10 ARSYE PSE ALEANCA PD-LSI NUK MUND TË JETË FITUESE! – OPINION NGA ZAMIRA ÇAVO

10 ARSYE PSE ALEANCA PD-LSI NUK MUND TË JETË FITUESE! – OPINION NGA ZAMIRA ÇAVO
Nga Zamira Çavo

Nën presion interesash ose jo, aleanca PD-LSI nuk mund të jetë aleancë që do të funksionojë. Nuk bëj aspak Kasandrën, por me një vështrim empirik të realiteti cilido që largon nga sytë perden e militantit mund ta analizojë.

1- Partia demokratike gjatë gjithë periudhës së saj opozitare nën drejtimin e Bashës, nuk ka arritur qoftë edhe një fitore politike. Kjo dëshmon për paqartësi, mungesë programi dhe mangësi të theksuara organizative.

2- Z.Basha si lider i kësaj partie nuk ka asnjë cilësi që të inspirojë, apo të krijojë besim tek përkrahësit. Diskursi i tij politik është i vakët, pa thelb dhe shpesh i ngjan një aktori amator që aktron pa e kuptuar përmbajtjen e asaj që reciton.

3- Të rinjtë e partisë demokratike janë një kopje e keqe e kryetarit që sa herë dalin para kamerave aq herë dëshmojnë paaftësinë e tyre politike dhe narcizmin e tyre social.

4- Lëvizja socialiste për integrim, hyn në këtë aleancë me një histori të qëndrueshme tradhtish politike. Kjo e bën këtë parti të pabesueshme në aleanca politike dhe pse interes mund ta kërkojnë një të tillë. LSI është gjithnjë në “lëvizje” për të kërkuar partner që i garantojnë asaj qëndrimin në politikë, ndaj fate mirë me një ofertë “kërcënuese” ajo mund ta lerë në baltë PD-në në momentin kulmor.

5- LSI e ka të domosdoshme të shfaqet si aktore kryesore e politikës, pasi lidershipi i saj është në vështirësi ligjore. Si e tillë LSI i intereson rrëmuja dhe “mosbindja civile”. LSI e vetme nuk arrin të ngrejë as siparin e shfaqjes politike ndaj i duhet detyrimisht një parti e madhe. Kjo do të thotë se LSI kërkon me ngulm të përfshijë PD-në në rrugën e saj por jo për të realizuar qëllimet e përbashkëta të opozitës por për t’u bërë “faktor i rëndësishëm” politik në kohen e reformave të mëdha, duke siguruar të ardhmen e saj politike.

6- Partia Demokratike e nxitur nga z Berisha, mik besnik i ish liderit të LSI-së, me siguri do të bjerë në kurthin e LSI-së duke humbur edhe njëherë vlerat e saj opozitare.

7- Diskursi politik i lidershipit të LSI_së është jo vetëm acarues por edhe destabilizues për vendin dhe kjo nuk mund të dakordësohet me vullnetin popullor i cili është lodhur me trazira, djegie e shkatërrime. Ndaj me sondazhe të kryera rezulton se dalja publike e lidershpit të LSI-së në publik ose shkakton irritim dhe përbuzje ose qeshje e humor pafund.

8- Aleanca PD-LSI nuk ka gjetur dot kalin e betejës politike. As z.Basha e as znj. Kryemadhi nuk janë në kushte të flasin për “luftë kundër korrupsionit” apo “krimit të organizuar” apo kapjes së shtetit. Të dy këta në sytë e opinionit publik më së pari duhet të japin llogari për çka i kanë bërë këtij vendi dhe këtij populli. Ndaj aleanca është kështu pa vizion.

9- Politikisht të dy lidershipët e kanë të qartë se z Rama nuk mund të rrëzohet me dhunë dhe aq më tepër me “rrëmuja” që fshehin synimet e vërteta. Pra qëllimi nuk është rrëzimi real i Ramës, por krijimi i tymnajave që garantojnë jetëgjatësinë në politikë të atyre që duhet të dalin para drejtësisë sa më parë.

10- Së fundmi është fatkeqësi për vendin që opozita politike shqiptare përfaqësohet nga një aleancë e tillë e cila mund ta mbajë në pushtet z Rama, sa ‘ti dojë qejfi këtij të fundit! Duket se ka ardhur koha për daljen në skenë të një opozite reale njerëzish të ndershëm që e duan vendin dhe popullin! Unë shpresoj dhe besoj se brezi i djemve e vajzave që kanë parë botën demokratike, që janë arsimuar aty së bashku me djem e vajza të Shqipërisë së vërtetë (dhe jo paramilitarë si LSI-stat e “vegjël”) mund ta bëjë vendin dhe t’i japin popullit një elitë të re politike!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: