Stina e nxehtë, si të kujdesemi për shëndetin mendor

Stina e nxehtë, si të kujdesemi për shëndetin mendor
Aktivitetet fizike, leximi i një libri, takimi i miqve të vjetër dhe largimi nga rutina e përditshme, është këshilla që japin specialistët e Institutit të Shëndetit Publik për të gjithë ata persona që kanë një periudhë të ngarkuar gjatë stinës së verës. Po kështu, këshilla jepen edhe për ata që kanë një familjar me depresion dhe si duhet të sillen në këto raste

Sonila Isaku

Vera është stina që na ofron ngrohtësi dhe mundësi të jemi më aktivë në mjediset e hapura, të përfshihemi më shumë në aktivitete sociale dhe të pushojmë pranë bregdetit. Edhe pse vera mund të konsiderohet një stinë festive dhe argëtuese, për shumë njerëz aktivitetet e mësipërme mund të sjellin stres dhe ankth. Një program pune më elastik, aktivitete të shumta sociale dhe pritshmëria për të qenë të shkujdesur, mund të rrisin presionin te personat që vuajnë nga ankthi ose depresioni. Disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë për të menaxhuar sa më mirë simptomat e stresit dhe ankthit.

Jini aktivë

Aktiviteti fizik është një mënyrë mjaft e mirë për të ulur ankthin. Kënaqësia që merret nga rrezet e diellit, ecja dhe vrapimi, ndihmojnë në qetësimin e mendimeve shqetësuese. Notoni rregullisht, merrni një biçikletë, bëni ecje në mal ose merrni pjesë në kampe pushimi verore, në mënyrë që të çlironi endorfinat dhe të merrni vitaminën D.

Vendosni objektiva

Sfidoni veten dhe vendosni objektiva, trajnohuni për një maratonë vrapi ose angazhohuni në një aktivitet tjetër fizik. Edhe pse mund të duket e vështirë, një regjim i caktuar fizik mund të rrisë vetëbesimin dhe kënaqësinë në përmbushjen e një objektivi të caktuar. Mos i shmangni sfidat gjatë verës. Edhe pse fillimisht mund të ndiheni të pasigurt ose të frikësuar, ndjesia e daljes nga “zona e komfortit”, do t’ju gjallërojë.

Bëni një shkëputje

Ndryshimi i mjedisit ose shkëputja për pak kohë nga mjedisi i zakonshëm ku ju shpenzoni kohën, mund të jetë një mënyrë e mirë për të lehtësuar mendimet ankthioze. Qëndrimi në një mjedis të ri, përfshirja në aktivitete aventureske, shpenzimi i kohës me të dashurit tuaj, shkëputja nga rutina dhe streset e përditshme, do t’ju bëjnë të ndiheni energjikë. Shkoni diku me partnerin, shokun ose një person të dashur për ju, qoftë edhe për një ditë. Do të shikoni që efektet pozitive do të jenë të menjëhershme.

Bëni aktivitet jashtë shtëpisë

Ekspozimi ndaj rrezeve të diellit dhe ajrit të pastër, dihet që rrit nivelin e serotoninës, e cila redukton ankthin. Qëndrimi në mjedise të hapura ofron një ndjenjë qetësie dhe mirëqenieje. Në verë zhvilloni aktivitete rutinore jashtë si p.sh. kopshtari. Kjo gjë do t’ju nxisë që të shpenzoni më shumë kohë jashtë dhe do t’ju ndihmojë që të ndiheni të realizuar në një punë që ju ka dhënë fryte.

Praktikoni “mindfullnes” dhe meditimin

Mindfullnes nënkupton të qenit i vetëdijshëm tani dhe këtu. Përpiquni që çdo ditë të shpenzoni pak minuta duke u përqendruar në atë që dëgjoni dhe shikoni; pra, në atë që ndodh përreth jush. Përqendrimi në ndjesitë, përjetimet që ju jep dëgjimi i tingujve që ofron natyra ose valët e detit, përjetimet ndjesore të prekjes së barit në natyrë dhe rërës në plazh, ndjesia e rrezeve të ngrohta të diellit në lëkurë apo flladi, ju bëjnë që të ndiheni njësh me realitetin dhe ju ndihmon të ndërprisni mendimet reuminative (mendime shqetësuese ngulitëse).

Bëni pushime për t’u qetësuar

Zakonisht ndodh që kohën e pushimeve ta përdorim për të bërë disa detyra të pambaruara apo të lëna pezull, punë shtëpie, etj. Gjatë verë lejen shpenzojeni për t’u kujdesur për veten. Përzgjidhni një libër që keni dashur të lexoni, shkoni në pishina, takoni një mik të vjetër të cilin keni kohë pa e takuar. Shpenzimi i kohës për t’u qetësuar dhe për t’u kënaqur me miqtë do t’ju japë energji, do t’ju ulë stresin dhe do të ndiheni të rigjeneruar.

Jetoni me dikë që është me depresion?

Të jetosh me dikë që është me depresion është e vështirë. Më poshtë, ju do të gjeni disa sugjerime që mund t’u referoheni për të ndihmuar personin me të cilin jetoni dhe që vuan nga depresioni, ndërkohë që kujdeseni edhe për veten tuaj. Por çfarë duhet të dini?

Depresioni është një sëmundje dhe jo dobësi e karakterit. Depresioni mund të trajtohet. Se cili trajtim është më i mirë dhe sa kohë zgjat depresioni, kjo varet nga shkalla e ashpërsisë së tij. Mbështetja nga personat të cilët kujdesen, miqtë dhe familjarët, lehtëson procesin e shërimit të depresionit. Është e nevojshme të jeni të duruar dhe të vendosur, pasi shërimi kërkon kohë. Stresi përkeqëson depresionin.

Këshilla

Çfarë duhet të bëjë një person kur ka një të afërm ose mik me depresion? Specialistët e ISHP-së japin një sërë këshillash që kanë të bëjnë me: bëjuni të qartë se ju doni t’i ndihmoni, t’i dëgjoni pa dhënë gjykime dhe t’u ofroni mbështetje; kërkoni më shumë informacione mbi depresionin; inkurajojini që të kërkojnë ndihmë profesionale nëse është e mundur. Sugjeroni që t’i shoqëroni në takimet që kanë; nëse mjeku ka rekomanduar mjekime, ndihmojini ata që të marrin mjekimet ashtu siç janë rekomanduar nga mjeku. Bëni durim; zakonisht duhet të kalojnë disa javë që ata të ndihen më mirë; ndihmojini ata që të kryejnë detyrat e përditshme, të ushqehen dhe të flenë rregullisht; inkurajojini që të bëjnë aktivitet fizik në mënyrë të rregullt, si dhe të kenë një jetë aktive sociale; inkurajojini që të fokusohen në aspektet positive në vend të aspekteve negative; mos i lini vetëm nëse mendojnë të lëndojnë veten, apo nëse e kanë lënduar veten qëllimisht. Kërkoni ndihmë të mëtejshme nga shërbimet e emergjencës ose nga një profesionist shëndetësor. Ndërkohë, mbani larg mjete të tilla si medikamente, objekte të mprehta dhe armë zjarri; kujdesuni edhe për veten tuaj. Përpiquni të gjeni mënyra për t’u relaksuar dhe vazhdoni të bëni gjëra që ju japin kënaqësi.

Mos harroni! Kur jetoni me dikë që është me depresion, ju mund ta ndihmoni atë që të shërohet, por ndërkohë duhet të kujdeseni edhe për veten tuaj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: