Kujtim Gjonaj: Kinostudio krijoi vërtet art, edhe pse ndonjëherë mes propagandës

Kujtim Gjonaj: Kinostudio krijoi vërtet art, edhe pse ndonjëherë mes propagandës
INTERVISTA/ Flet “Mjeshtri i Madh”, Kujtim Gjonaj: “Çfarë bëhet sot në Amerikë dhe në vendet e tjera perëndimore? Nuk bëhet propagandë? Kinostudio lindi si një nevojë utilitare për të bërë art në këtë vend të varfër që nuk e dinte ç’ishte arti...”

“Kinostudio dhe punonjësit e saj artistë, i shërbyen vendit dhe popullit me dashuri, art, pasion dhe kulturë. Ata fiksuan në celuloid të vërtetat e mëdha të historisë shqiptare, por natyrisht duke i shërbyer edhe politikës së partisë shtet, sepse ishte ajo që e ngriti, drejtoi dhe financoi këtë ndërmarrje të madhe artistike, kulturore dhe propagandistike”. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, kineasti i njohur, Kujtim Gjonaj. Duke mos e përjashtuar gjithsesi faktin se është aplikuar edhe propaganda. “Natyrisht që do bëhej edhe propaganda e partisë. Dhe lindi gjinia e kinoditarit, që ishte lajmi  me i shpejtë në atë kohë për të pasqyruar informacionet për ndërtimin socialist të këtij vendi. Kishte filma që qenë propaganda e kohës, por krahas filmit propagandistik morën jetë dhe filmat dokumentarë që i shërbyen artit, kulturës, traditës, historisë”, rrëfen ai...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

Z.Gjonaj, si një kineast i njohur, si do ta cilësonit  apo komentonit ju lulëzimin e kinemasë në Shqipëri

Kinostudio lindi si një dëshirë dhe vullnet i shtetit shqiptar për të patur edhe shqiptarët një histori dhe traditë në filmin shqip. Thuhet rëndom në ditët e sotme se ajo lindi për propagandë. Mbaroi një luftë. U fitua një luftë. Dhe në këtë luftë u derdh gjak dhe ajo u fitua. Pas saj, në Shqipëri u vendos Republika Popullore. Pra, vendi ynë  u rreshtua në kampin komunist. Ishte normale që të propagandoheshin, të kultivoheshin,  të përjetësoheshin në art e kulturë përpjekjet mbinjerëzore të një populli të tërë për çlirimin dhe identitetin kombëtar, ashtu siç nuk mund të liheshin pa u fiksuar edhe përpjekjet po aq titanike për zhdukjen e plagëve të luftës dhe mobilizimi masiv për rindërtimin e vendit. Në kinematografi do të flitej për historinë shqiptare të asaj kohe. Për luftën partizane, për ndërtimin e socializmit. Çfarë bëhet sot në Amerikë dhe në vendet e tjera perëndimore? Nuk bëhet propagandë? Kinostudio lindi si një nevojë utilitare për të bërë art në këtë vend të varfër që nuk e dinte ç’ishte arti. Shqiptarët u formësuan dhe u bënë shkrimtarë në këtë vend, që nuk dinte ç’ishte shkrimi. Teatri lindi si një nevojë e domosdoshme që dhe ne të kishim skenën tonë. Estrada lindi si një nevojë e kohës për të patur dhe ata një vend ku të qeshin,  të festojnë e të gëzojnë. Ishte kërkesë e kohës, që një vend si Shqipëria që dilte e rraskapitur dhe e varfër nga lufta të kishte një institucion ku të zhvillohej kjo politikë artistike e re. Erdhi koha për t’u zhvilluar ky art dhe në Shqipëri. Nëse në botë lindi më 1890-n, në Shqipëri lindi gjysmë shekulli më pas, në vitin 1947-të, kur u krijua Ndërmarrja Shtetërore Kinematografike. Natyrisht që do bëhej edhe propaganda e partisë. Dhe lindi gjinia e kinoditarit, që ishte lajmi  me i shpejtë në atë kohë për të pasqyruar informacionet për ndërtimin socialist të këtij vendi. Po krahas saj, erdhën edhe dokumentarët politikë, që i shërbenin partisë dhe bëmave të saj, si “Komandanti viziton Shqipërinë e jugut”, apo vizitat e ndryshme të udhëheqësit në vendet demokratike të asaj kohe. Këta filma qenë propaganda e kohës, por krahas filmit propagandistik morën jetë dhe filmat dokumentarë që i shërbyen artit, kulturës, traditës, historisë. Të bësh një film për Migjenin nuk ke bërë politikë, apo të fiksosh në celuloid  jetën e Mios, të tregosh për Aleksandër Moisiun, vëllezërit Topulli, Asdrenin apo të ngresh në piedestal filmik kryengritjet e mëdha të Veriut në vitet 1910-1912, nuk bën politikë. Është e njëjta gjë si të shkruash një roman për ndërtimin e një kombinati apo të një hidrocentrali, ku objekt është vepra që ndërtohet, por subjekt janë marrëdhëniet e njerëzve që marrin pjesë në ndërtimin e veprës, karakteret, lidhjet ndërmjet njëri-tjetrit, raportet me punën dhe familjen. Me një fjalë, historia  e këtyre njerëzve dhe përpjekjet e tyre për të ndërtuar një jetë më të mirë. Pra, ke shkruar historinë e vendit tënd, ke bërë dhe politikën, por dhe detyrën ndaj historisë dhe vendit tënd. Pra, ka ndërthurje mes politikës dhe artit. Paradat me rastin e festave të çlirimit apo festimet me rastin e 1 majit dhe fiksimi i tyre në celuloid janë politike, sepse i bën elozhe pushtetit që ka fuqi të madhe, tregon forcën dhe vitalitetin e rendit socialist, pavarësisht sesa e vërtetë është kjo. Por njëkohësisht i bën edhe një shërbim historisë  së vendit, se dokumenton butaforinë e një kohe të shkuar. Por arti në ato vite lulëzoi deri në piedestale.

 

Ka patur atëherë një konkurrencë artistike brenda llojit?

Kinematografia shqiptare arriti që të realizonte 14 filma artistikë në vit. Dhe u realizuan filma me vlera të mëdha artistike. “Dueli i heshtur” ka një frymë politike dhe partishmërinë e kohës, po ka dhe karaktere të spikatur dhe shumë art brenda. Një film vërtet me shije. “Përballimi” flet për krizën shqiptare të bukës në vitet ‘47-‘48-të dhe kjo është tabloja politike e kohës, por në ecurinë dramaturgjike të filmit ka skena të mrekullueshme plot art dhe mjeshtëri, ku gjallojnë figura dhe karaktere artistike mbresëlënës. Shprehja “gërmo Tare, gërmo,… se kockat e qenit tim të ngordhur do të gjesh”,  është një shprehje lapidare. Ai e ka nxjerrë kulakun artistikisht bukur. Le të kujtojmë për një moment episodin kur fshatari i pasur, që nuk do të dorëzojë grurin në shtet, ia jep me zor lopës për ta ngrënë duke  shfryrë: “më mirë ta hash ti se sa tua jap këtyre!...” Dhe sa e sa figura të shkëlqyer dhe karaktere brilante ka  tek ky film dhe shumë filma të tjerë si “Debatiku”, ”Përrallë nga e kaluara”, “Mësonjëtorja”, ”Qortimet e vjeshtës”etj, etj.  Kinostudio dhe punonjësit e saj, artistë,  i shërbyen  vendit dhe  popullit me dashuri,  art, pasion dhe kulturë, duke fiksuar në celuloid të vërtetat e mëdha të historisë shqiptare, por natyrisht duke i shërbyer edhe politikës së partisë shtet, sepse ishte ajo që e ngriti, drejtoi dhe financoi këtë ndërmarrje të madhe artistike, kulturore dhe propagandistike.

 

Cilat ishin dilemat profesionale në rrugëtimin e formimit tuaj si kineast gjatë atyre viteve?

Krahas studimeve të larta në degën e Gjuhë-Letërsisë, kreva edhe kursin 2-vjeçar të gazetarisë. Dëshira ishte që të filloja punë në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe mendimi se duhet të filloja aty, më rrihte si çekan në kokë çdo ditë. Më kishin thënë se kërkohesha nga ATSH-ja dhe nga Televizioni, por  nuk ngacmohesha fare dhe nuk shfaqja ndonjë interes për to. Kur mora vesh se më kishin caktuar redaktor në Kinostudio fillimisht shfaqa habi, më pas më kaploi një ndjenjë pakënaqësie e më pas u qetësova me mendimin …të shohim një herë! Në Kinostudio kisha bërë vetëm dy bashkëpunime me  Muharrem Skënderin, që më kishte ofruar për të shkruar tekstin e dy kinoditarëve, punë sa për të fituar një honorar minimal si student. Ndërtesa e madhe 2-katëshe, e tëra me mure të trashë, e gjitha mermer dhe me tavane të pikturuar, më dukej si një kështjellë mesjetare gjithë mistere dhe të panjohura. Mbresat, kur hyra për herë të parë në të dhe kapërceva korridoret e gjatë për të shkuar tek dhoma e montazhit, si i thonë, qenë të fuqishme. Ishte me të vërtetë një ndërtesë hijerëndë dhe imponuese. Kurrë nuk më pati shkuar ndër mend se një ditë mund të punoja aty. Caktimi në Tiranë ishte lajm qetësues, por kaloi pa ndonjë entuziazëm të veçantë. Unë kisha njohuri për institucionin dhe për disa nga njerëzit që punonin atje. Bota e filmit kishte ndikuar edhe tek unë. Dashuria gati-gati e marrë për gazetarinë nuk do të thoshte se që nuk kisha dëgjuar emrin e Kristaq Dhamos, Hysen Hakanit, Dhimiter Anagnostit, Viktori Gjikës, Agim Fortuzit, Endri Kekos, etj. Tek shikoja filmat “Komisari i dritës”, “Tana” apo “Debatik“ asosiacioni me emrat e realizuesve ishte i menjëhershëm. Në imagjinatën time, Kinostudioja ishte si një tempull i madh, i shenjte, i pakapshëm,  i paarritshëm, impresione këto që nga koha e fëmijërisë.

 

EPISODI

“Dukej sikur Bashkimi Sovjetik po sulmonte Shqipërinë”

“Si na futën në burg ditën kur dolëm nga Traktati i Varshavës”

“Një nga periudhat më të veçanta dhe të vështira për shkollën ishte zbori ushtarak. Në pamje të parë, ushtria dhe përgatitja ushtarake e studentëve, ose siç e quanin në atë kohë, zbori ushtarak 6-mujor që kryhej mbas mbarimit të shkollës, cilësohej si një moment i rëndësishëm patriotik. Kur niseshin djemtë, sidomos ata të zonave rurale, ndjeheshin krenarë dhe të lumtur. Kështu propagandohej në shtypin dhe radion e kohës. Nënat vërtet qanin, por ato qanin nga lumturia se po u shkonin djemtë ushtarë për  të mbrojtur atdheun. Baballarët si burra zakoni, ujepnin këshilla dhe porosi patetike. Krahas asaj çka dukej në sipërfaqe, ushtria kishte edhe dhimbjen e vet. Familjeve u iknin krahë pune që duheshin për të mbijetuar. Djemtë shkonin shumë larg shtëpisë dhe në kushte shumë të vështira në emër të forcimit dhe kalitjes. Po kështu, edhe zbori ushtarak 6-mujor. Të shkoje pas mbarimit të shkollës në zbor në vend që të filloje punën aty ku të kishin caktuar, nuk qe gjë e këndshme. Më qëlloi ta kryeja shërbimin 6-mujor në korpusin e Shkodrës, në periudhën më të vështirë. Sapo Çekosllovakia qe pushtuar nga Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria po atë vit, pra në vitin 1968 doli nga Traktati i Varshavës dhe e denoncoi atë publikisht. I gjithë vendi qe mobilizuar dhe ishte në gatishmëri  maksimale. Të gjitha repartet ushtarake të veriut u rreshtuan rreth kufirit në gatishmëri nr. 1, për të mbrojtur vendin nga ndonjë agresion i mundshëm. Objektet e rëndësishme të korpusit të Shkodrës u lanë në ruajtje në dorë të zboristëve studentë. Të dyja togat e studentëve ushtarë u caktuan në vend, rojet më strategjike të korpusit. Dita shtyhej normalisht, por nata qe një llahtar i vërtetë. Krismat e automatikëve kërcisnin nga të katër anët të shoqëruara me thirrjet: -Ndal!...Kush kalon?...dhe më pas, të shtëna në pambarim me breshëri. Nga frika tërë natën kërciste automatiku. Dhjetë ditë që ndenjëm si roje kërciste automatiku për qejf. Dukej sikur Bashkimi Sovjetik po sulmonte Shqipërinë. Trembeshim se ishim djem të rinj 20-vjeçarë. Të gjithë studentë. Ishte viti i rëndë 1968. Njëherë më dhanë liridalje. Dhe dolëm bashkë me një shok për të parë çupat e Shkodrës. Djem të rinj hesapi. Kokëqethur. Nuk na e fërshëlleu njeri fare. Ai tjetri ishte dhe pak obez. Të mërzitur që  nuk na e vari njeri, nuk shkuam dot as në kinema dhe ia krisëm në një pijetore ordinere, për të marrë nga një gotë raki. E rrëkëllyen të parën, kaluan te e dyta, e treta dhe filloi të na komandonte rakia. Erdhëm në qejf. Në darkë vonë morëm rrugën për t’u kthyer në repart. Korpusi ndodhej në dalje të qytetit. Zumë të këndonim tërë qejf. Kënduam këngë edhe për komisarin. Ai ishte një ushtarak i vjetër që nga koha e luftës. Për të qenë i drejtë, komisari, nuk ishte burrë i keq, por si ushtarak i vjetër i pëlqente rregulli dhe disiplina ushtarake, ndaj kërkesën e llogarisë e kishte me merak të madh dhe natyrisht, kjo nuk u pëlqente studentëve kursantë. Gjysmë të dehur hymë në repart duke kënduar këngën parodi ku përmendej emri i komisar Azemit. Ne nuk e dinim që ai ishte ende në repart dhe kish dëgjuar pothuajse të tërë parodinë. I nxehur tej mase, megjithëse babanë tim e njihte që nga koha e luftës , nuk duroi pa shpërthyer:

- Edhe ti  Gjonaj?...do më shihni rrugaçë. E dini që jemi në gadishmëri? E dini që jemi në luftë me Traktatin e Varshavës?  Shoku Enver mbajti fjalim të rëndësishëm sa na rrëqethi. Duhet ta dëgjoni....

Dhe na dënon të kalonim natën  në dhomën e izolimit. E gdhimë aty mes të ftohtit dhe lagështisë së mykur, që mbante era qilar. Nga ai moment e më pas nuk kam vënë më kurrë më shumë se një kupë rakie në gojë dhe nuk mbaj mend të jetë dehur më ndonjëherë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: