“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti: Sa më shumë të burgosur, aq më shumë zhvillim për qytetet tona

“ANTENA JASHTË FAMILJES”/ Flet analisti: Sa më shumë të burgosur, aq më shumë zhvillim për qytetet tona
Satirë

“Antena Jashtë Familjes” vjen sot me një lajm të mirë. Siç na spiunoi gazetarja jonë simpatike e ekonomisë, Eglantina, vendi ynë ka më shumë të burgosur për frymë, se çdo vend tjetër i rajonit përreth. Themi lajm i mirë, pasi kështu na tha analisti ynë duarartë i rubrikës sonë.

Ja bashkëllafosja e bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku duarart! Besoj se e morët vesh që...

Analisti: Po, po sigurisht që e mora. Çdo gjë që ka lidhje me shifrat, së pari merret vesh prej meje, e pastaj prej të tjerëve.

Antena: Është vërtet e dhimbshme që....

Analisti: Aspak! Madje është arritje. Rritja e numrit të të burgosurve, por dhe do sjellë edhe në të ardhmen, rritjen ekonomike të zonave ku blihen ushqimet për të burgosurit.

Antena: Vërtet po me çudisni! Jo se nuk më keni çuditur më parë, por sot...

Analisti: Le të marrim si shembull, rastin e të burgosurve në Fier, që kishin denoncuar te kolegët e "Stop", faktin që një litër kos, blihet me çmimin e 1500 lekëve (kuptohet të vjetra). Nëse për të burgosurit blihen le të themi 870 litra kos në ditë. (Se aq është kapaciteti i burgut, se e lexova te faqja zyrtare e D.P.B.Sh unë.) Gjatë një viti blihen pra, e pakta 300 e ca mijë litra. Shumëzuar kjo me çmimin e një litri, bëjnë e pakta 300 e ca mijë euro. Kjo shumë nuk është e vogël për qytete si Tepelena ku blihet kosi.

Antena: Ashtu po filloj të mendoj edhe unë.

Analisti: Është e vërtetë që nuk do e nxjerrë këtë qytet nga varfëria, por ama ndikon që atje të hidhet fara e zhvillimit. Kjo do të bëjë që në të ardhmen tepelenasit mos të jenë nostalgjikë për Enverin dhe kohën e tij kur shkoje te komshiu për një filxhan farë kosi.

Antena: E keni llafin për...?

Analisti: Ja ku po ta them. Sa më shumë të burgosur, aq më shumë zhvillim për qytetet tona. Kemi mundësi që me rritjen e të burgosurve, të rrisim ekonominë në qytetet e vogla. Po të marr një shembull, pa humbur kohë. A do ti që të rrisim p.sh., ekonominë në Përmet?

Antena: Edhe në Këlcyrë madje, pse jo.

Analisti: Për Këlcyrën nuk kam kohë që ta them sesi të rrisim ekonominë. Ama për Përmetin, ja ku po ta them që, e kam një zgjidhje.

Antena: Shprehuni ju lutem!

Analisti: Ai vend është shquar për lule. Atëherë si t'ia bëjmë që të rrisim numrin e tyre? E thjeshtë fare. Ne rregulloren e burgjeve duhet të shtohet pika që çdo i burgosur duhet të dhurojë lule çdo mëngjes te gardianët.

Antena: D.m.th. ju thoni që i burgosuri mos të japë më lekë që roja ta lejojë që ai të mbajë celular në qeli, por të japë lule? Interesante është si ide.

Analisti: Edhe lekë të japë, se rrit ekonominë. Ama të futet tradita që i burgosuri të japë lule. Madje jo vetëm tek gardianët, por edhe tek të afërmit e personit që ka dëmtuar. Lulja është shprehje e paqes dhe kjo do tregojë që dëmtuesi ka ndryshuar sjellje.

Antena: Nuk më duket ide e keqe.

Analisti: Kjo do rrisë numrin e luleve në Përmet. Rrjedhimisht edhe të shitjeve të tyre. Ja pra që rritet ekonomia e këtij qyteti.

Antena: Ekonominë e Tepelenës dhe të Përmetit e rritëm. Po të Këlcyrës p.sh., si mund ta rrisim? A keni ju një mendim të specializuar?

Analisti: Më ke kapur pak si të papërgatitur, se kam një takim me shokun Erion të Bashkisë, por ja ku po ta them që edhe ekonominë e Këlcyrës mund ta rrisim. Mjafton p.sh., që në burgjet e Jugut të vendoset traditë që të burgosurit të bëjnë aheng, disa minuta në ditë. Le të themi, t'i bien defit, meqë veglat e tjera muzikore janë të rrezikshme për t'u futur në qeli.

Antena: Defit?! Ju mendoni se defi do rrisë ekonominë e këlcyriotëve, që deri tani "i bien defit", duke qëndruar pa punë?

Analisti: Sigurisht që do e rrisë. Në pazar të Këlcyrës shiten bagëti. Lëkura e tyre mund të mblidhet nga burgjet, kundrejt një pagese. Le ta thajnë, e vetë të burgosurit të prodhojnë defa. Atyre t'i bien sipas një grafiku të mirëcaktuar. Blerja e lëkurës së bagëtive në Këlcyrë, rrjedhimisht do rrisë edhe ekonominë e këtij qyteti. Ja pra, sesi burgjet ndikojnë në zhvillim...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: