Politika niset me pushime, ca provime i la “për vjeshtë”

Politika niset me pushime, ca provime i la “për vjeshtë”
Çështja e Teatrit Kombëtar, ajo e magjistraturës, e reformës zgjedhore, e hetimit parlamentar “Tahiri”, deri tek Asambleja e Partisë Socialiste: Të gjitha tani do presin muajin shtator për t’u zgjidhur, apo rinisur rrugëtimin e tyre drejt zgjidhjes...

Gushti, i njohur nga të gjithë edhe si muaji i pushimeve, po troket. Duke u vënë “drynin” thuajse të gjitha institucioneve shtetërore, por edhe selive të partive politike në vend. E ndërsa drejtuesit e tyre nisen me pushime, ca provime duket se u lanë “për vjeshtë”. Për të premtuar me rikthimin e tyre në shtator, sërish një arenë të nxehtë politike. Dhe jo vetëm.

Mjafton të përmendim këtu çështjen e Teatrit Kombëtar, e cila pas kthimit të ligjit nga ana e Presidentit të Republikës ditët e fundit, mbetet ende e hapur dhe parashikon në këtë mënyrë vijimin e debatit të ashpër politik rreth saj, që e shoqëroi politikën, por edhe opinionin publik vendas, për muaj të tërë.

Pa harruar këtu, as ligjin delikat të magjistraturës, i cili nuk u miratua nga deputetët në seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar. Duke lënë kështu, pezull diskutimin rreth një çështje të mprehtë që ka lidhje direkte me procesin e vetingut, pikërisht atë të shtimit të kuotave të magjistratëve që do të nxirren nga ky institucion, për të mundësuar kësisoj, zëvendësimin e gjyqtarëve apo prokurorëve të shkarkuar prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Nga ana tjetër, gjithmonë referuar zhvillimeve politike në vend, një çështje me rëndësi që është shtyrë për në shtator, të mos harrojmë se është edhe Asambleja e Partisë Socialiste. E programuar në fakt, që të zhvillohej në muajin korrik të këtij viti, kujtojmë se ajo u shty për në vjeshtë prej drejtuesve të kësaj force politike. Ka qenë grupi i saj parlamentar që e mori një vendim të tillë, duke bërë të ditur se analiza dhe bilanci i qeverisjes së majtë e këtij mandati të dytë do të bëhet pikërisht pas pushimeve të gushtit. Situatë kjo, nga e cila nuk përjashtohen as edhe ndryshime të reja në kabinetin qeverisës, por që gjithsesi, gjithçka i mbetet në dorë Asamblesë, e cila mesa duket se po pret edhe analizën e bilancin e deritanishëm të atij që socialistët e kanë quajtur si “turi i llogaridhënies”.

Në fund, nuk mund të lihen pa përmendur edhe dy komisione të rëndësishme parlamentare, puna e të cilëve do të vazhdojë edhe me nisjen e muajit shtator. I pari është ai për reformën zgjedhore, puna e të cilit nuk u përmbyll dot këtë sezon dhe pikërisht për këtë arsye, Kuvendi në seancën e tij të fundit plenare, e zgjati mandatin e tij zyrtarisht edhe me gjashtë muaj të tjerë. Sikundër, edhe ai hetimor “Tahiri”, ngritja e të cilit u miratua nga Kuvendi gjatë muajit mars të këtij viti, por që ende nuk ka dalë dot me një përfundim zyrtar deri tani, për objektin rreth të cilit ai edhe u krijua. Pikërisht, atë të “verifikimit të pasojave të vendimit të Kuvendit, për të mos lejuar arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm të akuzuar për përfshirjen në trafikun e drogës”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: