Këshilla, si t’i ushqeni fëmijët e sëmurë me veshka

Këshilla, si t’i ushqeni fëmijët e sëmurë me veshka
Për fëmijët me sëmundje kronike të veshkave, ushqyerja është shumë e rëndësishme, pasi ushqimi mund të ndikojë në funksionimin e veshkave. Prindërit të cilët kanë fëmijë që vuajnë nga sëmundje kronike të veshkave, duhet të konsultohen gjithmonë me mjekun, për përcaktimin e dietës ushqimore

Sonila Isaku

Sëmundja e veshkave mund të ndikojë te fëmijët në mënyra të ndryshme, duke filluar nga çrregullimet e lehta pa pasoja afatgjata në shëndet, deri në çrregullime të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve. Sëmundja akute e veshkave, zhvillohet papritur, - zgjat një kohë të shkurtër dhe mund të jetë serioze, me pasoja afatgjata, ose mund të zhduket plotësisht pas trajtimit. Sëmundjet kronike të veshkave nuk kalojnë pa trajtim dhe kanë tendencë të përkeqësohen me kalimin e kohës, nëse nuk trajtohen. Ato çojnë në mosfunksionim të veshkave, deri dhe në nevojën për transplant të tyre.

 Veshkat

Veshkat janë dy organe në formë fasuleje, secila me madhësinë e një grushti, dhe janë të vendosura poshtë kafazit të kraharorit, në secilën anë të shtyllës kurrizore. Çdo ditë, të dyja veshkat filtrojnë rreth 120 deri 150 litra gjak, për të prodhuar rreth 1 deri në 2 litra urinë, të përbërë nga mbeturinat dhe lëngje shtesë. Fëmijët prodhojnë më pak urinë se sa të rriturit, dhe sasia e prodhuar varet nga mosha e tyre. Veshkat punojnë gjatë gjithë kohës. Ureterët janë tuba të hollë, një në çdo anë të fshikëzës së urinës, që mbajnë urinën nga secila veshkë, deri në fshikëz. Fshikëza e urinës e grumbullon atë, derisa personi të gjejë kohën dhe vendin e duhur për të urinuar.

Sëmundja

Sëmundja e veshkave te fëmijët, mund të shkaktohet nga defektet e lindjes, sëmundjet e trashëguara, infeksionet, sindroma nefrotike, trauma, bllokimi ose refluksi i urinës. Nga lindja deri në moshën 4 vjeç, shkaqet kryesore të mosfunksionimit të veshkave janë defektet në lindje dhe sëmundjet e trashëguara. Midis moshës 5 deri 14 vjeç, mosfunksionimi i veshkave shkaktohet më shumë nga sëmundjet e trashëguara, sindroma nefrotike dhe sëmundjet sistemike. Midis moshës 15 deri 19 vjeç, sëmundjet që prekin glomerulat, janë shkaku kryesor i mosfunksionimit të veshkave.

Diagnostikimi

Sëmundja e veshkave te fëmijët, diagnostikohet nëpërmjet një vizite nga doktori, historia mjekësore e tij, si dhe nga simptomat dhe shenjat që ka fëmija. Për të konfirmuar diagnozën, kryhen edhe disa analiza të tjera, si: analiza të urinës dhe gjakut, biopsi të veshkës etj. Megjithatë, trajtimi i sëmundjes së veshkave te fëmijët, do të varet nga shkaku i sëmundjes dhe fëmija duhet dërguar te specialisti.

 Parandalimi

Për fëmijët me sëmundje kronike të veshkave, ushqyerja është shumë e rëndësishme, pasi ushqimi mund të ndikojë në funksionimin e veshkave. Prindërit të cilët kanë fëmijë që vuajnë me sëmundje kronike të veshkave, duhet të konsultohen gjithmonë me doktorin përpara se të bëjnë një ndryshim në ushqyerjen e fëmijës.

Ushqimet

Për të qenë të shëndetshëm, fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave, në dietën e tyre të përditshme, duhet të kenë kujdes disa elemente.

Proteinat – Fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave, duhet të marrin proteina në sasitë e nevojshme për rritjen, pasi marrja e tepërt e tyre do ta avancojë sëmundjen, deri në mosfunksionim të veshkave. Ushqimet që përmbajnë proteina janë: vezët, qumështi, djathi, pula, peshku, mishi i kuq, bishtajoret, kosi etj.

Natriumi – Sasia e natriumit që fëmijët kanë nevojë, varet nga faza e sëmundjes së veshkës, mosha e tyre, dhe ndonjëherë edhe faktorë të tjerë. Ushqimet të cilat përmbajnë sasi të mëdha natriumi, janë: ushqimet e konservuara, disa ushqime të ngrira, ushqimet e përpunuara, patatet e skuqura etj.

Kaliumi – Te fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave, kaliumi duhet të mbahet në nivele normale, pasi më pak ose më shumë kalium në organizmin e tyre, mund të shkaktojë probleme në zemër dhe muskuj. Fëmijët nuk duhet të konsumojnë disa fruta apo zarzavate, ose duhet të pakësojnë vaktet dhe porcionet e ushqimit në mënyrë që mos të marrin kalium më shumë seç duhet. Frutat dhe zarzavatet që kanë pak kalium janë: molla, boronica, luleshtrydhet, lakra, lulelakra, brokoli etj. Frutat dhe zarzavatet të cilat kanë shumë kalium janë: portokalli, pjepri, kajsia, banania, patatja, domatja, spinaqi i gatuar etj.

Fosfori – Fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave, duhet të ruajnë nivelin e fosforit në gjak, pasi nivele të larta të fosforit, çojnë në thithjen e kalciumit nga kockat, duke i bërë ato të dobëta dhe lehtësisht të thyeshme. Gjithashtu, nivele të larta të fosforit në gjak, mund të japin kruarje të lëkurës dhe skuqje të syve. Fosfori gjendet në ushqime me shumë proteina. Ushqimet që kanë nivele të ulëta të fosforit janë: bishtajat, kokoshkat, mishi i papërpunuar, orizi, drithërat, e bardha e vezës etj.

Lëngjet – Në fillimet e sëmundjes kronike, veshka e fëmijës mund të prodhojë shumë ose pak urinë, e cila mund të çojë në dehidrim ose në ënjtje. Me përparimin e sëmundjes, mund të nevojitet që fëmijët të pakësojnë nivelin e lëngjeve të marra. Sasia e likideve që fëmija duhet të marrë, duhet të përcaktohet nga doktori specialist.

Këshillat

Ekspertët thonë se për të pasur veshka sa më të mira, njerëzit duhet të konsumojnë ushqime të llojllojshme, ku dominojnë pemët dhe perimet e freskëta, produktet e qumështit pa yndyrë, drithërat integrale dhe produktet arrore. Veç tyre, pakësimi i sasisë së kripës, mishit të kuq dhe lëngjeve me sheqer, po ashtu ruan shëndetin e veshkave, duke luftuar edhe paraqitjen e gurëve në to. Pasja e veshkave të shëndosha, kontribuon edhe në një organizëm të shëndoshë, pasi parandalon paraqitjen e hipertensionit, diabetit dhe shtimin e masës trupore.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: