Abuzimet me tenderët nuk po ndalen, APP: Ja shkeljet që bëhen ende me to

Abuzimet me tenderët nuk po ndalen, APP: Ja shkeljet që bëhen ende me to
Abuzimet me tenderat në Shqipëri nuk ndalen. Edhe pse e shigjetuar vazhdimisht prej institucioneve monitoruese, kjo dukuri duket se nuk po përmirësohet aspak. Këtë herë, është vetë Agjencia e Prokurimit Publik, e cila ka denoncuar shkelje të kryera me disa tendera. Fjala është për ata të zhvilluar gjatë periudhës shkurt-maj 2018, madje për këtë gjë, ajo ka ndëshkuar edhe disa punonjës të saj. Konkretisht, APP ka monitoruar 16 tendera me vlerë të vogël, ku të tillë cilësohen pikërisht ata me një vlerë jo më të lartë se 800 mijë lekë.

“Në kuadër të këtij monitorimi, APP ka konstatuar mangësi të ndryshme të autoriteteve në zbatimin e ligjit “Për rregullat e prokurimit publik”. Pothuajse në të gjitha procedurat e monitoruara, APP ka konstatuar mungesën e argumentimit të specifikimeve teknike dhe të kritereve të veçanta të kualifikimit, të përcaktuara nga autoritetet kontraktore në ftesën për ofertë”, cilëson dokumenti i posaçëm i institucionit në fjalë. Duke faktuar në këtë mënyrë se vazhdojnë shkeljet e zyrtarëve të shtetit, kur bie fjala për tenderime, qofshin ato edhe me vlerë të vogël.

“Por problematikë e evidentuar në disa procedura është edhe vendosja e kritereve, që janë të panevojshme dhe jo në përputhje me objektin e prokurimit, në kundërshtim me ligjin”, cilësojnë më tej ekspertët e APP-së. Për të evidentuar kështu një tjetër lloj shkelje që bëhet me tenderat, e kritikuar kjo edhe në raportet e mëparshme të saj.

“Autoritetet kontraktore kërkojnë në ftesën për ofertë një numër të madh dokumentesh, si certifikata ISO, licenca dhe leje mjedisore, kontrata pune të shoqëruara me librezat e punës dhe ato shëndetësore për punonjësit, ndërkohë që këto dokumente nuk kanë qenë të lidhura me objektin e kontratës. Por ato s’mund të përcaktojnë kritere pranimi apo specifikime teknike të pajustifikuara e që mund të pengojnë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të interesuar”, kritikon më tej APP-ja. Duke përfunduar se “vlerësimi i operatorëve ekonomikë në kundërshtim me kriteret e pranimit, të përcaktuara në ftesën për ofertë vazhdon të mbetet mangësi e procesit të prokurimit”.

 

SHKELJET

- Operatorët nuk vlerësohen sipas kritereve të pranimit

- Vendosen kritere që janë të panevojshme e sipas ligjit

- Kërkohen dokumente që nuk kanë lidhje me tenderin

- Nuk argumentohen specifikimet teknike që kërkohen

- Anëtarët e komisionit të prokurimit me konflikt interesi

- Refuzohen operatorët, u thonë se s’janë objekt i tenderit

- Nuk verifikohet dokumentacioni për operatorët fitues, etj.

 

“Anëtarët e komisionit në tendera, shpesh janë në konflikt interesi”

“Jo në pak raste, është konstatuar se anëtarët e komisionit të prokurimit me vlerë të vogël nuk deklarojnë mbi gjendjen e konfliktit të interesit, kur ata e kanë detyrim ligjor një gjë të tillë, në momentin e hapjes së ofertave dhe në tërësi, gjatë procedurave të prokurimit”. Kjo është një tjetër rezervë që Agjencia e Prokurimit Publik shfaq në lidhje me tenderat që zhvillohen në vendin tonë. Sikundër, shton edhe faktin se një tjetër mangësi është edhe ajo e mosverifikimit të dokumentacionit për ata operatorë ekonomikë që shpallen si fitues. “Në lidhje me klasifikimin e ofertave, është evidentuar se autoritetet kontraktore refuzojnë operatorët ekonomikë ofertues në procedura me argumentimin se nuk kanë si objekt atë të prokurimit”, vë gjithashtu në dukje ky institucion, bazuar pikërisht në monitorimin e kryer mbi disa tendera. Për të përfunduar me faktin se “një tjetër mangësi që vihet re në procedurat e prokurimit është edhe ajo e mungesës së një ndarje të qartë në dokumentacionin që duhet të paraqesin operatorët ekonomikë, për të provuar eksperiencat e mëparshme të tyre, nëse kanë qenë në privat apo shtet. “Autoritetet kontraktore duhet t’i referohen në çdo rast VKM-së përkatëse lidhur me kriterin e përvojës së mëparshme”, konkludon APP-ja.

 

Edhe KLSH-ja ka denoncuar: Nëpër tenderë bëhen shkelje!

Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, një institucion që monitoron përdorimin e fondeve publike, e ka kritikuar vazhdimisht dukurinë e abuzimeve dhe shkeljeve që kryhen gjatë proceseve të tenderimeve. “Grupi i dytë i shkeljeve më të mëdha pas menaxhimit të pronës, konstatohet pikërisht në fushën e prokurimeve publike”, pohon ai në raportin vjetor 2017. Duke saktësuar se vetëm “në fazën e përgatitjes së dokumenteve të tenderit janë konstatuar 415 shkelje, ose 75% të rasteve”. Për të vijuar me shifra të tjera, të tilla si 26 në mosplotësimin e kritereve të kualifikimit; 13 në skualifikimet e ofertuesve; 11 në hapjen e shqyrtimin e ofertave; 3 në ofertat anomalisht të ulëta; 12 në mosrespektimin e afateve kohore; deri edhe 69 shkelje ose 13% të rasteve në fazën e zbatimit të kontratave dhe dorëzimit të punimeve etj. “Janë konstatuar shkelje proceduriale në 672 procedura prokurimi, ose në 94% të procedurave të audituara, rezultat që tregon se fondet janë shpenzuar jo në përputhje të plotë me kërkesat ligjore”, cilësojnë gjithashtu ekspertët e KLSH-së. Duke përfunduar me apelin se për tenderat nevojitet që entet publike të ofrojnë një shkallë të lartë transparence, përgjatë gjithë ciklit të prokurimit, me qëllim promovimin e trajtimit të paanshëm dhe të drejtë të operatorëve ekonomike.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: