“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Si Edi Rama po i vjen në ndihmë Koço Kokëdhimës

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Si Edi Rama po i vjen në ndihmë Koço Kokëdhimës
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” rikthehet pas një pushimi 1-mujor, me një lajm të mirë. Kolegu ynë Kosta Raka, që i përket gjinisë së karikaturimit, e cila këtu është në shuarje, la pas gjendjen e tij jo të mirë shëndetësore.

I urojmë Kostës, megjithëse nuk e kemi takuar ndonjëherë, shëndet dhe mbarësi e ishalla vazhdon akoma te gazeta jonë!

Fillojmë rubrikën tonë, këtë radhë ndryshe si më parë, me një lajm të keq. Njëzet emigrantë afrikanë që po shkonin drejt Italisë, para disa ditësh u është lënë detyrë që të vijnë në Shqipëri. Themi lajm i keq, për këta fatkeqë që u është dashur të paguajnë dhe në fund të katandisen të vijnë në një vend, ku siç na spiunoi edhe gazetarja jonë simpatike Eglantina, 80% e shqiptarëve, dëshirojnë të largohem dhe punojnë jashtë vendit të tyre.

Por siç ndodh përherë në natyrë, e keqja ka edhe anën e saj të mirë. Sjellja e atyre njëzet emigrantëve afrikanë, do të bëjë që klubet sportive, kryesisht ato të futbollit, të marrin e të aktivizojnë në fushë, disa prej djemve afrikanë.

Në këtë rast, presidentët e klubeve nuk do kenë se përse të harxhojnë pará, siç bënte le të themi shoku Koço Kokëdhima më parë, që zgjidhte qesenë dhe tregohej i pakursyer teksa sillte prej Afrike, afrikanë jofutbollistë për Apoloninë.

Tani ai tashmë do t’i ketë gati. Ne kemi marrë vesh, nëpërmjet burimeve tona, se shoku Edi Rama kërkesën për marrjen e njëzet emigrantëve afrikanë, e ka bërë pikërisht për t'i ardhur në ndihmë shokut Koço dhe Apolonisë së tij.

Duke qenë se shoku Edi ka vite që nuk i jep më tendera shokut Koço, ka menduar që t'ia shpërblejë me sjelljen e një kontigjenti afrikanësh.

Jemi të bindur se mes atyre afrikanëve të gjorë, do të ketë individë që ashtu si djemtë fierakë, të cilët paguhen plot 220 mijë lekë në muaj, do të dinë si të ngrejnë lart emrin e qytetit të Fierit, të klubit të Apolonisë e mbi të gjitha, të shokut Koço, si një menaxher i suksesshëm, në të gjitha fushat ku vepron.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: