Check up, çfarë analizash dhe mjekimesh duhet të përmbajë një kontroll

Check up, çfarë analizash dhe mjekimesh duhet të përmbajë një kontroll
Realizimi i një kontrolli periodik është i rëndësishëm edhe nëse nuk jeni të sëmurë, dhe ka për qëllim të përcaktojë statusin tuaj shëndetësor, për të zbuluar shenjat e hershme të sëmundjeve kur shanset për trajtim dhe shërim janë më të mira, për të mësuar në lidhje me rreziqet që ju mund të keni për shkak të historisë familjare, identifikimin e faktorëve te rrezikut për sëmundjet e zakonshme kronike

Sonila Isaku

Check up  është një kontroll bazë mjekësor për shëndetin, i cili tregon parametrat e trupit tonë si dhe shërben për të parandaluar sëmundjet që në fazat e para. Check-up është një term ndërkombëtar. Po ta përkthejmë në shqip është kontrolli mjekësor periodik diagnostik, një pjesë shumë e rëndësishme e kujdesit shëndetësor.

Përse shërben?

Në Shqipëri, kryerja e kontrollit mjekësor ka nisur përgjatë 20 viteve të fundit. Ndërkohë që, nga viti 2016, ai ofrohet falas për të gjithë grupmoshat nga 35-70 vjeç.  Por për çfarë është i rëndësishëm ky kontroll bazë? Realizimi i një kontrolli periodik është i rëndësishëm edhe nëse nuk jeni të sëmurë, dhe ka për qëllim të përcaktoj statusin tuaj shëndetësor, për të zbuluar shenjat e hershme të sëmundjeve kur shanset për trajtim dhe shërim janë më të mira, për të mësuar në lidhje me rreziqet që ju mund të keni për shkak të historisë familjare, identifikimin e faktorëve te rrezikut për sëmundjet e zakonshme kronike, zbulimin e sëmundjeve që nuk kanë simptoma të dukshme dhe menaxhimin sa më të lehtë të sëmundje që keni tani. Pra, shërben për të parë se ku jemi me parametrat jetësore të trupit dhe si funksionon organizmi ynë. Pothuajse, çdo çrregullim shëndetësor që do të gjenerojë më vonë në një sëmundje, shfaqet në rezultatet e kontrollit check-up, si prishje e ekuilibrave biokimik. Nëpërmjet tij, mjeku do jetë në gjendje t’ju tregojë mënyrën me të cilën ju mund të parandaloni problemet shëndetësore prej përkeqësimit në të ardhmen, duke ndryshuar disa prej zakoneve ditore, dietës ushqimore ose mjekimit.

Ky kontroll përfshin vizitat te mjeku, ekzaminimet imazherike bashkë me analizat e detajuara të gjakut dhe urinës, plotësojnë një paketë të plotë check-up, që kanë për qëllim parandalimin, zbulimin e hershëm dhe diagnozën e sëmundjeve të ndryshme.

Çrregullimet

Pacientët në përgjithësi paraqiten te mjeku vetëm atëherë kur sëmundja është shfaqur me gjithë simptomat e saj. Në këtë fazë, shërimi është më i vështirë, ndonjëherë i pamundur. Duke patur një ekzaminim të përvitshëm, mjeku është në gjendje të kontrollojë faza të hershme të një sëmundjeje, ndonëse pa simptoma të dukshme fizike, por që mund të manifestohet fillimisht me abnormalitet biokimik, i konstatuar nëpërmjet analizave laboratorike. Për shembull, niveli i lartë i sheqerit ose i kolesterolit, shpesh nuk shfaqet me ndonjë simptomë, derisa sëmundja të ketë avancuar. Për të kapur herët këto çrregullime të organizmit, duhet që të gjithë të kontrollohemi të paktën një herë në vit. Sa më shpejt të merrni këshilla ose mjekim për sëmundje serioze, aq më tepër shanse do të keni për të shmangur efekte anësore madhore.

 

Analizat dhe ekzaminimet  për femrat

Për të kryer një check-up, fillimisht duhet patur parasysh gjinia si dhe faktori moshë. Kështu, për një femër nën 40 vjeç, duhet të kryhen analiza laboratorike si :Hemogram, Sedimentacioni, urinë komplet, glicemia, azotemia, kreatinina, acidi urik, ALT, AST, lipidogrami, HBsAg, Ac. Anti-HIV duo, Ac. Anti HCV. Po kështu, ekzaminime dhe vizita të tjera të rëndësishme, janë: vizita gjinekologjike + Pap test;  EKG; rëntgeni i mushkërive; ultratingulli i gjirit; ultratingulli i abdomenit; konsultë me Psikologun Klinik

Për femrat mbi 40 vjeç, këshillohen analizat laboratorike duke përfshirë:Hemogram, Sedimentacioni, urinë komplet, glicemia, azotemia, kreatinina, acidi urik, ALT, AST, Lipidogrami, HBsAg, Anti-HIVduo , Ac. Anti HCV , feçe gjak okult. Sa i takon ekzaminimeve dhe vizitave, ato duhet të jenë: vizita gjinekologjike + Pap test; EKG +Stress Test; rëntgeni i mushkërive; ultratingulli i gjirit; ultratingulli i abdomenit; mamografia; konsultë me Psikologun Klinik

Analizat dhe ekzaminimet  për meshkujt

Sa i takon meshkujve, është e njëjta ndarje për moshën. Kështu, për meshkujt nën 40 vjeç check-up duhet të përmbaje analiza laboratorike si: Hemogram, sedimentacioni, urinë komplet, glicemia, azotemia, kreatinina, acid urik, ALT, AST, Lipidogrami, HBsAg, Ac.Anti-HIVduo , Ac.Anti HCV. Ndërkohë për vizita dhe ekzaminime duhet të kryhen:  EKG; rëntgeni i mushkërive; ultratingulli i abdomenit; konsultë me Psikologun Klinik.

Kurse për meshkujt të cilët e kanë kaluar moshën 40-vjeçare, check-up duhet të përfshijë analizat laboratorike : Hemogram, Sedimentacioni, urinë komplet, glicemia, azotemia, kreatinina, acid urik, ALT, AST, Lipidogrami, HBsAg, Ac.Anti-HIVduo , Ac.Anti HCV, fece gjak okult, PSA totale. Kurse tek vizitat dhe ekzaminimet personi duhet ti nënshtrohet: EKG +Stress Test; rëntgeni i mushkërive; ultratingulli i abdomenit; konsultë me Psikologun Klinik

Këshilla

Para se të paraqiteni për një check-up, duhet paraprakisht të caktoni një takim me mjekun. Në ditën e kontrollit duhet të paraqiteni në spital në mëngjes, pa konsumuar ushqim, si dhe të sillni me vete rezultate të kontrolleve të mëparshme, nëse dispononi. Gratë shtatzëna duhet patjetër ta vënë në dijeni mjekun për shtatzëninë e tyre, para se të fillojnë procedurën check-up.

Personi që kryen check-up është mirë të vishet lehtë, me rroba të rehatshme, që t’i lejojnë lëvizshmëri në rast prove ushtrimore-Stress test, EKG, echo etj.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: