Arjeta Palushaj: Besimi që më jepet është përgjegjësi e madhe

Arjeta Palushaj: Besimi që më jepet është përgjegjësi e madhe
Flet për Albanian Free Press Arjeta Palushaj,  vajza nga Laçi, që ka jetuar mes pasioneve për muzikën, pikturën dhe modën, por që këtë vit është  fokusuar më shumë tek kjo e fundit

Arjeta Palushaj është një nga personazhet më interesantë të muzikës dhe modës, që kam hasur së fundmi. E tillë sepse është në kërkim gjithmonë që “të dalë nga radhët” e të zakonshmes. Ajo është një vajzë që, pasi ndoqi Liceun Artistik për Pikturë, ju desh të përveshte mëngët e t’ia dilte vetë jetës  në Tiranën e madhe, por ku artistja në rritje gjen ngjyra, ritme, lëvizje, ide për krijimet e saj. E konsideron veten artiste të plotësuar, pasi ka studiuar në Akademinë e Arteve. Me një stil që e ndryshon herë pas here, Arjeta nuk vjen asnjëherë njësoj përpara një publikut apo në rrjetet sociale e në media. Një personazh “sui generis” sepse ajo dëshiron të jetë ashtu, ndryshe. Na rrëfen detaje nga jeta dhe pasionet e saj në këtë vit krijimtarie.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ka kaluar rreth një vit nga biseda jonë e fundit. Shumë gjëra kanë ndryshuar në karrierën tënde. Je përqendruar tek stilizimi dhe moda?

Realisht stilimit i dedikoj pjesën më të madhe të kohës, pasi mendoj që përveçse është gjëja që di të bëj më mirë, sepse jam diplomuar në këtë fushë, më duhet të bëj çdo gjë vetë, stilisten dhe rrobaqepësen. Dhe procesi i realizimit të çfarëdolloj veshje, pa një ndihmesë, është goxha i vështirë. Gjithsesi rëndësi ka që e shijoj shumë. Megjithëse nuk jam marrë vetëm me stilimin. Para pak kohësh iu riktheva pikturës për 1 muaj e gjysmë sepse më mungonte të jetoja me atë ndjesinë e madhështisë që s’ma jep asgjë tjetër si piktura. Ishte dhe pak për t’i vërtetuar vetes që jam akoma një piktore e mirë. Të paktën unë kështu mendoj.

Shumë personazhe të njohur si këngëtaret Manjola Nallbani, Olta Boka, këngëtarja kosovare Fifi etj kanë zgjedhur firmën tënde për performancat e tyre. Si lind një bashkëpunim i tillë?

Kam pasur fatin që të punoj me artistet që sapo përmende. Mesa duket u ka rënë në sy dhe kanë besuar në talentin tim.

Sa kënaqësi ndjen ti kur shikon të mishëruar në videoklipe krijimet e tua?

Sigurisht që është sodisfaksion shumë i madh. Besimi që më jepet është përgjegjësi e madhe për mua. Pastaj gjithmonë i plas autokritikë vetes. Analizoj çfarë mund të bëja më mirë dhe si. Shpesh herë qaj kohën e shkurtër në dispozicion për të realizuar çdo gjë.

Kur merr vlerësime nga publiku ose personazhet me të cilat bashkëpunon, cilin vlerësim çmon më shumë?

Çdo lloj vlerësimi është i çmuar, sigurisht, por kur me vlerësojnë për stilin e veçante, atëherë mendoj se realisht po bej diçka.

Ke studiuar në Akademinë e Arteve pra je një vajzë e kompletuar në fushën tënde. Sa të ka ndihmuar kjo?

Nuk e imagjinoj dot, në fakt, si do kishte qenë ecuria ime pa edukimin në Akademinë e Arteve. Më ka rritur shumë, rafinuar shijet, ndryshuar konceptet...

Megjithëse ndonjëherë mendoj se do më ishte dashur një shkollë marketingu plus për të ecur siç duhet.

Këtë verë ke qenë një nga krijueset e modës që guxoi edhe me rrobat e banjës. Si ishte kjo verë për ty në këtë aspekt?

Nuk jam impenjuar seriozisht tek rrobabanjot, në fakt. Kam bërë gjëra të vogla për të shijuar më shumë disa ditë plazhi si performanca më vete. Pastaj ndodhi që dikujt iu dukën interesante për t’i prezantuar në një emision dhe ashtu ndodhi.

Po të hedhim një vështrim në tendencat e kësaj vjeshte, si do të jetë ajo? Cilat janë ngjyrat dhe stilet që do të mbizotërojnë?

Ky sezon do të jetë plot ngjyra, në fakt. Mbizotërojnë ngjyrat e ndezura si portokallia, jeshilja, e verdha dhe roza neon, që unë i quaj “ulërima”. Por me kombinimet e duhura duken bukur. Kemi tendencë palltot oversize, të cilat mund t’i veshim me shumë rroba. Mundësisht të ngjajmë sikur kemi veshur gjithë dollapin. Pastaj janë printet me lëkurë tigri dhe leopardi. Gjithashtu vijat shumëngjyrëshe janë në trend. Pantallonat e ngushta me bel të lartë dhe të gjera në fund. Në sfilata pamë dominancën e argjendit, ngjyrës së kuqe, të cilën mund ta veshim edhe nga koka tek këmbët. Ngjyra rozë vazhdon të jetë në modë në këtë sezon, e kombinuar me grinë dhe të zezën. Pra do të kënaqemi të gjithë.

Të pëlqen kur të shikojnë si kameleon në stile dhe ngjyra?

Më pëlqen kur me shohin si një imazh që është gjithmonë në ndryshim të vazhdueshëm. Duket sikur kam gjetur paqe sepse kam pak muaj me flokët ngjyrë kafe si e imja natyrale, çuditërisht dhe prerja si para gati 14 viteve përpara se të filloja t’i mjeshtëroja ha ha ha.

Janë të rralla kohët kur të gjejmë me të njëjtin stil flokësh. Ke gjetur paqe në këtë drejtim?

Realisht ndjehem tepër e zakonshme dhe mendoj çdo ditë çfarë do iu bëj kësaj radhe. Në fakt flokët i përdor si burim energjie. Janë kornizë e fuqishme...Pastaj parrukeria është një art dhe profesion që gjithmonë më ka tërhequr shumë. Ndaj kam përdoruar kokën time për ta praktikuar në të gjitha format si dhe për t’i treguar vetes sa e aftë jam në këtë fushë. Ia kam dalë mirë, besoj, dhe kështu do jem përjetësisht parrukiere ha ha ha. Për sa kohë të kem flokë në kokë domethënë.

Dashurinë për këngën e mban ende zgjuar?

Dashuria për këngën është zgjuar dhe me sytë katër. Ndjesinë që më jep skena ,s'ma jep kurrë moda e as piktura. U bë gati një vit nga pjesëmarrja ime në Këngën Magjike dhe kam materialin e radhës për t’i dhënë dorën e fundit, të cilin duhet ta shoqëroj me video. Jam munduar të mos nxitohem sepse është shumë e rëndësishme të jetë materiali i duhur për mua, përveçse një këngë e bukur. Gjithashtu po përgatitem për sezonin e ri. Do i rikthehem të kënduarit live në klubin më të ri në Tirane ku mes emrave të mirënjohur të muzikës, do të kem fatin të jem dhe unë.

A i druhesh konkurrencës në fushën e modës? Mbi të gjitha, a kemi një modë shqiptare?

Ide të mëdha duan buxhet për t’u bërë realitet. Njerëzit në Shqipëri impenjohen shumë nëse flasim për modën, shpenzojnë dhe përtej mundësive. Moda ndiqet shumë. Nëse flasim pastaj për krijimtari në Shqipëri në këtë fushë si dhe për stil, është gjë tjetër. Ka konkurrencë në emrin e bërë. Unë s’kam akoma një atelie timen, ama do e kem së shpejti. Kam akoma shumë punë për të bërë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: