Majko rrëfehet për median amerikane: Më kërcënojnë iranianët!

Majko rrëfehet për median amerikane: Më kërcënojnë iranianët!
Ish-Kryeministri shqiptar dhe aktualisht ministër për Diasporën, Pandeli Majko, i ka thënë televizionit amerikan Fox News se zyrtarët amerikanë i kanë sugjeruar të rrisë sigurinë e tij pas të dhënave të inteligjencës për një kërcënim kundër tij.

Majko është cituar në kuadër të një shkrimi të gjerë për strategjinë dhe terrorin e ushtruar nga Republika Islamike e Iranit në vendet evropiane në 39 vjetët e fundit.

“Nuk kam frikë” ka thënë Majko, ndërsa fliste për strategjinë “e paprecedent” të Iranit në rajon.

Duket e çuditshme që ministri Majko ka preferuar një kanal televiziv amerikan për të lëshuar një deklaratë të tillë, ndërsa ende nuk janë dhënë prova për një kërcënim real dhe serioz kundër ish-Kryeministrit që aktualisht mbulon një dikaster të dorës së dytë në Shqipëri.

Në vendin tonë janë rreth dy mijë kundërshtarë të regjimit iranian, të cilët strehohen në disa baza të posaçme rreth Tiranës. Por ato nuk janë në varësi të ministrisë që drejton Pandeli Majko.

Në shkrimin e publikuar në portalin e medias amerikane, flitet për disa raste të operacioneve të shërbimeve iraniane në Europë dhe disa akuza të lëshuara drejt Teheranit për “terrorizëm shtetëror” nga disa zyrtarë.

Por në asnjë prej këtyre rasteve nuk bëhej fjalë për Shqipërinë.

I vetmi rast që raportohet nga Tirana, i cituar edhe nga portali, është arrestimi i dy punonjësve të shërbimit iranian në fillim të këtij viti.

Alarmet për kërcënime me jetë kanë qenë të shpeshta në rajonin e Ballkanit.

I fundit ishte ai i lëshuar nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ndërsa faqet e mediave serbe japin vazhdimisht lajme për “kërcënime” apo “atentate në tentativë” ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Për asnjërin prej këtyre alarmeve nuk ka prova nëse janë realë dhe seriozë. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: LSA

Shpërndajeni me miqtë tuaj: