Larja e duarve, sëmundjet që mund t’i parandalojmë me një proces

Larja e duarve, sëmundjet që mund t’i parandalojmë me një proces
Mjekët dhe specialistët e shëndetit publik tregojnë se shumë shpërthime sëmundjesh me origjinë nga ushqimet, shkaktohen nga duart e palara. Prania e baktereve dhe viruseve që ndodhen në duart tona, mund të shkaktojë grip, sëmundje pulmonare, hepatitin e formës A dhe shumë forma diarreje

Sonila Isaku

Infeksionet në rrugët e frymëmarrjes, verdhëza, si dhe diarreja, do të ishin më të pakta, nëse kujdesi për higjienën e duarve do të ishte maksimal, duke nënkuptuar larjen e shpeshtë të duarve. Masë që duhet të merret, veçanërisht, te fëmijët e moshave të vogla. Specialistët e shëndetit publik, referuar edhe të dhënave të detajuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tregojnë se, këto sëmundje janë ndër shkaktarët kryesorë në nivelin e lartë të vdekshmërisë te fëmijët, nën moshën 5 vjeç.

Specialistët e promocionit shëndetësor në ISHP, bëjnë të ditur se:  “Vetëm nëpërmjet larjes së duarve me ujë të bollshëm e sapun, mund të pengohet grumbullimi i baktereve të ndryshme dhe papastërtive që gjenden kudo të cilat mund të mbarten lehtësisht nga një person te tjetri, duke shkaktuar mjaft sëmundje, si: infeksionet akute të frymëmarrjes, diarre, hepatitin (verdhëza), etj.” Sipas tyre, është me rëndësi të thuhet se, të bërit zakon i larjes së duarve, është mjaft domethënës për nxënësit e shkollave. Shkollat janë mjedis shumë efektiv për të mësuar dhe, më pas, praktikuar këtë zakon. Por që të ndodhë një gjë e tillë, nxënësve duhet t’u krijohen kushte të tilla si, vende për larjen e duarve, përfshirë këtu sapunin dhe ujin e bollshëm. Kjo qasje siguron që zakone të shëndetshme, të mësohen, praktikohen dhe të integrohen në rutinën e përditshme shkollore.

Përse duhen larë duart?

Mikrobet janë kudo. Ato mund të përhapen lehtë, nga një vend në një tjetër, nëpërmjet ujit, objekteve, gjallesave dhe grimcave të pluhurit. Gjatë ditës, duart tona janë në kontakt me shumë objekte të tilla si, aparatet telefonike, kartëmonedhat, mjetet e transportit, dorezat e dyerve etj., mbi të cilat janë të fshehura miliona mikroorganizma, disa prej të cilave kanë aftësi patogjene. Gjithashtu, këto mikrobe mund të hyjnë në trup kur duart i çojmë në hundë, gojë, sy, edhe pse janë të padallueshme me sy të lirë, për njeriun. Për më tepër, disa baktere kanë shfaqur një rezistencë të fortë ndaj antibiotikëve, prandaj është i rëndësishëm parandalimi i infeksionit, duke i larë duart tërësisht, veçanërisht për personat me një sistem imun të dobësuar (një ftohje banale, mund të komplikohet në një bronkit kronik). Është mjaft e rëndësishme që, gjithkush, ta kthejë në zakon larjen e duarve, në dukje në veprim shumë i thjeshtë, por që shpesh nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Shumë shpërthime sëmundjesh me origjinë nga ushqimet, shkaktohen nga duart e palara. Prania e baktereve dhe viruseve që ndodhen në duart tona, mund të shkaktojë grip, sëmundje pulmonare, hepatitin e formës A dhe shumë forma diarreje.

Edhe fëmijët duhet të kenë duar të pastra

Ndihmoni fëmijët të jenë të shëndetshëm, duke i mësuar si t’i lajnë duart në mënyrën e duhur. Lani duart së bashku me fëmijën, për t’i treguar si duhen larë duart në mënyrën e duhur.

Për t’a ngadalësuar procesin, lajini duart deri sa të këndoni dy herë “Happy birthday”. Nëse momentalisht nuk ju gjendet ujë dhe sapun, mund të përdorni dezinfektues duarsh edhe për fëmijën. Duhet t’i bëni të ditur fëmijës, se nuk duhet të prekë asgjë derisa të jetë avulluar dezinfektuesi dhe duart t’i ketë krejtësisht të thata. Pas përdorimit, dezinfektuesin vendoseni në vendin e duhur. Larja e duarve është veçanërisht e rëndësishme për shëndetin e fëmijës. Fëmijët të cilët kalojnë një pjesë të mirë të ditës jashtë mjediseve të shtëpisë si p.sh., në shkolla apo kopshte, janë më të prekur ndaj rrezikut të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe gastrointestinale, të cilat mund të përhapen edhe te pjesëtarët e tjerë të familjes.

Si lahen duart në mënyrë perfekte?

A e dini cilat janë disa nga veprimet që duhet të kryejë çdo njeri, për të pastruar, siç duhet, duart dhe për të eliminuar bakteret? Nëse mendoni se i dini, ndoshta, do të befasoheni kur të lexoni disa të dhëna dhe këshilla më poshtë. Është e rëndësishme që para se të aplikoni sapunin, duart duhet t’i lagni më parë me ujë. Sapuni klasik që të gjithë mund të kemi në shtëpi, jo i lëngshmi, është një fole e vërtetë mikrobesh.

Këshillohet të merret një sapun i lëngshëm, i cili është i mbyllur në enë plastike dhe nuk ka kontakt me mjedisin rrethues. Fërkoni duart me sapun për rreth 20 sekonda, në mënyrë që të largoni mikrobet nga duart. Është e rëndësishme të fërkoni edhe majat e gishtave, në pjesën e thonjve dhe jo vetëm pëllëmbën apo kurrizin e dorës. Lini ujin e nxehtë për të paktën 10 sekonda, të rrjedhë mbi duart tuaja, në mënyrë që të largohen të gjitha gjurmët e sapunit. Po kështu, edhe tharja e duarve është shumë e rëndësishme, në veçanti për bukurinë e tyre. Tregoni kujdes me ajrin e nxehtë apo të ftohtë, me të cilin thani duart. Gjithashtu, nëse i thani me peshqir apo me letra të buta, kujdesuni që ato të jenë tepër të pastra. Për duar edhe më të pastra, mund të aplikoni një xhel me pak alkool, pasi t’i lani e shpëlani duart mirë, për një higjienë të përsosur. Vetëm uji nuk mjafton. Për një larje efikase është shumë i rëndësishëm përdorimi i sapunit dhe i solucioneve të tjera rekomanduar për larjen e duarve.

 

 

Kur duhen larë duart?

- Pas kryerjes së çdo pune apo aktiviteti;

- Para dhe pas ngrënies;

- Mbas përdorimit të banjës;

- Kur kolliteni, teshtini ose shfryni hundën;

- Kur duhet të kujdeseni për një person të sëmurë;

- Kur hidhni plehrat, mbas prekjes së flokëve apo lëkurës suaj;

- Mbas prekjes së kafshëve, kur përdorni transport publik etj.

 

Cila është mënyra korrekte e larjes së duarve?

Lagni duart me ujë të ngrohtë;

Sapunisini duart;

Fërkoni duart me njëra-tjetrën (pëllëmbët, kurrizin e duarve dhe midis gishtave), të paktën për 20 sekonda;

Shpëlani duart mirë;

Thajini duart me letër të posaçme njëpërdorimshme, me peshqir të pastër ose me ajër të ngrohtë;

Mbyllni çezmën me pecetë dhe hidheni atë në kosh;

Sapuni i zakonshëm ose i lëngshëm është i mjaftueshëm për të hequr mikrobet nga duart. Ju mund të përdorni solucionet e duarve me bazë alkooli, për të dezinfektuar duart në të thatë.

 

Fakte dhe shifra

- Më shumë se 5.000 fëmijë vdesin në ditë, ose 1.7 milionë fëmijë vdesin çdo vit, nga çrregullimet diarreike nën moshën 5 vjeç;

- Diarreja është shkaku i dytë i vdekjes së fëmijëve nën 1 vjeç;

- Larja e duarve, sidomos në momentet më kritike, si përpara ngrënies apo përgatitjes së ushqimit dhe pas përdorimit të banjës, mund të reduktojë deri në 50% diarretë te fëmijët nën 5 vjeç.

- Larja e duarve me sapun, mund të reduktojë incidencën apo rastet e reja me infeksion akut respirator, në rreth 23%.

- Pneumonia, si pjesë e infeksioneve akute respiratore, është shkaku numër një i vdekjeve te fëmijët nën 5 vjeç, dhe prej saj preken 1.8 milionë fëmijë çdo vit;

- Diarreja dhe pneumonia së bashku, llogarisin të paktën 3.5 milionë vdekje të fëmijëve çdo vit;

- Larja e duarve, nga vëzhgimet që janë bërë në mbarë botën, është në shifra të ulëta (34 %), sidomos në momentet më kritike. Këto sëmundje janë përgjegjëse për rreth 3.5 milionë të vdekjeve foshnjore çdo vit;

- Çdo ditë, më shumë se 5 mijë fëmijë nën 5 vjeç, vdesin për shkak të nivelit të ulët të higjienës në vendet ku banojnë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: