BREXIT NË NJË RRUGË PA KRYE? - ANALIZË NGA BERND RIEGERT

BREXIT NË NJË RRUGË PA KRYE? - ANALIZË NGA BERND RIEGERT
Nga Bernd Riegert

Negociatat e Britanisë së Madhe me BE për Brexit-in ndodhen në një rrugë pa krye. Këtë nuk e thotë kushdo, por Theresa May, kryeministrja britanike. Në një letër drejtuar partisë së saj Konservatore të përçarë thellësisht, ajo pranon se në thelb nuk ka mundësi as të kthehet pas, as të ecë përpara.

Ajo është e rrethuar nga vija të kuqe, të cilat nuk lejohet t'i kapërcejë. Brexit-i nuk lejohet të jetë tepër i butë, tepër i fortë ose krejt pa marrëveshje, në mënyrë që në fund të bien dakord me të krahët e ndryshëm të partisë dhe natyrisht në fund edhe Bashkimi Evropian.

Propozimi më i fundit i May-t për të zhvilluar negociata vetëm për mallra me BE, për një lloj zonash të tregtisë së lirë, refuzohet nga BE. Vetëm njëmbëdhjetë për qind e britanikëve e quajnë me vend këtë plan.

Propozime të zbatueshme nuk ka as për çështjet tregtare, as për kufirin midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës. Prandaj qeveria britanike dëshiron të miratohet vetëm një deklaratë e turbullt për raportin e ardhshëm me BE.

Por BE ngul këmbë për një marrëveshje konkrete të daljes së Britanisë së Madhe nga BE, që të paktën të rregullojë përfundimisht çështjet e rëndësishme si paratë, kufijtë dhe të drejtat e qytetarëve. E qartë është vetëm se koha po ikën. Deri në fund të tetorit marrëveshja për Brexit-in duhet të jetë gati. E ndërsa data po afron, Britania e Madhe po ecën duke iu marrë këmbët, pa koncept, pa objektiv. Për momentin ka vetëm pak shpresë që dikush të tërheqë frenën e emergjencës dhe të paktën ta shtyjë Brexit-in.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: