Chartera që shkojnë, chartera që vijnë... trendi i ri i turizmit

Chartera që shkojnë, chartera që vijnë... trendi i ri i turizmit
Fluturime me charter drejt Shqipërisë, por edhe për t’u larguar prej saj. Një trend i ri i turizmit, që duket se është përforcuar edhe më shumë gjatë sezonit të sivjetshëm. E konfirmuar kjo edhe nga ekspertët e Aviacionit Civil, sipas të cilëve, ai ka mbizotëruar gjatë kësaj vere. Konkretisht sipas tyre, vetëm gjatë muajit korrik u shënua një rritje deri në 65.80% e pasagjerëve që kanë zgjedhur charterin si mjet për të ardhur, apo për t’u larguar nga vendi ynë me pushime, krahasuar me vitin e kaluar. “Ndryshimet e fluksit të lëvizjes së pasagjerëve që udhëtojnë me fluturime charter në muajin korrik 2018 shkojnë deri në 79.311 pasagjerë”, citojnë ata. Duke shtuar se kjo ka ndikuar në një rritje deri në  42.25% të fluksit total të pasagjerëve. “Numri i pasagjerëve që fluturojnë me charter ka pësuar një rritje nga viti në vit ndaj totalit të pasagjerëve. Por në vitin 2018, kjo është më e dukshme, pasi ky lloj fluturimi ka zënë 23% të totalit, ndërkohë që në vitin 2017 ka qenë vetëm 16% dhe në 2016-tën 15%”, sqarojnë më tej ekspertët. Ndërsa lidhur me faktin nëse janë më shumë të huaj që vijnë me charter në vendin tonë, apo shqiptarë që ikin jashtë, Aviacioni Civil jep përgjigjen se të parët ua kalojnë të dytëve, respektivisht me shifrat prej 40.721 dhe 38.590 pasagjerë, vetëm gjatë muajit korrik. Nga ana tjetër, sa u përket destinacioneve që transporti ajror në Shqipëri ka njohur gjatë kësaj vere, ekspertët japin dy vende kryesore: Të parën Italinë dhe të dytën pas saj, Turqinë. “Duke përjashtuar fluturimet charter, Italia vazhdon të zotërojë përqindjen më të madhe të tregut të transportit ajror për muajin korrik 2018, duke zënë 45% të totalit, e ndjekur më pas nga Turqia me 9%”, argumentojnë ata.

23%

Të totalit të fluturimeve gjatë kësaj vere e kanë zënë ato me charter, në rritje nga niveli prej 16% që ishin vitin e kaluar dhe 15% në vitin pararendës 2015

79.311

Pasagjerë udhëtuan duke zgjedhur fluturimin charter vetëm gjatë muajit korrik, ku ata të huaj drejt vendit tonë ishin më të shumtë se shqiptarët që iknin jashtë tij

 

Ekspertët: Fluturimi nga ajri, me një ecuri në rritje nga viti në vit”

“Kemi një tendencë në rritje të tregut të pasagjerëve që udhëtojnë nëpërmjet ajrit, vit pas viti”. Ky është një tjetër konfirmim tjetër zyrtar që ekspertët e Aviacionit Civil japin mbi trendet e udhëtimit të të huajve që vijnë drejt Shqipërisë, por edhe të vendasve që largohen prej saj.  “Muaji korrik karakterizohet nga një fluks në rritje i pasagjerëve që udhëtojnë nëpërmjet transportit ajror. Shifrat referojnë një numër prej 345.910 pasagjerësh, të cilët kanë udhëtuar gjatë kësaj periudhe, ku 79.311 prej tyre u janë drejtuar linjave charter. “Në tërësi, rritja e trafikut të pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” përgjatë muajit korrik 2018 ka qenë në nivelin prej +18%, krahasuar me korrikun e vitit 2017”, saktësojnë më tej ekspertët. Dukuri këto që janë konfirmuar në fakt vazhdimisht edhe nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit, gjithmonë e më të shumtë janë turistët që po zgjedhin fluturimet nga ajri, ndryshe nga kohë më parë kur transporti tokësor dhe ai ditor ishin kryesorët për vendin tonë, qoftë për të ardhur drejt tij, por edhe për të dalë në të njëjtën kohë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: