“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arbër Mazniku: Biletat për fëmijë do të...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet shoku Arbër Mazniku: Biletat për fëmijë do të...
Satirë

“Antena Jashtë Familjes“ vjen sot me një lajm të mirë. Në ish-fshatin e Saukut u përurua këndi i 35-36 për fëmijë. Të pranishëm ishin edhe shokët Erion dhe Arbër. Themi lajm i mirë, pasi nuk është pak që Tirana të ketë 35 kënde lojërash. Me kaq pak popullsi sa ka tashmë kryeqyteti, kjo është një shifër mjaft e lartë. Një kënd për vetëm 20 e ca mijë banorë, i bie të kemi.

E meqë ra llafi te shoku Arbër. Ne biseduam me të, teksa ai ishte pak mënjanë nga të tjerët.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Arbër. Ju shoh të mërzitur. Përse...?

Arbër Mazniku: Si përse? Ikin të tjerët shikojnë dynjanë, e unë rri këtu. Pak të duket ty kjo gjë. E ç'kanë bërë më shumë ata se unë!

Antena: E keni llafin për...?

Arbër Mazniku: E pra, për atë e kam. Edhe unë shpirt kam. Përse mos të shkoja edhe unë në Stamboll me aeroplan. Qylin e pranon edhe mbreti...

Antena: Mos u mërzisni, shoku Arbër! Do ketë raste të tjera. Pastaj ju nuk punoni gazetar, e aq më tepër i pavarur, si shumica e atyre që ikën. Unë në fakt desha t'ju pyes për hypjen në autobus e jo në avion. Kanë dalë llafe, që në autobusët urbanë në kryeqytet, biletën do e paguajnë edhe fëmijët. A jeni në dijeni të këtij...?

Arbër Mazniku: Po ç'i ke këto pyetje, mer plak?! A je në dijeni, thotë? Sigurisht që jam, se nga unë doli ky lajm. Unë kujtova se ç'do pyesje.

Antena: Si doli nga ju?! Unë atë e mora vesh në...

Arbër Mazniku: Po ku ka lajm që ka të bëjë më gjërat e Bashkisë, që nuk kalon më parë te unë, mer plak! Po nuk e pashë unë njëherë, nuk ka burrë mami që ta marrë vesh.

Antena: Për biletën e kisha llafin. A do paguajnë edhe fëmijët, apo po?

Arbër Mazniku: Edhe do paguajnë, edhe nuk do paguajnë. D.m.th. disa ditë do tromaksen me idenë që do paguajnë. Ky është plani A. Pastaj hidhet në veprim, plani B. Në këtë moment del në skenë, e kush tjetër. Supermeni i fëmijëve, d.m.th. vetë lali Eri.

Antena: Më bëtë lëmsh me këto plane, shoku Arbër. Si aguridhe që jam në...

Arbër Mazniku: E ç'ka këtu për të mos kuptuar. Strategjia imë është e tillë. Ju kam thënë kompanive të linjave urbane, që të kërkojnë që edhe fëmijët të blejnë biletë.

Antena: Ju keni thënë ju vetë?! E çudit...

Arbër Mazniku: Po pra unë, kush tjetër. Ata pastaj dolën dhe e thanë në publik, kuptohet pa më përmendur emrin mua, si ideator. Ky është plani A...

Antena: Jam kurioz të di planin B. A mund të na e shpalosni atë...?

Arbër Mazniku: Prit pra, se nuk ka përfunduar akoma A-ja! Në momentin që kërkesën e kompanive për biletat për fëmijë e dëgjon publiku, alarmohet. “Bo, bo duhet të harxhojmë të tjera lekë”, do mendojnë. Për disa kohë kam menduar që t'i lë të alarmohen. Sa më shumë të frikësohen, aq më shumë do na duan neve.

Antena: Ndoshta është e drejtë kjo që thoni juve. Po plani B ku qëndron?

Arbër Mazniku: Ja në këtë moment futet ai që të thashë më parë. Supermeni. D.m.th. lali Eri.

Antena: E si futet shoku Erion?!

Arbër Mazniku: Ai do dalë dhe do thotë që, nuk ka shanse sa të jem unë kryetar, që fëmijët që unë i dua si drita e syve, se për ta po ju bëj edhe kullat me lojëra brenda, të paguajnë biletë për të udhëtuar në autobusët urbanë. “Uuuurrrraaaa, shyqyr që kemi lali Erin që na mbron do thonë fëmijët. E kur thonë fëmijët diçka, sigurisht që do e thonë edhe prindërit”.

Antena: Ashtu është! Atë që ta bën dhe thotë fëmija, nuk ta bën dhe thotë as perëndia.

Arbër Mazniku: Është vit elektoral mer plak, duhet hedhur ide të tilla të mençura, që i rrisin vlerën në publik lali Erit...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: