Kujdesi gjatë verës, rrezet e dëmshme dhe goditjet nga dielli

Kujdesi gjatë verës, rrezet e dëmshme dhe goditjet nga dielli
Rrezet e diellit veç të mirave që kanë, nëse nuk respektohen oraret e duhura, sjellin djegie, infeksion të syve ose të lëkurës.  Po kështu, probleme të shumta hasen edhe te moshat e treta, sa i takon goditjeve nga dielli. Cilat janë këshillat kryesore që duhet të ndjekim gjatë stinës së nxehtë? Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë kur duhet të ekspozohemi në diell dhe kur jo

Sonila Isaku

Në stinën e verës rriten temperaturat, rritet dëshira dhe mundësia për të përfituar nga të mirat e kësaj stine, por njëkohësisht rritet edhe rreziku për disa situata që ndikojnë në shëndetin tonë dhe të fëmijëve. Nëse përdoret me zgjuarsi, pra ashtu siç duhet dhe aq sa duhet, nëse ekspozimi në diell është i ekuilibruar, dielli nuk është armik i shëndetit.

Të mirat e rrezeve të diellit

Të gjithë ne përfitojmë nga dielli dhe i dimë të mirat e tij. Dielli bën të ndihesh mirë, me humor, ndihmon në prodhimin e vitaminës D, etj. Ekspozimi në diell në masën e duhur, është i domosdoshëm për shëndetin. Vitamina D e cila prodhohet në lëkurë nëpërmjet ekspozimit ndaj rrezeve ultravjollcë B (UVB), rregullon nivelin e kalciumit në gjak dhe është e nevojshme për shëndetin e kockave dhe muskujve. Gjithashtu, për shëndetin e fëmijës dhe për të parandaluar rakitin, janë të mjaftueshme sasi të vogla të rrezeve UV. Rrezet ultravjollcë mund të përdoren edhe si mjekim. Ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë këshillohet për disa sëmundjeve të lëkurës si dermatitis atopik, psoriaza, puçrrat e adoleshencës, etj.; kërkohet gjithnjë këshillimi me mjekun, sepse ai përcakton kohën e ekspozimit në diell etj.

Rreziqet e rrezeve ultravjollcë për fëmijët

Dielli përveç kënaqësisë që u jep fëmijëve të luajnë përjashta, të shkojnë në plazh etj., ka dhe rreziqet e tij për të cilat fëmijët nuk janë të mirinformuar. Është e nevojshme të përfitojmë nga dielli, por edhe të mbrohemi prej tij. Ekspozimi i tepruar ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit, jep dëmtime të menjëhershme në lëkurë si djegie, skuqje, dhe dëmtime të mëvonshme siç është zhvillimi i kancerit të lëkurës në moshë të rritur.

Fëmijët janë më të ndjeshëm dhe më të ekspozuar se të rriturit. Ka shumë të dhëna dhe evidenca të forta që tregojnë se, ekspozimi ndaj rrezeve UV gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës është një faktor rreziku për zhvillimin e kancerit të lëkurës në moshë më të rritur. Gjithashtu, është vlerësuar se ekspozimi më i madh ndaj rrezeve UV, për gjatë gjithë jetës, ndodh në fëmijëri deri në moshën 18 vjeç. Prandaj, mbrojtja në fëmijëri dhe adoleshencë e lëkurës nga rrezet UV, do të ulë në të ardhmen incidencën e kancerit të lëkurës.

Sot, shumica e njerëzve mund të kenë njohuri për rreziqet e diellit për lëkurën dhe përdorin një krem mbrojtës. Por ata nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet dhe dëmtimet që shkakton dielli në sy. Kur flasim për rrezet UV, kryesisht flasim për rrezet UVA dhe UVB. Këto rreze penetrojnë në sy në nivele të ndryshme dhe japin dëmtime të menjëhershme dhe të mëvonshme siç janë:  Konjuktiviti që shoqërohet me djegie ose skuqje të lehtë të syve, ndjenjën e hyrjes së diçkaje në sy, frikën nga drita, etj; Keratito-konjuktiviti që shoqërohet me dhimbje të syve, sy që hapen me vështirësi, sikur janë plot me rërë, turbullim të shikimit, etj; Katarakti (perdja e syrit ). Sipas OBSH-së, rreth 20 % e tyre shkaktohen nga ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë, dhe janë shkaktari i parë i verbimit në botë. Edhe pse katarakti shtohet me moshën, ekspozimi në diell është faktori i zhvillimit dhe shpejtimit të tij. Prandaj, mbrojtja që në fëmijëri dhe adoleshencë e syve nga rrezet ultravjollcë mund të ulë problemet shëndetësore që mund të kenë me sytë në moshë më të rritur.

Goditjet nga dielli

Një tjetër problematikë e hasur gjatë stinës së nxehtë janë edhe goditjet nga dielli. Mjekët e familjes duhet të kenë parasysh se simptomat e të nxehtit të tepërt janë ngërçet, edema, skuqja e lëkurës, goditja nga i nxehti dhe dehidratimi. I nxehti mund ta komplikojë situatën e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, nga problemet e zemrës dhe insuficienca renale, ose që përdorin ilaçe që përkeqësojnë efektet e goditjes së të nxehtit. Shenjat paralajmëruese që duhet të mbahen parasysh janë: zbehja, marramendja, të vjellët, pulsi i dobët, temperatura e ngritur.

Si masë paraprake është mirë të errësohen dhomat dhe hapësirat e përbashkëta, të mbahet një temperaturë me ajër të kondicionuar jo më poshtë se 25° C, të kontrollohet hidratimi, tensioni dhe temperatura e të shtruarve të moshuar.

Këshilla

Të rrezikuar nga goditjet nga dielli nuk janë vetëm të moshuarit, por edhe të rinjtë në rast se dalin në pikun e vapës. Sa i përket këshillave që japin specialistët ato kanë të bëjnë me zbatimin e orareve, konsumimin e ushqimit dhe frutave si dhe ambientin ku jetoni. Kështu mjekët këshillojnë të mos dilni nga shtëpia gjatë orëve të nxehta dhe mbroni dritaret nga dielli; pini një deri në dy litra ujë në ditë, lëngje frutash etj; konsumoni ushqime të lehta të ndara në porcione; konsumoni fruta të bollshme dhe perime të freskëta; freskoni dhomat me ventilatorë apo kondicionerë, me temperaturë jo poshtë 25° C; ajrosni makinën që është për një kohë të gjatë në diell, duke hapur dyert dhe vënë kondicioner para se të lëvizni me të; përdorni pajisjet e ruajtjes nga dielli dhe mos i lini fëmijët vetëm në makina; bëni banja dhe dushe, por jo nën temperaturat 25° C; ruani ilaçet nga burimet e nxehtësisë dhe rrezet e drejtpërdrejta të diellit; ruani në frigorifer të gjitha ilaçet që kërkojnë temperatura jo më të larta se 25-30°C, dhe të gjitha shishet e shurupeve ose ilaçet me pika, të cilat sapo janë hapur.

Fëmijëve, ashtu si të rriturve, dielli u sjell përfitime të rëndësishme për humorin, sistemin imunitar, kockat dhe lëkurën. Ekspozimi i pakujdesshëm dhe i papërgjegjshëm mund të ketë pasoja negative të tilla si djegie nga dielli, dhe në një afat kohor më të gjatë fillimin e tumoreve, përfshirë melanomat.

Kini kujdes! Mos ekspozoni fëmijët në diell deri në moshën gjashtë muaj; përdorni kapelë me strehë të gjerë për të gjitha moshat; u lagni flokët shpesh, u vini syze dielli me filtra të veçantë mbrojtjeje, të certifikuar me markën CE; përdorni produkte për fëmijë me faktor mbrojtës jo më pak se 20, dhe në javën e parë të ekspozimit në diell përdorni produkte rezistente ndaj ujit dhe djersës me faktor mbrojtës jo më pak se 50; u vishni rroba të gjera prej pambuku ose liri.

 

Këshilla për të shmangur rreziqet e motit të nxehtë

- Mjediset e brendshme të banesës të mbahen në një temperaturë konstante rreth 26° C;

- Të moshuarit të mos dalin nga shtëpia nga ora 11:00-18:00;

- Gjatë gjithë kohës të konsumojnë lëngje jo shumë të ftohta;

- Të vishen me veshje me ngjyra të hapura prej lini ose pambuku;

Përveç të moshuarve, grupe të rrezikuara janë fëmijët, foshnjat, të sëmurët kronikë, personat

të cilët duhet të jenë të shoqëruar me kujdestarë, dhe ata që kryejnë aktivitete fizike jashtë.

Në rast se dikush ndihet keq nga i nxehti dhe është në pritje të ndihmës së kualifikuar

është mirë që:

- Personi të vendoset në një vend të freskët;

- T’i ftohet trupi duke e mbështjellë me një çarçaf të lagur ose duke e spërkatur me ujë;

- T’i jepet të pijë lëngje;

- Të mos i jepet asnjë ilaç për uljen e temperaturës;

Rregulla të arta për të nxehtët:

- Mos dilni në orët e nxehta;

- Vishni rroba të lehta;

- Pini 2 litra ujë në ditë dhe hani sa më shumë fruta.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: