RRËFIM I RRALLË I VITO KAPOS...Si u bëra sekretarja e parë e Enver Hoxhës

RRËFIM I RRALLË I VITO KAPOS...Si u bëra sekretarja e parë e Enver Hoxhës
Bashkëshortja e njeriut më të afërt dhe më të besuar të Enver Hoxhës, Hysni Kapos, e cila tashmë jeton në një shtëpi modeste, vjen me një intervistë të rrallë, të cilën pranoi ta japë për “Albanian Free Press”. Një rrëfim interesant i detajeve të jetës së Vito Kapos, ish-Presidentes së Bashkimit të Grave të Shqipërisë për 34 vjet rresht dhe ish-ministres së Industrisë së Lehtë. Por që tani jeton në katin e parë të një ndërtese, e cila dikur ka qenë institut studimesh, diku para "21 Dhjetorit". Vito Kapo njihet nga opinioni si pjesëmarrëse që në moshë të vogël në Luftën Nacional-Çlirimtare, ku u njoh dhe me Hysni Kapon, me të cilin edhe u martua. Gjithçka mbi deputeten e të gjitha legjislaturave të Parlamentit komunist ...

Përgatiti ekskluzivisht për “Albanian Free Press”:

Albert Z. Zholi

Pa shkuar në kryqëzimin e  rrethrrotullimit të lagjes "21 Dhjetori" në rrugën e Kavajës, duke u futur djathtas 20 metra dhe më tej, po kaq metra majtas, në një ndërtesë 3-katëshe të ndërtuar në sistemin komunist, disa metra larg Studimeve Albanologjike ndodhet shtëpia e Vito Kapos. Një ndërtesë e vjetër 3-katëshe ku kati i tretë thuajse i rrënuar nga mosmirëmbajtja dhe vende-vende duket e rrënuar. Pallati është i rrethuar me kangjella hekuri deri në lartësinë prej 1.2 metrash. Kangjellat më shumë janë të ndryshkura dhe vende- vende bie në sy boja blu, e cila ndoshta do ketë vite që është lyer. Sa hap derën e vogël të hekurt që kërcet nga ndryshku, 1.5 metra larg saj ndodhet dera hyrëse e banesës së Vitos. Në të djathtë të saj ndodhet zilja e banesës. Me ngjyrë kafe të pastër, ajo ka edhe një sy magjik.

Brenda shtëpisë

Sa hyn, ndesh një korridor të gjatë 3 metra, ku majtas është dera e një dhome dhe në fund majtas has në disa shkallë druri që të çojnë në katin e dytë. Ndërsa në të majtë sa kthehesh është një korridor 4 metra i gjatë dhe 2 metra i gjerë ku bie në sy një bibliotekë ngjyrë kafe, nw tw cilwn janë sistemuar rreth 1 mijë e 500 libra, të botuara kryesisht në sistemin komunist por edhe të rinj. Kur i sheh me vëmendje ato libra, me vërtet mund të thuash që përbëjnë një thesar.  Në fund të korridorit, përballë është një portret i madh 1.2 x 1 metër e Hysni Kapos në kohën e luftës (kanavacë-vaj).  Ndërsa në mes të korridorit djathtas është dera që të çon në dhomën e Vito Kapos. Sa hyn, ajo çohet në këmbë. I shoqëruar nga miku i saj familjar, Hasan Hoxha, ajo na jep dorën duke na urdhëruar mirëseardhjen. Dhoma kishte një mobilim modest, ku mbizotëronin kolltukët ngjyrë bezhë me jastëkë blu të mbajtur pastër, shumë pastër, edhe pse të vjetër. Dhoma ishte si një farmaci. Në kolltukun që ishte ulur, mbi kokën e saj ishin tre foto me korniza të thjeshta. Në qendër, një foto e Hysni Kapos me Viton dalë në vitin 1970 në Dhërm; në të majtë një foto familjare, ku Hysniu me Viton kishin dalë me të gjithë familjarët dhe në të majtë, një portret i Alqi Kondit, vëllait të Vitos. Në të majtë të krahut të saj (të djathtë tonin)  gjysmë metër larg derës, në lartësinë 1.2 metra mbi dysheme, ndodhet një portret 1.2 x1 metër i Hysni Kapos i pikturuar nga "Piktori i Merituar" Rakip Shabani (kanavacë- vaj). Përballë saj (mbrapa nesh) në mur janë 7 fotografi të ndryshme të Hysni Kapos me Viton apo dhe fëmijët. Të gjitha, në korniza  të thjeshta. Në të majtë tonin është një dritare 1.2 x 0.8 metra me perde të bardha të pastra, ku afër saj është një komodinë e thjeshtë kafe, ku është vendosur një televizor 22 poltsh plazma. Para se të fillojë të rrëfejë, Vitoja na pyet për familjet, shëndetin, punën dhe na qeras me nga një gotë raki sipas traditës, ku dhe vetë troket një gotë me ne.  E thinjur, me një fytyrë të pastër ajo flet ngadalë me një zë të qetë, duke rrëfyer pa asnjë gabim pyetjeve që iu drejtuan...

Shoqja Vito, kohët e fundit në shtypin e ditës, por dhe në shumë panele televizive flitet kundër Luftës Nacional-Çlirimtare, madje arrihet të thuhet se nuk është bërë luftë fare? Cili është mendimi juaj për këtë luftë?

Kam dëgjuar edhe unë në televizione shumë debate të tilla, ashtu siç kam lexuar edhe në shtypin e ditës. Lexoj dhe nuk mund t’i besoj. Më duket si një ëndërr e keqe. Lufta Nacional- Çlirimtare është lufta më heroike e popullit shqiptar, është lufta më e organizuar dhe më e madhe në gjithë historinë e tij, Këtë nuk e kam thënë vetëm unë, por e kanë shkruar me dorën e vet të gjithë përfaqësuesit e aleatëve që kanë qenë tek ne në këtë luftë ashtu siç është vlerësuar edhe nga ish-Bashkimi Sovjetik. Për të gjithë ata që e mohojnë këtë luftë, edhe unë do t’u shtroj pyetjet: Ku u formuan të gjitha ato formacione partizane? Pse dërguan përfaqësuesit e vetë aleatët tek ne në këtë luftë? Pse vetë dokumentet gjermane përcaktojnë me saktësi shumë beteja të zhvilluara? Pse ato dokumente përcaktojnë dhe kohën e largimit të trupave gjermane nga Shqipëria? A i kanë lexuar këta pseudo-historianë dokumentet e ushtrisë italiane se si trupat partizane përlesheshin me ta? Ku u vranë gjithë ato bijë dhe bija të popullit shqiptar për çlirimin e vendit? Kush i largoi pushtuesit italianë nga Shqipëria? Kush i shpërndante traktet në Tiranë dhe në qytetet e tjera kundër pushtimit? Kush i godiste  fashistët në Tiranë, Korçë, Durrës etj sa ata nuk gjenin qetësi? Pra, për të gjitha këto më duhet ditë dhe netë, apo dhe muaj që të sjell fakte të pakundërshtueshme. Por nga ana tjetër, urdhëro shiko fotot ku unë kam dalë partizane me shoqet e mia. Ku i gjetëm këto rroba? Po armët ku i morëm? Pse ikëm nga Instituti femëror "Nëna Mbretëreshë"? Po shumë foto që kanë dalë partizanët në luftë me italianët dhe gjermanët që i kanë bërë fotoreporterë të huaj vallë false janë? Si ishte kalimtare Gjermania kur bëri dy operacione kundër ushtrisë Nacional- Çlirimtare? Kundër kujt luftoi? Po pse ishte kalimtare Gjermania në Shqipëri, kur qëndroi mbi një vit? Kalimtar do të thotë kalo dhe ik për 3-4 ditë se je ushtri e motorizuar, moderne. Pra, ka me qindra shembuj dhe argumente që të gjithë ata që hedhin poshtë këtë luftim duan të mbulojnë gabimet e tyre, por dhe të evidentohen në panele pa asnjë fakt dhe meritë. Kush hedh poshtë këtë luftë, hedh baltë për trimat e popullit që e dhanë jetën në lulen e rinisë.

Por sot "Balli Kombëtar" hedh shumë baltë mbi luftën si  ato që “partizanët nuk kanë bërë luftë”, “partizanët kishin thjesht disa pushkë”, apo se “pushtuesit ishin kalimtarë” ...Madje thuhet se Balli Kombëtar ka luftuar pushtuesit aq sa partizanët. Mendimi juaj?

Këto janë shumë të thjeshta, i lexon kushdo janë dokumente të sakta nga të huajt, jo nga ne. Dihet shumë mirë që ballistët kishin katër veta prej radhëve të tyre në qeverinë kuislinge shqiptare. Pastaj mund të më thoni cilat ishin formacionet ushtarake të "Ballit Kombëtar"?. Sa brigada apo batalione kishte? Ku kanë luftuar? Cilat janë betejat e tyre historike? Po të rënët e tyre ku janë vrarë? Unë di të them se në vitet e luftës shumë të gënjyer të Ballit janë hedhur në radhët e partizanëve, se e ndjenë se ishin gënjyer. Madje ishin shumë. Por di të them dhe atë fjalën lapidar të të madhit Dritëro Agolli: Unë s'kam dëgjuar asnjë këngë të jetë ngritur për ballistët në luftë. Ju e dini? Në Shqipëri në atë kohë është bërë  një luftë heroike dhe këtë luftë e bëmë ne, bij e bija të këtij populli ku në radhët tona kishim 70 mijë partizanë. Lufta e tregoi qartë pasi nga ne ranë në fushat e betejave, në sulme dhe prita plot 28 mijë dëshmorë. Lexoni, shfletoni, kërkoni në arkivat jashtë nesh dhe do të gjeni se Balli nuk zbrazi asnjë pushkë kundër okupatorit, nuk bëri asnjë betejë, asnjë pritë, por përkundrazi bashkëpunoi me të. Ndaj si të barazohemi ne në këtë luftë me Ballin Kombëtar?

 

“Rolin e Enver Hoxhës në luftë nuk mund ta mohojë askush”

Një tjetër debat që është hapur është ai mbi rolin e Enver Hoxhës në luftë. Thuhet që nuk ka hedhur një pushkë dhe nuk ka qenë ndër udhëheqësit e kësaj luftë?

(Qesh). Njerëz që hedhin baltë për këdo që nuk u vjen për shtat ideve dhe qëllimeve të tyre do të ketë gjithmonë në jetë, kjo për shumë arsye. Rolin e Enver Hoxhës në luftë nuk mund ta mohojë askush. Enver Hoxha ishte udhëheqës largpamës, i cili në çadrën e tij nuk vinte gjumë në sy. Aty vinin korrierë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe sillnin informacione. Enveri i mblidhte dhe jepte rekomandimet e rastit. Ajo çadër nuk kushte gjumë kurrë. Sigurish,t Enveri nuk merrte pjesë sa herë kishte beteja, por sa herë u rrethua Shtabi Përgjithshëm, ai ka luftuar si gjithë partizanët. Udhëheqësit e Luftës asnjëherë në asnjë vend të botës nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në luftime. Besoj nuk ka marrë as Stalini, as Çurçilli, as Hitleri etj. Pra ,udhëheqësit kanë tjetër rol, nuk janë ushtarë të thjeshtë. Madje në luftëra të tilla, udhëheqësit ruhen me shumë kujdes, pasi nëse kapet rob apo vritet udhëheqësi, atëherë mbaron edhe lufta. Këto janë rregulla, apo ligje lufte. Por si duket sot... Nga ana tjetër, kur dëgjoj të barazojnë Enverin me Hitlerin, më vjen neveri. Një poshtërim i pabazë. Nuk kanë asnjë lidhje...

Ka pasur ndonjë rast që Enveri është rrezikuar seriozisht në luftë?

Po, në Helmës. Në operacionin e dimrit 1944, kur një togë ushtarësh gjermanë zbulues, gjoja duke marrë përsipër një bashkëbisedim me Enverin për ndalimin e luftës kishin marrë detyrë ta asgjësonin. Ishin truprojat e tij që ndërhynë në kohë dhe e shmangën këtë ekzekutim. Por edhe sa herë është rrethuar Shtabi i Përgjithshëm, aq herë është rrezikuar. Në çadrën e Enverit ishte gjithë dokumentacioni i luftës dhe ai ruhej me shumë kujdes.

Si do ta përcaktoje Enverin në  këtë luftë, po në marrëdhëniet me aleatët?

Enver Hoxha mbetet udhëheqësi kryesor i luftës. Këtë nuk mund ta mohojë askush, sido që ta deformojë historinë. Ishte një njeri shumë korrekt, që dinte të jepte udhëzime dhe të zgjidhte situata në mënyrë korrekte. Marrëdhëniet e tij me aleatët që ishin pranë Shtabit të Përgjithshëm ishin shumë korrekte. Këto përfaqësime tregonin dhe rëndësinë që i jepnin aleatët kësaj lufte. Kam parë vetë sesi ushtarakët aleatë që ishin pranë Shtabit të Përgjithshëm para se të futeshin në çadrën e Enverit, rregulloheshin dhe paraqiteshin ushtarakisht. Madje di që grada më e lartë e këtyre përfaqësuesve anglo-amerikanë ishte deri në kolonel. Enveri komunikonte tepër korrekt dhe ata e respektonin, madje hynin me shumë emocion në çadrën e tij, për vetë korrektesën dhe prezencën rigoroze të tij. Enveri nuk krijonte shumë miqësi, por mbante raporte të ndërsjella shumë të rregullta. Madje di të them se ndoshta kjo lidhje korrekte ka bërë që Enveri dhe Shtabi i Përgjithshëm në fund të luftës të mos lejonte trupat anglo-amerikane të zbarkonin në Sarandë, pasi Enveri u tha që “kur  kërkonim me ngulm nuk pranuat, tani në fund luftën e fitojmë vetë”.

Sot thuhen shumë fjalë për Enverin si feminist, imoral apo pederast. Si e keni njohur ju dhe cili është mendimi juaj për këto etiketime?

Enveri, siç e kanë thënë gjithë bashkëkohësit në rininë e tij ishte një djalë i gjatë, i bukur dhe që vishej me shumë shije. Mesa kam dëgjuar nga ata që e njihnin në Korçë, kam mësuar se vajzat dhe gratë e kanë simpatizuar shumë. Sigurisht, në rini njeriu ka edhe njohjet apo lidhjet e veta që unë nuk kam pasur interes t’i mësoj. Ndërsa unë do të flas për pjesën e luftës dhe pas saj, sa e kam njohur Enverin. E them me përgjegjësi se gjatë luftës dhe derisa ndërroi jetë Enveri kurrë nuk ka ngacmuar, nuk ka provokuar, apo të ketë pasur lidhje të tilla. Enveri që gjatë luftës dhe deri sa ndërroi jetë ka qenë i rrethuar me njerëz në çdo moment. Çdo lëvizje e tij ishte tejet e kontrolluar. Kurrë nuk kam dëgjuar fjalë të tilla për të gjatë gjithë jetës, pasi diçka do kishte vluar. Nuk e di se ku i gjejnë ata njerëz këto "fakte", që hedhin baltë pa të drejtë mbi të. Ndoshta bëhen nga njerëz që duan të evidentohen e që të ngjallin interes tek mediat. Nuk e di nga se janë nisur, por askush nuk flet me fakte. Ndoshta janë dhe të shtyrë nga segmente të caktuara. Nuk e di, nuk e di. Ata që i thonë, të tregojnë fakte. Unë fola me siguri me ato që e kam njohur Enverin.

Po ju vetë, ku ishit e angazhuar në ato vite lufte, si reagoi familja?

Unë, Alqi dhe Pirroja, pra dy vëllezër dhe një motër, u bashkuam me lëvizjen antifashiste dhe dolëm partizanë thuajse në të njëjtën kohë; unë në Gjirokastër, Alqi në Berat e Pirroja në Tiranë. Unë në atë kohë, në fillim isha në rajon, sekretare në Përmet, Lunxhëri, Libohovë. Pirro Kondi (vëllai im) më thoshte që të qëndroja unë sekretare, por unë thoja se nuk e bëj dot se është larg. Në ato kohë, unë quhesha me emrin Vito Kondi. Nëna ime në fillim nuk e priti mirë futjen time në radhët e luftës, sesi i dukej qe një vajzë të ishte në luftë. Por pastaj u ambientua dhe më përkrahu pa rezerva.

Ju keni një foto të luftës,  me dy shoqe të tjera, kush janë këto dy shoqet?

E para është Nefo Myftiu, që më vonë u bë bashkëshortja e Manush Myftiut. E dyta është Irfan Çoçoli dhe e treta jam unë. Kemi dalë në vitin 1943. Kishim disa muaj që kishim hyrë në luftë.

Ju para se të shkonit në luftë, ku kishit studiuar?

Unë kam qenë në Institutin femëror "Nëna Mbretëreshë". Aty kam njohur shumë vajza të cilat më vonë hynë në radhët e luftës. Më vonë shkova mësuese në fshatin Nivan të Zagorisë nga ku kam origjinën.

Po shoh një foto të vjetër me veshje popullore, ku keni dalë dhe çarë veshjesh janë?

Unë këtu kam dalë në 28 nëntor 1937, para Ministrisë së Arsimit, me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Jam e veshur me rrobat karakteristike popullore të krahinës së Zagorisë dhe kjo është një veshje që gjithmonë më ka pëlqyer. Unë isha veshur jo shumë mirë në raport me shoqet e mia, por ato rroba gjithmonë më kanë frymëzuar. Kam dashur t’i ruaj, por koha ka bërë të vetën dhe nuk e di se si më humbën. Lufta bëri të vetën.

Po në luftë a kishit një rregullore apo ligje të veçanta për ruajtjen e dinjitetit femëror?

Lufta kishte ligjet e veta për moralin. Për femrat kishte një rregull dhe respekt të jashtëzakonshëm. Dihet se për shkelje të këtyre rregullave ka pasur dhe dënime. Ne ishim shumë të mbrojtura dhe me shumë dinjitet. Në fillimet tona kishim komisar Manush Myftiun. Njëherë në verë unë vesha një këmishë, që i shkurtova krahët, ta kisha më freskët. Sa më pa me atë veshje, shoku Manush më foli ashpër. “Ta heqësh”, më tha. Ishte shumë strikt dhe konservator. Nuk lejonte, apo nuk toleronte në drejtim të nderit dhe respektit femëror. Kishte të drejtë. Atëherë, ballistët hapnin lloj-lloj thashethemesh për ne. Jo janë femra të përdala, jo femrat nuk janë për luftë, janë femra pa karakter që tregojnë se kush janë komunistët e vërtetë. Lloj-lloj thashethemesh përhapnin ballistët për ne, ndaj dhe nuk mund ta kritikoja shokun Manush. Por ne, me luftën tonë, me punën tonë treguam se kush ishim në të vërtetë.

“Hysniu, ky emër legjendar që e admiroja” 

E kishe menduar ndonjëherë se do të martoheshe me një lab? Si erdhi në jetën tuaj Hysni Kapo?

Nuk do ta besoni, por brenda meje sikur ishte ngulitur në mënyrë të pavetëdijshme që unë do martohesha me një lab. Ishte një ndjenjë e brendshme që nuk e di përse më kishte lindur. Madje sa herë më thoshte nëna se si e ke menduar të ardhmen martesën, i thosha unë do martohem me një lab, burrë të fortë dhe simpatik. Nuk mund ta di si erdhi brenda meje kjo dëshirë, por di të them se gjatë luftës kjo ndjenjë erdhi edhe më e fuqishme brenda meje kur filloi Lufta Nacional-Çlirimtare duke parë se lebërit ishin të parët që morën armët dhe filluan luftën për liri, duke parë se kjo luftë përmasat më reale i mori në Labëri, kjo ndjenjë e fshehtë sikur mori përmasa më të mëdha brenda qenies sime. Hysniun e kam njohur si emër legjendar, pra në fillim vetëm si emër. Ai kishte krijuar një emër të madh në luftë. Kisha dëgjuar shumë për të, por nga afër s’e kisha parë asnjëherë. Unë e admiroja si emër, por nuk e njihja për fytyrë. Në atë kohë, ai ishte kthyer në një figurë e njohur në Gjirokastër, pasi unë jam nga Zagoria. Hera e parë që e pashë me fytyrë ishte, kur po bëhej inaugurimi i Brigadës së VIII Sulmuese në Zagori. Djali i xhaxhait tim kishte mbaruar Shkollën Tregtare të Vlorës në një kohë me Hysniun. Vetë Hysniu e kishte kërkuar shokun e shkollës duke pyetur se ku është familja e Petro Kondit. Vjen Hysniu tek xhaxhai dhe takon shumë njerëz. Atë ditë nuk pata rast që ta takoja. Xhaxhai, të nesërmen vjen tek unë dhe më thotë: “Shko takohu me atë djalë”. Hysniu i la përshtypje shumë të mira xhaxhait. U nisëm dhe shkuam në Sheper të Zagorisë. Ishte viti 1944. Unë kisha edhe Nexhmijen me vete. Ishte takimi i parë, një ditë impresionuese. Pashë nga afër "Besnikun", i cili ishte bërë legjendë në atë kohë. Kur erdhi puna për të ngrënë drekë, pasi bëmë detyrat e rastit, bëmë fotografi, por dhe u prezantuam.

Herën e dytë që e kam takuar ka qenë në Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944. Unë isha caktuar me detyrën e organizmit dhe të pritjes së delegatëve. Duhet të dilnim në Frashër dhe të pritej Shtabi i Këshillit Nacional-Çlirimtar. Prej Frashërit, do shkonim në Përmet. U nis Munih Kokalari nga Gjirokastra dhe shkuam në Frashër e pritëm shtabin edhe u nisëm në këmbë. I prita dhe i takova të gjithë. Erdhën Bab Myslymi, Pirro Kondi, Hysniu, Haxhi Lleshi etj. Kur u bëmë bashkë, u nisëm. Unë po ecja në këmbë. Hysniu që nga fundi më pa, zbriti nga kali dhe më tha: “Merre kalin”. Ky ishte më i riu dhe më xhentili nga ata. E mora kalin e Hysniut për disa kilometra, ndërsa ai po ecte në këmbë. Pas disa orësh, unë i them rojes që t'i thoshte "Besnikut", që unë do të ikja në një rrugë më të shkurtër. Hysniu vetëm kështu pranoi të hipte në kalë. Unë mora gjoja një rrugë të shkurtër, por mbërrita vonë në Përmet. Kjo ishte njohja dhe xhentilesa e parë e tij ndaj meje. Pas Kongresit, duhej të largoheshim sipas detyrave. Por e mendoja gjithmonë kur ecja dhe netëve, pasi ai ishte ashtu siç unë e ëndërroja dhe që e kam përshkruar më lart. Por dua të them se ne jemi njohur më shumë në Berat, kur erdhën për mbledhjen e famshme të Beratit. Ishte viti 1944. Ai plenum s'ka të harruar. Ishte Plenumi i famshëm i Beratit, ku kritikohet ashpër nga jugosllavët Enver Hoxha. Atje ishin tre fraksione dhe në krye të tyre ishin jugosllavët. Ishte Sejfulla Malshova, Nako Spiro, Koçi Xoxe (më i forti). Jugosllavët morën pjesë në plenium dhe ngritën tezën që keni vrarë, prerë, masakruar gjatë Luftës. Kush i ka bërë? Enveri me gjeneralë të tjerë. Fjala ishte për masakrën e Lushnjës dhe atë të batalionit italian "Antoni Gramshi" të bërë nga Brigada që drejtonte Mehmet Shehu. Në lidhje me Enverin dhe Mehmetin ju tregoj"Mehmet Shehu ishte shumë i zgjuar shumë punëtor, shumë kërkues, por shumë nevrik. i ka pas gjithmonë për zemër njerëzit që debatonin, përplaseshin me të në mënyrë të argumentuar. Ai gjatë luftës ka vepruar dy herë gabim me batalionin italian "Garibaldi" dhe me popullsinë e Lushnjës. Ai na tregonte njëherë takimin që ka pasur babai i tij me Enver Hoxhën. Pra, Enveri kishte shkuar në fillim të luftës në shtëpinë e tyre. Biseda kaloi shumë këndshëm dhe ora kaloi shumë shpejt. Kur iku Enver Hoxha, babai im (thotë Mehmet Shehu) u thotë të pranishmëve në odë: Dëgjojeni atë djalë (për Enver Hoxhën) se është i zgjuar por edhe trim, jo si ky imi (dhe më tregon mua na thoshte Mehmeti), që është çakmak".

Në këtë kohë shkoj tek Koçi Xoxe dhe i them: “Unë nuk kam dorëzuar materialet për shokun Enver”. Pra, nga tre fraksionet do dilte kush do të ishte Komandant i Përgjithshëm. Enveri akuzohej më shumë për veprimtarinë e Mehmetit. Ishte një moment i vështirë. Dhe pse luftë, diçka ziente nën rrogoz. Kryesorja ishte që Enveri të shmangej nga drejtimi kryesor i luftës. Por dhe pse shumë debate, s'kishte njeri ta zëvendësonte Enverin. Ai ishte shumë i përgatitur. Ndaj fraksionet e tjera dhe ai i Koçit që mbështetej nga jugosllavët u thye. Mehmeti bëri autokritikë. Pra, në Berat ndodhën shumë ndryshime dhe Enveri u rrezikua shumë. Koçi Xoxe i përkrahur nga jugosllavët zgjodhi njerëzit e tij në shumë poste. Enverit i lanë ushtrinë, Koçi Xoxes partinë. Atëherë doli kënga: "Koçi Xoxe merr Partinë/ Enver Hoxha merr Ushtrinë". Nuk qe Enveri që dëgjohej, por qe Koçi Xoxe i cili kishte fjalën e tij në parti. Në Komitetin Qendror u zgjodh Kiço Ngjela, Petrit Dume dhe Manush Myftiu. Unë për një kohë të shkurtër kam qenë si sekretare pranë Enver Hoxhës, që nga muaji korrik deri në muajin tetor të vitit 1944 në Berat (në periudhën e luftës). Enveri kishte shumë kujtesë dhe imagjinatë. Ai bënte projekte dhe i shkruante direkt në makinë të shkrimit. I përpinte librat. Ndoshta e merrni si anekdotë, por ai lexonte në mënyrë vertikale. Nuk e humbte kurrë kohën kot. Ne të gjithë, përpara Enverit dridheshim. Një ditë më thotë se kishte ndodhur diçka me sekretarin politik të Vlorës. Për këtë çështje ai menjëherë përpiloi një material. Pasi e mbaroi më tha: "Do të shkosh tani te Koçi Xoxe që t'i tregosh shqetësimin që ka Partia dhe të lexojë materialin. Do t'i thuash se shoku Enver kështu mendoi t'i përgjigjet këtyre shokëve. Pyete se çfarë mendimi ka dhe në qoftë se dëshiron mund të bëjë shtesë në material". Shkova dhe i thashë Koçi Xoxes, ato çfarë më porositi shoku Enver. Ai e merr letrën dhe thotë: Mirë. Pas pak më thotë: Shkruaj. Ai bëri ca ndryshime në material por që s'm’u dukën të drejta dhe të ndërtuara bukur. Fillova të shkruaj ç'ka më diktonte Koçi. Pasi mbaroi, ai më thotë të shkoj t'ia lexoj Enverit. Pasi e lexon, Enveri më thotë: "Po mirë moj Vito, Koçi është punëtor, po ti ke shkollë? Ti nuk e di që çështjet kryesore vendosen në fillim dhe ato të çështjes së dytë vihen më pas? Nuk e sheh si e ka ndërtuar Koçi, duke u dhënë rëndësi atyre që janë të parëndësishme?". Pastaj Enveri e mori dhe e ripunoi vetë. Shumë herë mendoj se si e kam pasur kurajën që t'ia thosha shokut Enver ç'ka mendoja. Por sot e mendoj se e kisha atë guxim pasi ai më njihte dhe unë e njihja".

Shpërndajeni me miqtë tuaj: