Përdorimi i ilaçeve, këshillat që duhet të dimë

Përdorimi i ilaçeve, këshillat që duhet të dimë
Qetësuesit duhet të merren pas një këshillimi të kujdesshëm me mjekun specialist dhe në doza rreptësisht të kontrolluara, pasi krijojnë varësi

Sonila Isaku

Të përdorësh të njëjtët qetësues për një kohë të gjatë nuk është e këshillueshme pasi pacientët mund të krijojë varësi. Por si duhet të përdoren branat dhe qetësuesit në përgjithësi. Anila Çeçe, mjeke dhe njëkohësisht farmaciste, tregon për “Albanian Free Press se cilat janë këshillat e nevojshme që duhet të ndjekin të gjithë qytetarët në përdorimin e medikamenteve dhe si duhet të ruhen, dozohen, madje edhe hequr dorë nga përdorimi i tyre.

Si ndikon në shëndet, marrja e disa qetësuesve për një kohë të gjatë, pasi shumë persona pohojnë se, pas përdorimit të një qetësuesi për një kohë të gjatë, ai nuk jep efekt.

Si të gjitha barnat, qetësuesit duhet të merren për kohën më të shkurtër të mundshme dhe në dozën më të vogël që kontrollon dhimbjen. Kjo do të eliminojë efektet anësore. Në rastet më të shpeshta, personi ka nevojë të marrë qetësues të dhimbjes për pak kohë (disa ditë si në rastin e dhimbjes së dhëmbit për shembull), ose disa javë në rastin e dhimbjeve muskulare. Megjithatë, disa persona kanë nevojë për trajtim më afatgjatë si në rastet e artriteve, osteoartriteve apo dhimbjeve kronike të shpinës.

Në rastin e trajtimeve afatgjata, shpesh rekomandohet ndryshimi i barit pas një periudhe trajtimi, pasi efektshmëria e tij fillon të ulet. Zakonisht, zgjidhet një bar tjetër që ka të njëjtin efekt, por me një mekanizëm tjetër veprimi. Kjo vlen jo vetëm për qetësuesit e dhimbjeve, por për çdo bar. Duhet synuar që përdorimi i barit të jetë në dozën më të vogël, të efektshme dhe për kohën më të shkurtër që ai jep efekt.

Lidhur me qetësuesit e sistemit nervor, përkujdesja është shumë më e veçantë. Ata duhet të merret pas një këshillimi të kujdesshëm me mjekun specialist dhe në doza rreptësisht të kontrolluara, pasi krijojnë varësi.

A janë shqiptarët popull që “i pëlqejnë” shumë ilaçet?

Përdorim racional (i arsyetuar) i barnave, do të thotë që të sëmurët të mjekohen me barna të cilat të përputhen me nevojat e tyre klinike. Barnat të jepen në dozë të përshtatshme, për aq kohë sa nevojiten, dhe me koston më të ulët të mundshme, për të sëmurët dhe për komunitetin. Ky përkufizim do të thotë që trajtimi me barna të synojë efikasitetin maksimal, rrezikun minimal, duke respektuar zgjedhjet personale të të sëmurit, ose më thjesht akoma: “përdorimi i barit të duhur, me dozën e duhur, për të sëmurin e duhur, me çmimin më të ulët të mundshëm” .

Përdorimi joracional ose i paarsyetuar, është përdorimi i barnave në mënyrë të tillë që nuk përputhet me standardet terapeutike. Në mbarë botën, më shumë se 50% e të gjithë barnave në përdorim, përshkruhen, shpërndahen, ose shiten në mënyrë të papërshtatshme. Në kushtet e Shqipërisë, duke patur parasysh problematikat, si në lidhje me kulturën shëndetësore, ashtu edhe lidhur me organizimin e shërbimit shëndetësor, përdorimi i paarsyetuar i barnave është një fenomen që bën të duket sikur shqiptaret pëlqejnë të përdorin shumë barna. Importi i barnave është një trend rritës prej një dekade, edhe pse popullsia e vendit është pakësuar, por vitet e fundit rritja është më e fortë.

Plakja e popullsisë, rezistenca në rritje ndaj medikamenteve dhe rritja e sëmundshmërisë, janë tre shkaqet kryesore që kanë rritur konsumin e medikamenteve. Por, nga ana tjetër, fenomene të tilla si polifarmacia (përdorimi i shumë barnave nga një i sëmurë), përdorimi jo i përshtatshëm i antibiotikëve, mungesa e udhëzuesve të miratuar dhe të përditësuar, vetëmjekimi i papërshtatshëm edhe me barna që duhet të jenë të përshkruara me recetë si edhe marrja e sasive më të vogla të barit, se sa përshkrimi apo ndërprerja e parakohshme e tij, për shkaqe të mungesës së kulturës shëndetësore apo problemeve sociale, çojnë në një përdorim të paarsyeshëm të barnave, e cila shoqërohet edhe me pasoja në shëndetin publik.

Cilat janë këshillat që duhet të kemi parasysh kur përdorim medikamente?

Në ditët e sotme, ritmi i jetës karakterizohet nga shpejtësia dhe gërshetimi i shumë veprimtarive të ndryshme gjatë ditës. Gjithashtu, kërkesat dhe mundësitë për të ruajtur shëndetin janë zgjeruar së tepërmi, gjë që çon dhe në pamundësi për ta pasur të pranishëm, në çdo kohë, asistencën e një mjeku të specializuar për nevojat e popullsisë. Nga ana tjetër, shëndeti është ai që kushtëzon gjithë veprimtarinë e qenies njerëzore, ndaj për të pasur një jetë aktive, por dhe një trup të shëndetshëm, kusht bazë për popullatën është kultivimi i konceptit të vetëkujdesit shëndetësor, pjesë e të cilit është dhe vetëmjekimi me barna vetëmjekues. Pacienti dhe farmacisti që asiston pacientin në zgjedhjen e barit, duhet të jenë të kujdesshëm që trajtimi me barna vetëmjekuese duhet të kryhet në rastet kur çrregullimet janë të lehta. Në rast të kundërt, duhet të kërkohet domosdoshmërisht asistencë mjekësore. Në rastet kur trajtimi me barna bëhet pas konsultës me mjekun, duhet të kihet parasysh që të zbatohen me kujdes të gjitha udhëzimet e mjekut, që lidhen me dozën e barit, kohëzgjatjen e trajtimit, kohën e marrjes së dozës, si edhe kushtet e ruajtjes.

Do të jetë efektive nëse pacienti do të informojë mjekun paraprakisht, lidhur me mjekimet që ka marrë brenda një periudhe të caktuar, në mënyrë që mjeku të ketë mundësi të gjykojë për trajtimin e duhur si edhe mundësinë e ndërveprimit të barnave.

Duhet të sigurohemi se trajtimi që po marrim, është i duhuri. Për këtë duhet të ndjekim ecurinë e simptomave, të cilat duhet të jenë drejt përmirësimit, si edhe të mos neglizhohet asnjë shenjë që mund të shfaqet gjatë trajtimit me barna.

Si duhet të bëhet dozimi i medikamenteve?

Në përgjithësi, duhet të fillohet me dozën më të vogël që jep efekt. Një dozë më e vogël e barit do të shkaktojë më pak efekte anësore, që shpesh lidhen edhe me dozën. Tek të moshuarit, shpesh, për shumicën e barnave sugjerohet të fillohet trajtimi me 1/3 ose 1/2 e dozës së një të rritur. Doza mund të rritet gradualisht, nëse është e nevojshme, duke mbajtur nën kontroll efektet anësore, deri në marrjen e efektit që kërkohet.

Nëse mjeku këshillon të shtohet një bar në trajtim, duhet diskutuar mundësia e rivlerësimit të trajtimit ekzistues dhe mund të eliminohet marrja e ndonjë bari që nuk është i domosdoshëm për momentin. Ndërprerja e marrjes se një bari është po aq e rëndësishme sa edhe fillimi i tij. Pacienti duhet të këshillohet me mjekun, çdo tre apo gjashtë muaj, për të rivlerësuar skemën e trajtimit. Konsultimi duhet të ketë në bazë, si nga mjeku ashtu edhe nga pacienti, parimin e ndërprerjes së çdo bari që në momentin e konsultimit nuk është esencial për trajtimin e pacientit. Ndërprerja e disa barnave këshillohet të bëhet ngadalë dhe me kujdes, duke zvogëluar dozën. Përjashtim bëjnë antibiotiket, përdorimi i të cilëve duhet të bëhet për të gjithë kohën e përshkruar, pavarësisht se pacienti mund të ndjehet më mirë.

Nuk duhet të neglizhohet asnjë simptomë e re që mund të shfaqet pas fillimit të një bari, pasi mund të lidhet me efektet anësore apo me ndërveprimin midis barnave. Duhet të kihet parasysh që nga zyra e mjekut, pacienti duhet të dalë pasi ka qartësuar gjithçka që lidhet me trajtimin e tij, kohën e përdorimit të barit dhe mënyrën e përdorimit

Në rastet kur përdorni barna të cilat i keni ruajtur në kushtet e shtëpisë, duhet të bëni kujdes që para rimarrjes së tyre, të kontrolloni datën e skadencës dhe të jeni të sigurt se bari është ruajtur sipas kushteve të caktuara.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: