Sezon i ri, favoritë të rinj për titullin kampion

Sezon i ri, favoritë të rinj për titullin kampion
Kukësi, Partizani dhe Flamurtari ndoshta për herë të parë në histori e nisin sezonin me të njëjtin objektiv: titullin kampion

Aranit Muraçi

Dy ekipet e vetme shqiptare që kanë mbetur në Europë kanë pak shanse kualifikimi për në raundin e tretë kualifikues, ndërsa të 10 skuadrat pjesëmarrëse në Kategorinë Superiore kanë nisur përgatitjet dhe po kryejnë lëvizjet e fundit, për objektivat që kanë para sezonit të ri. Deri tani, nga merkatoja dhe përbërjet,  tre ekipe shihen si më favorite për të fituar titullin kampion.

Flamurtari

Trajneri Ilir Daja, i cili drejtoi Skënderbeun drejt titullit kampion, mori këtë sezon drejtimin e Flamurtarit. Ardhja e një trajneri me eksperiencë dhe me mentalitet fituesi, kishte një logjikë: Flamurtari kërkon të lërë pas zhgënjimin e sezonit të fundit. Pasi ka ruajtur organikën dhe ka bërë disa blerje të rëndësishme gjatë verës, Flamurtari do të zhvillojë përgatitoren e verës në Patras të Greqisë. Daja pret edhe disa përforcime. Sezoni e ri besohet se e gjen ekipin vlonjat në një prej ekipeve pretendente për titullin kampion. Mjafton që disa nga lojtarët kryesorë kanë rinovuar, si dhe të ardhurit gjatë verës konsiderohen cilësore: Agustin Torassa, Franc Veliu (ka rinovuar), Ene Koliçi, Blerim Kotobelli, Idriz Batha, Tomislav Busiç (ka rinovuar), Artim Polozani (ka rinovuar), Emiljano Musta (ka rinovuar), Muhamed Useini (ka rinovuar), Goran Siljanovski (ka rinovuar).

Partizani

Partizani ndërroi trajner para fillimit të sezonit. Skënder Gega, ish-lojtar i shquar i Partizanit ndër vite, me rikthimin e tij si trajner ka shtuar optimizmin në kampin e kuq, për të rikthyer titullin kampion. Të kuqtë lanë pas një sezon zhgënjyes, por fituan të drejtën e pjesëmarrjes në Europë, falë dënimit të Skënderbeut. Përballë Maribor të Sllovenisë (ekip favorit për të shkuar në fazën e grupeve), Partizani pas dy humbjeve, mbyll përvojën evropiane dhe nis përgatitjet për sezonin e ri. Skënder Gega kontaktoi ën Slloveni sulmuesin shkodran Ruben Hebaj, i cili luante me Domzale, duke e bindur që të rikthehet në Shqipëri. Hebaj firmosi për një sezon me Partizanin, por vjen në formë huazimi deri sa të mbyllë kontratën me sllovenët dhe shihet si përforcimi i duhur i sulmit. Shkodrani i talentuar është zbuluar nga Gega, kur ky i fundit ishte pjesë e Vllaznisë dhe Kombëtares U-21. Gega ka gërshetuar eksperiencën me të rinjtë e talentuar. Alban Hoxha do të jetë sërish kapiten i Partizanit, ndërsa boshti aktual është: Atanda, Gojkoviç, Ibrahimi, Trashi, Telushi, Mala, Hila, Asani, Bardhi dhe Progni.  Abdurrahimi, Kalari, Hebaj dhe përforcime të tjera që pritet të realizohen i kthejnë të Të Kuqtë në pretendentë për këtë sezon.

Kukësi

Artur Reginaldo, futbollisti i Mozambikut që spikati te Luftëtari e Laçi në dy sezonet e fundit, i bashkohet Kukësit si pasuesi ideal i sulmuesit Sidrit Gruri, që u largua në Belgjikë. Reginaldo synohej nga Partizani por u bashkua me nën-kampionët e Shqipërisë dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës në Champions League, ndaj Qarabag.  Ardhja e Rexhinaldos është një vlerë më tepër dhe një ndihmë më tepër për Kukësin, në Europë dhe në kampionat. Besoj që do të jenë të gjithë gati,” - theksoi trajneri Armando Cungu. Nën drejtimin e shkodranit, edhe pse me pak shanse kualifikimi, Kukësi kërkon të kalojë edhe raundin e dytë kualifikues në Champions. Nën-kampionët e Shqipërisë pritet ta nisin me pretendime të larta për titullin kampion sezonin e ri, falë edhe përforcimeve të fundit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: