut. Ne kemi ndërtuar një skuadër të denjë për të mbrojtur titullin kampion. Kampionati është gjatë ndërsa besoj se fillimi i mbarë do ta na ndihmojë të ecim drejt synimeve tona.”

Tirana-Luftëtari

Do të jetë më shumë se një duel për t’i shpëtuar fundit të klasifikimit, edhe një sfidë mes trajnerësh. Dy trajnerët e huaj, Ze Maria i Tiranës dhe Milosh Koshtiç kanë marrë besimin e klubit pas ecurisë së dobët në tre javët e para për të kapërcyer krizën, ku si shans i fundit shihet pikërisht përballja mes tyre. Tirana ka një pikë dhe Luftëtari ende asnjë pikë, çka kjo ndeshje pritet të vendosë edhe fatin e dy trajnerëve të huaj në klubet shqiptare të Kategorisë Superiore.

Kategoria Superiore/

Java e 4-ët/15 shtator

Kamza- Kastrioti

Teuta-Kukësi

16 shtator/ Laçi-Partizani

Tirana-Luftëtari

17 shtator /Flamurtari-Skënderbeu

Shpërndajeni me miqtë tuaj: