Aksidentet rrugore, AMF: Borxhet e  sigurimeve të shlyhen deri në 1 janar

Aksidentet rrugore, AMF: Borxhet e  sigurimeve të shlyhen deri në 1 janar
Keni pësuar një aksident rrugor dhe ende nuk jeni dëmshpërblyer? Mund të shpresoni se deri në fillimin e vitit të ardhshëm, kjo gjë do të zgjidhet.

Këtë afat dha të paktën, kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi, dje para deputetëve të komisionit parlamentar të Ekonomisë, teksa raportoi para tyre pikërisht mbi çështjen e detyrimeve të prapambetura që tregu i sigurimeve ka akumuluar ndër vite ndaj qytetarëve.

Sipas tij, deri tani është mundur të paguhet më shumë se gjysma e tyre, konkretisht niveli prej 59% i totalit të të gjitha dëmeve nga aksidentet rrugore që kanë pësuar qytetarët.

Porse mbetet ende problem pjesa prej 40% e tyre, likuidimi i së cilës pritet të zgjidhet brenda pak muajsh.

Duke e zgjidhur njëherë e mirë këtë ngërç që shqetëson qindra qytetarë në rang vendi, të cilët kanë pësuar një aksident rrugor dhe nuk janë paguar.

"Janë 923 milionë lekë detyrime të prapambetura për t’u ekzekutuar. Ndërsa pagesat e kryera deri tani nga të gjitha shoqëritë për fondin e kompensimit janë 541  milionë lekë ose 59% e vlerës së përcaktuar për detyrimet e prapambetura”, sqaroi ai, lidhur me një situatë të tillë.

Nga ana tjetër, kreu i AMF-së është shigjetuar edhe nga kreu i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, sipas të cilit, shpërndarja e detyrimeve të prapambetura nga Fondi i Kompensimit të caktuar për një proces të tillë është kthyer në korruptiv.

“E kuptoni që është kthyer në një instrument tërësisht korruptiv? Nëse ju si  autoritet vendosni në referencë datën kur ndodh aksidenti, atje nuk ndodh kjo gjë. Atje kush njeh, kush ka mik ndonjë deputet, apo ndonjë tjetër pushtetar merr paratë. Dhe në fund fare duke lënë dhe pjesë. Ky është turp!’, ishte akuza që ngriti Braçe.

 

Megjithë përpjekjet e shtetit për “ta vënë në shina” çështjen e pagesës së detyrimeve të prapambetura nga shoqëritë e sigurimeve ndaj qytetarëve ndër vite, ajo ende po zgjatet në kohë, pa patur një zgjidhje përfundimtare

 

Çfarë është Fondi i Kompensimit për aksidentet rrugore? Si merren paratë

Fondi i Kompensimit, është një fond i veçantë i krijuar për kompensimin e palëve të dëmtuara si pasojë e një aksidenti të shkaktuar nga një mjet motorik. Ai ka për qëllim, kompensimin e palëve të dëmtuara gjatë tij. Nëse aksidenti është shkaktuar nga një mjet i pasiguruar, nga Fondi i Kompensimit do të paguhen të gjithë dëmet e rrjedhura nga ky aksident, duke përfshirë vdekjen, dëmtimin e shëndetit apo të sendit, deri në limitet e përcaktuara me ligj. Ndërsa nëse aksidenti është shkaktuar nga një mjet i paidentifikuar, që është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, pala e dëmtuar ka të drejtë të dëmshpërblehet nga Fondi për dëmet me pasojë vdekjen, dëmtime trupore apo përkeqësimin e shëndetit, deri në limitet e përcaktuar në ligj, për dëmet që lidhen me dëmtimin e sendit që kalon vlerën 25.000 lekë, duke përjashtuar dëmin e shkaktuar makinës. Por nga Fondi i Kompensimit do të paguhen edhe dëmet në rastin e ndërprerjes së veprimtarisë apo falimentimit të shoqërisë së sigurimit. Palët e dëmtuara në këto raste, duhet të drejtohen pranë Byrosë Shqiptare të Sigurimit, nga ku do të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm për procedurën që duhet të ndiqet për dëmshpërblim.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: