Vaporet, kujdesi që duhet të kemi me fëmijët gjatë stinës së nxehtë

Vaporet, kujdesi që duhet të kemi me fëmijët gjatë stinës së nxehtë
Irritimi i lëkurës nga nxehtësia është më i zakonshëm te fëmijët, pasi gjëndrat e tyre të djersës ende nuk janë maturuar e nuk funksionojnë siç duhet. Nga ky irritim shfaqen puçrra të vogla të kuqe në pjesët ku trupi është më i nxehtë, veçanërisht në qafë, fytyrë, bërryla dhe poshtë gjunjëve

Sonila Isaku

Një mjedis i nxehtë dhe i paajrosur mund të shkaktojë irritime të lëkurës, pasi temperaturat e larta nxisin procesin e djersitjes e për pasojë gjëndrat e djersës zmadhohen dhe inflamohen. Irritimi i lëkurës nga nxehtësia është më i zakonshëm te fëmijët, pasi gjëndrat e tyre të djersës ende nuk janë maturuar e nuk funksionojnë siç duhet. Nga ky irritim shfaqen puçrra të vogla të kuqe në pjesët ku trupi është më i nxehtë, veçanërisht në qafë, fytyrë, bërryla dhe poshtë gjunjëve. Mjekja dermatologe pediatre, Dr. Erjona Shehu, këshillon se për të shmangur shfaqjen e këtyre puçrrave duhen pasur parasysh këto këshilla: Fëmija nuk duhet veshur trashë në verë, duhet larë me ujë 33-37 gradë celcius dhe të thahet mirë me peshqir, prindërit duhet të sigurohen që temperatura e dhomës të mos jetë shumë e lartë dhe ajri të qarkullojë, nëse puçrrat nuk zhduken pas 12 orësh, atëherë duhet kontaktuar me mjekun.

Vaporet

Puçrrat e vapës janë një shpërthim puçrrash të vogla (prush) në lëkurë, të shkaktuara nga mbinxehja e tepërt e fëmijës. Kjo situatë është e shpeshtë gjatë stinës së verës, veçanërisht te foshnjat në vitin e parë të jetës. Në përgjithësi, shfaqet në lëkurën e fytyrës dhe pjesët ku lëkura formon palosje, (kofshë, krahë), prush në ngjyrë rozë në fytyrë dhe në palat e lëkurës, por në disa raste mund të mbulojnë edhe gjithë lëkurën e trupit.

Këshilla

Por çfarë duhet të bëjnë prindërit, kur përballen me situata të tilla te fëmijët e tyre të porsalindur apo ata që janë në vitet e parë të jetës? Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me veshjen lehtë të fëmijës, të cilat duhet të jenë vetëm të pambukta. Po kështu, këshillohet që fëmija të jetë i zbuluar nga mbulesat e rënda e të trasha në shtrat. Banjat e shpeshta me ujë të vakët, si dhe fshirja e lehtë më peshqir e puçrrave të vapës, është një tjetër këshillë që japin mjekët specialistë. Kur të thahet lëkura, mund të vini një krem hidratues për fëmijë. Këshillohet që fëmija të mbahet në hije dhe jo direkt në kontakt të drejtpërdrejtë me rrezet e diellit. Nëse problematika nuk kalon, atëherë këshillimi me mjekun është i domosdoshëm në rastet kur skuqja si prush nuk zhduket brenda 12 orëve.

Infeksioni

Infeksioni i lëkurës i shkaktuar nga virusi i quajtur Herpes Simpleks, shfaqet në formën e një plage në trajtën e një grumbulli vezikulash, që kur thahen bëhen me kore. Ky virus qëndron i heshtur në pjesën e fundit të nervave. Ai kalon nga prindërit te fëmijët, me anë të puthjes. Një rritje në temperaturën e lëkurës prej diellit të fortë, etj., mund ta gjallërojë virusin dhe të çojë në formimin e një plage. Këto plagë nuk janë të rrezikshme, por duhet mjekuar.

Lëkura skuqet dhe shfaqen puçrra të vogla gjatë buzës dhe poshtë hundës, që bashkohen dhe formojnë një plagë. Kjo fazë zgjat 10-14 ditë. Në kohën që këto plagë zhvillohen, fëmija mund të ankohet për dhimbje në fytyrë, në vesh dhe gjatë përtypjes, sepse nervat e fytyrës ndikohen nga virusi. Plagët janë shumë ngjitëse dhe fëmija mund t’i përhapë në pjesë të tjera të fytyrës, me anë të prekjes. Me shfaqjen e këtyre shenjave, fëmija patjetër duhet dërguar te mjeku. Mjeku mund të rekomandojë mjekim nga goja dhe mjekime lokale, në varësi të situatës klinike.

Kremrat e lëkurës

Kush mendon se kremrat kundra diellit arrijnë të bëjnë mrekullira në mbrojtje të lëkurës, gabohet. Mjekja dermatologe tregon se, edhe kremi më i mirë me faktorë mbrojtës 50 për qind, nuk do të arrinte të mbronte fëmijët më shumë se dy orë në ditë pas çdo lyerje, dhe kjo nëse ata nuk futen në ujë. Këshillë e rëndësishme është marrja e masave mbrojtëse shtesë për fëmijët, edhe gjatë kohës që janë në çadër ose nën një strehë, nisur kjo nga i nxehti i pazakontë që po përjeton vendi që arrin deri në 41 gradë celsius. Ajo që këshillohet është veshja e një bluze të bardhë me mëngë dhe për të shmangur rrezet e diellit, duhet të qëndroni në çadër.

Lëkura

Asnjë fëmijë nuk gëzon mbrojtje ndaj rrezeve UVA dhe UVB, pavarësisht pigmentit të lëkurës. Ngjyra e çelet, sy të çelët, flokë të çelët, ruajtja duhet të jetë maksimale, ndërsa për personat që kanë ngjyrë të errët edhe ata kanë faktorin e tyre mbrojtës, i cili duhet të jetë minimumi 6 ose 8 SPF. Por kremrat mbeten vetëm aksesorë ndihmës, që ofrojnë një filtër mbrojtës për disa nga rrezet e dëmshme, por pa ndikim në ruajtjen e balancës së lëngjeve te një trup që ekspozohet në diell; dermatologia shpjegon se ekspozimi në diell largon sasi të madhe uji nga trupi dhe kjo përbën rrezik të konsiderueshëm. Të paktën, 1.5 litra ujë do të ishin të domosdoshme për trupin, ndërkohë që humbjet janë të mëdha. Sot, shkenca mjekësore ka treguar se një mbrojtje e mirë e lëkurës në fëmijëri, do të ulte në maksimum rrezikun për kancer të lëkurës pas të 50-tave, pasi 25 për qind e dëmeve që bëhen në lëkurën tonë nga mosha madhore, vjen si rezultat i keqekspozimit në fëmijëri.

 

Këshilla

Ç’mund të bëni për të parandaluar puçrrat e vapës!

Në stinën e nxehtë visheni lehtë fëmijën me veshje të lehta pambuku;

Zbulojeni fëmijën nga mbulesat e rënda e të trasha në shtrat;

Bëjini banjë me ujë të vakët;

Nëse ka puçrra, mos e fshini fort pas larjes, por thajeni lehtësisht lëkurën me peshqir;

Kur të thahet lëkura, mund të vini një krem hidratues për fëmijë;

Mbajeni në hije, jo në rrezet direkte të diellit;

Këshillohuni me mjekun, nëse skuqja si prush nuk zhduket brenda 12 orëve.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: