Biznesi i vogël dhe i madh, taksat e reja nga 1 janari

Biznesi i vogël dhe i madh, taksat e reja nga 1 janari
Paketa e re fiskale 2019 parashikon në parim ulje të tatim fitimit për bizneset me 8-14 milionë lekë xhiro, duke i barazuar me ato që deri tani raportonin një xhiro më të vogël, deri në 8 milionë lekë

 Biznesi i vogël dhe ai i madh që ushtron aktivitetin e tij privat në vend, duhet të përgatiten për taksa të reja duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, 2019. Kështu, të gjitha bizneset që raportojnë se kanë një xhiro në kufijtë e 8 deri në 14 milionë lekëve, do të paguajnë më pak për tatim fitimin gjatë vitit të ardhshëm.

Kjo është konfirmuar dje nga vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, sipas të cilit kjo taksë për ta do të jetë vetëm në nivelin prej 5%, nga 15% që ka qenë deri tani. Duke u barazuar në këtë mënyrë me të gjitha bizneset që e kishin tatim fitimin prej 5%, por në fakt raportonin më pak xhiro vjetore, në kufijtë prej 5 deri në 8 milionë lekësh.

Një masë kjo që pritet të zyrtarizohet së shpejti prej qeverisë, në kuadrin e prezantimit prej saj të draftit të paketës fiskale për vitin e ardhshëm, 2019.

“Nga 1 janari 2019, rreth 91% e bizneseve, përfshirë ato me xhiro 8-14 milionë lekë, do të tatohen 3 herë më pak”, konfirmoi lidhur me një fakt të tillë kreu i financave shqiptare. Sipas tij, paketa e re fiskale ul tatim fitimin me tre herë, nga 15% që ishte, në vetëm 5%.

Nga ana tjetër, burime zyrtare të ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, konfirmojnë posaçërisht për “Albanian Free Press”, detajet e tjera që do të përmbajë kjo paketë.

“Nga 1 janari 2019, bizneset me xhiro 0-5 milionë lekë do të vazhdojnë ta kenë 0 tatim fitimin. Kurse ato me xhiro nga 5-14 milionë lekë do ta kenë 5%. Praktikisht, për këtë fashë u rrit pragu nga 8 milionë që ishte, u bë 14 milionë lekë”, sqarojnë mes të tjerash ato.

Duke lënë kështu të kuptohet se fasha e parë e biznesit, e cila raporton një xhiro minimale, deri në 5 milionë lekë, edhe gjatë vitit të ardhshëm nuk do të tatohet mbi fitimin. Ndërsa e dyta, ajo që raporton se siguron një xhiro në kufijtë e 5 deri në 8 milionë lekë do të vazhdojë të paguajë 5% tatim mbi fitimin. Dhe ata që përfitojnë janë vetëm bizneset e fashës së tretë, pra ata që kanë edhe fitimin më të lartë, pasi sigurojnë një xhiro nga 8 deri në 14 milionë lekë, pasi pikërisht për ata i bie që kjo taksë të reduktohet me tre fish.

Kujtojmë sakaq, se të tilla ndryshime në paketën e taksave për biznesin gjatë vitit të ardhshëm 2019, ishin paralajmëruar që disa muaj më parë nga qeveria, por duket se edhe pas disa diskutimeve që ajo zhvilloi me grupet e interesit, ka rënë tashmë dakord në parim për bërjen gati të tyre në formë drafti dhe paraqitjen në Kuvend për miratim të tyre. Duke i hapur në këtë mënyrë rrugën diskutimit në tërësi edhe të projekt-buxhetit 2019, dokumentit themeltar të financave të shtetit për vitin në vijim.

 

 

KATEGORITË

 

Fasha e parë e biznesit

 

0-5 milionë lekë xhiro

 

Tatim fitimi                  0%

 

                        ***

5-8 milionë lekë xhiro

 

Tatim fitimi                  5%

 

                        ***

8-14 milionë lekë xhiro

 

Tatim fitimi                  5%

Shpërndajeni me miqtë tuaj: