Baki Bala: Ish-ushtarakë si prefektë, një klimë e re në drejtimin shtetëror

Baki Bala: Ish-ushtarakë si prefektë, një klimë e re në drejtimin shtetëror
INTERVISTA/ Flet Prefekti i Qarkut Fier, kolonel Baki Bala: “Projekti i parë politik, i cili shpreh në mënyrë të sintetizuar besimin se ushtarakët mund të japin kontributin e tyre në pozicione, të cilat më parë kanë qenë funksione të mirëfillta politike, është projekti i emërimit të 12 ushtarakëve në rezervë në funksionin e Prefektit të Qarkut”

“Emërimet e bëra nga qeveria për ish-ushtarakë në funksionin e Prefektit, mund t’i konsiderojmë si shenja të manifestimit të një klime të re të drejtimit shtetëror, e cila është më e hapur dhe më vlerësuese në drejtim të profesionistëve”. Një pohim të tillë bën gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, Prefekti i Qarkut  Fier, kolonel Baki Bala. Sipas tij, përveçse një inkurajimi për ish-ushtarakët, ai tregon edhe për një moderim dhe hapje të portës për ta, mbi funksione, të cilat lidhen me sigurinë, emergjencat civile, shtetformimin, etj...

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Mund të përcillni diçka nga jeta në Forcat e Armatosura dhe largimin prej tyre?

Karriera ushtarake ka qenë një segment i rëndësishëm i jetës sime. Nëpërmjet saj kujtoj jo një periudhë të jetës personale, por edhe faza të rëndësishme të Forcave të Armatosura dhe të vendit dhe e ndjej veten të përmbushur në jetën ushtarake. Aq më shumë kur kujtoj se ka mjaft ushtarakë të tjerë të zotë, që për rrethana të ndryshme nuk kanë mundur të kenë këtë ecuri, e aq më keq kur mjaft ushtarakëve të gradave të larta apo madhore, u është ndërprerë karriera në mes.

 

Çfarë mendoni për nevojën e rishoqërizimit të ushtarakut në jetën civile?

Pas largimit nga ministria e Mbrojtjes, si gjithë ushtarakët e tjerë, fillova periudhën e ballafaqimit me jetën civile. Rishoqërizimi është një proces, i cili i ndodh çdo individi gjatë jetës së tij. Ky proces në jetën e një ushtaraku është më evident si në frekuencë ashtu dhe në amplitudë. Ushtaraku, shërben në detyra e vende të ndryshme, në mjedise të panjohura, në struktura ndërkombëtare, në situata me shkallë të konsiderueshme risku, në zona luftarake, etj. Secila prej tyre ka veçorinë e vet, por fillimi i jetës ushtarake dhe përfundimi i saj mbeten dy nga periudhat më komplekse të rishoqërizimit. Suksesi i këtij procesi, gjatë hyrjes në ushtri, buron kryesisht nga forca dhe vullneti i individit dhe ambienti i ri, i cili është thuajse tërësisht i strukturuar. Ndryshe nga kjo, suksesi i rishoqërizimit në jetën civile, pas përfundimit të karrierës ushtarake, varet nga përvoja jetësore e individit dhe nga një tërësi faktorësh të tjera të një mjedisi të pa strukturuar. Pra, pyetja shtrohet a jemi ne ushtarakët të përgatitur për t’u ballafaquar me jetën civile, pas përfundimit të karrierës?

Vendet e Europës Perëndimore, këtë çështje e kanë zgjidhur nëpërmjet sistemit të arsimimit ushtarak. Megjithatë, ne ushtarakët, duhet te kuptojmë se do të jemi të suksesshëm në pozicione pune në administratën shtetërore dhe atë të biznesit, kur të bindim veten dhe të tjerët se kemi aftësi menaxheriale dhe drejtimi jo vetëm në fushën ushtarake. Ky nuk është një aksion, por një proces i cili duhet të mbështetet me rishikimin e programeve të kurseve të ndryshme, të rritjes së kontakteve të institucioneve ushtarake me biznesin, të përmirësimit të procesit të marketimit të vlerave, të krijimit të një ambienti ushtarak më të hapur si në aspektin akademik, të projekteve të përbashkëta me shoqërinë civile, etj.

 

Pse ushtaraku duhet të jetë i kërkuar nga administrata shtetërore dhe nga ajo e biznesit?

Në jetën e përditshme, termin “ushtarak”, në mënyrë të gabuar e etiketojnë si profesion. Pra, “profesioni i ushtarakut”. Në fakt termi “ushtarak” duhet të përdoret për të dalluar qytetarët me uniformë nga pjesa tjetër e shoqërisë civile. Pra, për të veçuar aftësitë profesionale, menaxheriale dhe të lidershipit, termi “ushtarak” nuk është i mjaftueshëm. Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura, nuk janë si gjithë struktura të tjerat shtetërore, të cilat janë të fokusuara në një fushë të caktuar. Ato kanë natyrë shumëdimensionale. Të mos harrojmë, se ushtarakët, janë pjesë e shoqërisë dhe se shteti ka investuar për ta.

 

Si do ta konsideronit besimin e Kryeministrit për emërimin e ish-ushtarakëve në detyrën e prefektit?

Besimi i Kryeministrit nuk është tek individët që emëroi në detyrën e Prefektit të qarkut, por tek ushtarakët në tërësi. Gjatë dy dekadave të fundit ka pasur raste të shkëputura, ku ushtarakët kanë dhënë kontributin e tyre si deputetë, ambasadorë, këshilltarë të Kryeministrit, këshilltarë të ministrit, drejtues dhe punonjës në administratën shtetërore, drejtues e menaxherë në fushën e biznesit, etj. Megjithatë, projekti i parë politik, i cili shpreh në mënyrë të sintetizuar besimin se ushtarakët mund të japin kontributin e tyre në pozicione, të cilat më parë kanë qenë funksione të mirëfillta politike, është projekti i emërimit të 12 ushtarakëve në rezervë në funksionin e Prefektit të Qarkut. Pra, unë mendoj se Kryeministri është mbështetur në përvojën e spikatur të mjaft ushtarakëve të aktivizuar në detyra të ndryshme shtetërore, në përvojën e mjaft vendeve të tjera evropiane të cilat, e kanë kaluar me kohë këtë ballafaqim dhe në bindjen e tij personale se ushtarakët mund ta bëjmë mire këtë ose detyra të tjera. Ky është inkurajim për ne. Emërimi i ish-ushtarakëve në funksionin e Prefektit, etj, tregon për një moderim dhe hapje të portës për ushtarakët për funksione, të cilat lidhen me sigurinë, emergjencat civile, shtetformimin, etj. Pra, emërimet e bëra nga Këshilli i Ministrave, nuk mund t’i konsiderojmë thjesht si suksesin tonë, por si shenja të manifestimit të një klime të re të drejtimit shtetëror, e cila është më e hapur dhe më vlerësuese në drejtim të profesionistëve. Projekti i Kryeministrit, është rrjedhojë e klimës së përgjithshme të krijuar në zbatim të programit të qeverisë. Ai ka aktorët e vet me rol, ashtu siç ka edhe ne, përfituesit dhe kontribuuesit e këtij projekti. Kjo na ngarkon me përgjegjësi për të qenë të suksesshëm, jo vetëm para Këshillit të Ministrave, por edhe para ushtarakëve. Projekti i emërimit të 12 ish-ushtarakëve në pozicionin e Prefektit të Qarkut, synon dhënien e një impulsi të ri pune për të rritur rolin e këtij institucioni si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qark.

 

Momentet më të vështira në detyrën e prefektit të qarkut?

Natyra e punës së prefektit të qarkut, nuk i ngjan kompleksitetit të vendimmarrjes së një ushtaraku karriere, apo të detyrave të tjera shtetërore të cilat kërkojnë analizë dhe ekspertizë komplekse. Megjithatë çdo detyrë ka vështirësitë e veta. Momentet më të vështira, janë kur një masë e madhe qytetarësh  kanë pritshmëri më shumë se çfarë ti mund t’u ofrosh. Përmbytja “Vjosa 2017”, është një nga këto momente. Ajo ndodhi në muajin e parë të detyrës, kohë e cila ishte e pamjaftueshme për njohjen e situatës në qark, të aktorëve me rol ne menaxhimin e situatës.

 

BILANCI

Një vit në detyrë

“Kryeministri na ka kërkuar të ndryshojmë imazhin e institucionit të prefektit, brenda kuadrit ligjor mbi të cilin funksionon ky institucion. Në këtë këndvështrim, pritshmërisë së tij, ne i jemi i përgjigjur me vullnetin tonë për të bërë më të mirën. Jo vetëm në institucionin që unë drejtoj, por në të 12 institucionet e Prefektit të Qarkut, ne kemi rritur ndjeshëm veprimtarinë në mbështetje të politikave sektoriale të ministrive në zbatim të programit të qeverisë. Ministritë e linjës, tashmë kanë një strukturë, të cilës mund ti drejtohen për ndikuar në realizimin e objektivave të tyre në zbatim të programit qeverisës. Ata kanë një strukturë të cilës mund t’i delegojnë përgjegjësi për organizimin, monitorimin apo drejtimin e veprimtarive, kanë një institucion aktiv, i cili mund të jetë përcaktues në disa veprimtari. Ky është institucioni i Prefektit të Qarkut. Sot kontrolli i ligjshmërisë së akteve me karakter normativ, të gjashtë këshillave bashkiakë është drejt standardizimit të plotë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: