Turizmi dhe emigrantët "shembin" valutat e huaja, mbivlerësohet sërish leku

Turizmi dhe emigrantët "shembin" valutat e huaja, mbivlerësohet sërish leku
Referuar kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të gjitha valutat kryesore kanë shënuar rënie ditën e sotme.

Një euro u këmbye sot me 125.49 lekë, me një nënçmim prej 0.02 lekësh në krahasim me një ditë më parë, duke mbetur në nivelin më të ulët që prej datës 6 qershor, kur Banka e Shqipërisë filloi ndërhyrjet në tregun valutor për të frenua rënien e pakontrolluar të euros. Në tkurrje më të fortë ishte dollari, i cili ra sot me 0.27 lekë, duke u këmbyer me 108.28 lekë.

Paundi britanik ishte gjithashtu i nënçmuar. Ai këmbehej ditën e sotme në tregn vendas me 140.34 lekë, me një rënie prej 0.38 lekësh në krahasim me fillimin e javës.

Franga zvicerane është monedha tjetër e rëndësishme që ka parë një zhvlerësim në tregun e brendshëm, duke rëne me 0.26 lekë, në 108.79 lekë.

Rënia në bllok e valutave kryesore tregon se monedha vendase mbetet e fortë. Më shumë se një tregues i nivelit të fortë të ekonomisë, mbiçmimi i lekut në këtë periudhë është tërësisht i lidhur me fluksin e lartë të hyrjes së valutave në vend nga emigrantët, ku mbizotëron euro, por nuk mbeten pas edhe paundi britanik (emigratët që vijnë nga Anglia) dhe dollari raporton Monitor.

Rreth 40% e popullsisë shqiptare jeton jashtë, sipas të dhënave zyrtare, një nga përqindjet më të larta në botë. Përveçse dërgojnë rregullisht para tek të afërmit, një pjesë e tyre vijnë për pushime në vend në gusht, apo në dhjetor, që janë dhe periudhat kur tradicionalisht ka pasur një forcim të monedhës vendase për shkak të rritjes së fluksit të valutave.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: