ARMIQTË E VËRTETË TË BASHKIMIT EKONOMIK SHQIPËRI-KOSOVË - ANALIZË NGA GJERGJ BUXHUKU

ARMIQTË E VËRTETË TË BASHKIMIT EKONOMIK SHQIPËRI-KOSOVË - ANALIZË NGA GJERGJ BUXHUKU
Nga Gjergj Buxhuku

Analist ekonomie, president i Konfindustria

Nëse titulli i mësipërm do të ishte në formë pyetjeje, përgjigjja e përmbledhur do të ishte: Bizneset oligarke të lidhura me politikën ose më qartë politika që mbron bizneset e saj monopol. Fatkeqësisht, sot kufiri i ndarjes ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, është më i lartë se asnjëherë tjetër, pavarësisht shfaqjeve folklorike të qeverive të dy shteteve shqiptare.

Për ta kuptuar më lehtë, se deri ku ka shkuar e keqja, mjafton të kujtojmë rastin e disa viteve më parë të një kompanie qumështi. Kompania ishte një investim serioz me disa milionë euro dhe pasi ishte lider në tregun e Shqipërisë, hyri bindshëm edhe në Kosovë. Kur kompania po kthehej në lojtar të rëndësishëm në tregun e Kosovës, papritmas institucionet i hoqën licencën me arsyetimin se, nuk plotësonte standardet e sigurisë ushqimore. Asnjë arsyetim dhe përpjekje për të shpjeguar se standardet ishin të njëjta për të gjitha prodhimet e ngjashme, nuk ndryshoi asgjë. Vendimi i autoriteteve kosovare, shoqëruar me fushatë mediatike të njëkohshme në Shqipëri dhe Kosovë, solli falimentimin e plotë të kompanisë. U fol se u prekën interesat e një kompanie të madhe në Kosovë, e lidhur drejtpërdrejt me njerëz të afërt me kryeministrin e kohës dhe në zotërim të institucioneve të fuqishme mediatike. Duke lënë mënjanë spekulimet, fakti mbetet i njëjtë: Kompania nga Shqipëria, jo vetëm u zhduk nga tregu i Kosovës, por edhe falimentoi plotësisht. Një mësim i mirë për gjithë të tjerët, që do të guxonin të hynin pa “leje” në treg. Si kemi ardhur deri në këtë pikë?!

Kalimi i Shqipërisë në sistemin ekonomik të ashtuquajtur të tregut të hapur në vitin 1991 dhe krijimi i shtetit të dytë shqiptar Kosovës në vitin 1999, shënoi edhe fillimin e krijimit me shpejtësi të shtresës së bizneseve përkatëse. Liberalizmi ekonomik anarkik i periudhës së parë, u zhvillua në kushtet e mungesës së plotë të kontrollit të institucioneve shtetërore dhe në korrupsionin “primitiv” me para në dorë për zyrtarët. Më pas, u kalua në fazën e dytë, kur vendimmarrja politike përzgjodhi dhe fuqizoi me pará publike dhe me shumë ligje të tipit “state capture/kapje e shtetit” biznese të caktuara. Bizneset e përzgjedhura ose krijuara drejtpërdrejt nga politika, u shndërruan në monopole. Monopole me tregje të dhuruara dhe të ndara qartësisht. Në mjaft raste, nuk ka kufi të qartë ndërmjet pronarëve të vërtetë të bizneseve të sipërpërmendura. Një dukuri e tillë ka ndodhur në Shqipëri dhe Kosovë. Bizneset e mësipërme janë më shumë sesa oligarkë, pikërisht se nuk ka një kufi të qartë ndërmjet privatit dhe vendimmarrësve politikë. Janë të shkrirë në një të vetëm. Aq më shumë tani kur, vettingu është në zhvillim e sipër dhe paratë e politikës nuk janë të sigurta në off-shore dhe në dyshekët e shtëpive. Bizneset e mësipërme përcaktuan edhe ndarjen e qartë të tregjeve përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës, me mure që lartësohen vazhdimisht.

Por, zotërimi në mënyrë të plotë i tregjeve të dhuruara nga politika, të ndara në mënyrë të qartë përkatësisht në të Shqipërisë dhe të Kosovës, bizneset e mësipërme i ka kthyer në të paafta të mbijetojnë në kushtet e konkurrencës së lirë. Janë të paaftë të konkurrojnë, jo vetëm në tregje të lira rajonale dhe europiane, por edhe në kushtet e një tregu të përbashkët shqiptar. Bizneset e politikës të dy shteteve shqiptare nuk kanë investuar në teknologji, cilësi, arsimim,etj., por kanë marrë të mirëqenë, se tregu i kapur do të zgjasë në pafundësi dhe mjaftohen me ndarje korruptive fitimesh monopoliste. Në kundërshtim më çdo ligjësi zhvillimi të natyrshëm ekonomik, ku bizneset prodhuese luftojnë dhe kërkojnë me çdo kusht zmadhimin e tregjeve, në Shqipëri dhe Kosovë ndodh e kundërta. Bizneset monopoliste te politikës kërkojnë të ruajnë me çdo kusht tregjet e vogla dhe të mbyllura me kufij të qartë me njëri-tjetrin. Sot, çdo tentativë kalimi i “vijës së kuqe” të ndarjes së tregjeve të Shqipërisë e Kosovës, nuk mund të bëhet pa marrë më parë lejen e vendimmarrjes politike përkatëse. Dhe natyrisht, duke shpërndarë në mënyrë korruptive edhe fitimet përkatëse në kurriz të varfërimit të gjithë shqiptarëve dhe dëmtuar rëndë interesin kombëtar.

Shkurt, pamësia e bizneseve të politikës ose politikës së bizneseve mbarëshqiptare, është vetëvrasëse. Frika për tu përballur dhe ushtruar me konkurrencën në tregun e përbashkët shqiptar edhe kështu mjaft të vogël, rrit shumë mundësinë e falimentimit në tregun e përbashkët europian, që po afrohet me shpejtësi. Politikanët biznesmenë nga ana e tyre, kthehen lehtësisht të përkulshëm ndaj të huajve. Duke u kthyer në armiqtë më të egër të krijimit të tregut të përbashkët shqiptar, bizneset e politikës ose politika e bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës, po afrojnë në mënyrë të pashmangshme edhe fundin e tyre. Por, fati i tyre personal, pak rëndësi ka. Kapitalet dhe pasuritë e tyre kanë vlera kombëtare. Pasojat e falimentimit të pashmangshëm të tyre, do të prekin thellë interesin publik dhe kombëtar të shqiptarëve. Rrezikojmë të hyjmë në BE, vetëm si individë pa shtet, pa ekonomi dhe pa biznese kombëtare. Nuk e dimë, nëse shqiptarët do të mund të mposhtin interesat e klaneve, që kanë asgjësuar deri tash interesin publik, si e vetmja mënyrë që të arrijnë të shkatërrojnë sistemin e monopoleve politiko-ekonomike të tipit “Esat Pasha”, vendimmarrës të plotfuqishëm ende në Shqipëri dhe Kosovë!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: