PËRMBYTJET PASOJNË TË NXEHTIN/ 1600 turistë evakuohen nga Franca, mes tyre shumë fëmijë

PËRMBYTJET PASOJNË TË NXEHTIN/ 1600 turistë evakuohen nga Franca, mes tyre shumë fëmijë
Pas një periudhe moti të nxehtë të pazakontë në Francën jugore, rajoni është goditur nga stuhitë dhe përmbytjet.

Vërshimi i ujërave kanë detyruar autoritetet vendore të kryejnë evakuimin me urgjencë të rreth 1600 njerëzve, shumica e tyre turistë që kalonin pushimet në kampe verore.

“Një 70-vjeçar gjerman i cili po ndihmonte për mbikëqyrjen e fëmijëve në një nga kampet verore, figuron i humbur”, raporton BBC.

Zonat më të goditura janë Gard, Ardeche dhe Drome.

Më shumë se 400 zjarrfikës dhe policë, si dhe katër helikopterë, janë në dispozicion për operacionet e shpëtimit.

Llogaritet që të ketë rënë gati 80 mm shi në vetëm 24 orë, çka shkaktoi situatën e emergjencës.

Ministria e Brendshme franceze tha se gjashtë departamente ishin vendosur në gjendje alarmi nga përmbytjet, ndërsa rreth 17 mijë shtëpi kanë ngelur pa energji elektrike në jugperëndim dhe në verilindje të Francës.

Në një kamp veror në Saint-Julien-de-Peyrolas, në rajonin Gard, 119 fëmijë u evakuuan. Një pjesë e madhe e tyre kanë pritur mbi degët e pemëve të vinin punonjës e emergjencave që t’i shpëtonin nga ujërat.

Pikërisht në këtë kamp ndodhej edhe gjermani i moshuar që mbikëqyrte fëmijët.

“I bllokuar nga një përrua e shpejtë, automjeti i tij u rrëmbye nga vërshimi i ujërave”, raporton agjencia e lajmeve AFP. Më vonë u gjet “i zbrazur dhe i copëtuar”, sipas policisë.

Zëdhënësi i policisë rajonale, Jérôme Tallaron, tha se 10 vetë ishin dërguar në spital me hipotermi dhe lëndime të lehta.

Dëshmitarët kanë treguar për “bubullima shumë të zhurmshme dhe vetëtima të frikshme” në orët e para të mëngjesit. Ata janë zgjuar të terrorizuar në mes të ujit, ndërsa rrugët e fshatrave ishin shndërruar në lumenj, ku uji vërshonte me një shpejtësi të jashtëzakonshme. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: