Karriera dhe bashkëjetesa, shqiptarët s'po bëhen prindër

Karriera dhe bashkëjetesa, shqiptarët s'po bëhen prindër
Fëmija i parë, për femrën shqiptare po vonohet gjithmonë më shumë në kohë. Edhe pse mosha kur ajo vendos ta ketë atë është ende më e reja në Evropë, sërish po pëson rritje nga viti në vit

Fëmija i parë... “Trokitja e ëmbël”, duket se po ndodh gjithmonë e më vonë në kohë për femrën shqiptare. Aktualisht, rreth moshës 25-vjeçare, ndërsa pak vite më parë kjo ndodhte mesatarisht në moshën 23-vjeçare. “Mosha mesatare në lindjen e parë mes femrave në moshën 25-49 vjeç është 23.4 vjeç”, kujtojmë të kenë konfirmuar vetë ekspertët e INSTAT-it, për periudhën e dhjetë viteve më parë, 2008-2009. Duke folur kështu për një trend në rritje të femrave që vendosin të kenë më vonë në kohë një fëmijë, sesa dikur. Edhe pse në fakt, duhet thënë se Shqipëria, është ende një vend në kontinentin e vjetër ku femrat lindjen e tyre të parë e bëjnë ende në një moshë të re. Konkretisht, sipas të dhënave më të fundit të Institutit Evropian të Statistikave (Eurostat), mosha mesatare kur femrat evropiane lindin fëmijën e parë është ajo 29-vjeçare, pra më e lartë se ajo që gëzojnë femrat shqiptare. E megjithatë, nuk është diçka me të cilën duhet të gëzohemi, teksa nga viti në vit, ky tregues në vendin tonë po njeh rritje. Për më tepër, që po shifrat e Eurostat-it tregojnë që Shqipëria ka një nivel të konsiderueshëm të femrave që lindin në një moshë të konsiderueshme, rreth 15% e totalit të tyre. Sikundër, një dukuri tjetër shqetësuese për Shqipërinë është edhe ajo që përsa i përket normës së fertilitetit (mesatarja e lindjeve të një gruaje gjatë jetës), ku siç konfirmojnë vetë ekspertët e Eurostat-it, numri i lindjeve është pak më poshtë se mesatarja europiane e tyre. Konkretisht, në vendin tonë norma e fertilitetit është 1.56, diçka më pak se mesatarja evropiane, e cila është vetëm 1.6. Ndërsa fertiliteti është më i lartë në Kosovë, ku mesatarisht një grua bën dy fëmijë, Suedi 1.85, Francë 1.95 dhe Angli 1.79.

 

 

QËNDRIMI

Gjinekologia Mustafaraj, për “Albanian Free Press”: Çiftet pa fëmijë, grupime të mëdha

Ulja e lindshmërisë te femrat, por edhe rritja e moshës kur çiftet vendosin të sjellin në jetë fëmijën e parë, konfirmohet edhe nga mjeket gjinekologë. Kështu, mjekja Kozeta Mustafaraj thotë për “Albanian Free Press” se tashmë takon rrallë nëna që kanë 3, ose më shumë fëmijë. “Çiftet e rinj, pa ose me 1, kanë filluar të krijojnë grupe të mëdha popullate. Ndërkohë, në maternitet, rastet e nënave me shumë fëmijë, të paktën mbi 3 janë bërë shumë më të rralla. Kjo tregon që popullata jonë është ngushtuar dhe kufizuar ose në një lindje, ose maksimumi në dy lindje”, tregon mjekja. Sipas saj, bashkëjetesa e gjatë duket se sjell edhe shtimin e pamundësisë për t’u bërë nëna. “Duke kaluar shumë vite, ku çiftet e reja stabilizojnë, ngrejnë karrierën e tyre, mundësitë për të siguruar një shtatzëni të dytë fillojnë dhe reduktohen”, thekson Mustafaraj. Duke shtuar se rënia e numrit të lindjeve është një fenomen edhe për vende të tjera evropiane, dukuri kjo që lidhet sipas saj me vullnetin e lirë të partnerëve, sikundër dhe me rritjen e infertilitetit.

 

DËSHMITË

“Pse nuk bëjmë fëmijë...”

 “Nuk e kisha menduar kurrë, që do të arrija në moshën 40-vjeçare pa patur një fëmijë. U dhashë aq shumë pas karrierës në vitet e mia më të mira, saqë harrova gjënë më të rëndësishme: Të kem një fëmijë...”. Entela S., nga Tirana, sa nuk i mbushen sytë me lot, teksa tregon përvojën e saj jetësore, e cila deri tani i ka treguar se nuk është bërë dot nënë. “Vitet ikën një nga një. Ndikoi edhe fakti që ato ishin aq të ngarkuara, ndryshe nga ato kur jetuan prindërit tanë, që e kishin çdo gjë të sigurt. Një shtëpi, një punë. Domosdo, që edhe familjen e kishin më të lehtë për ta ndërtuar”, rrëfen gjithashtu ajo...

                                        ***

“Po. Është e vërtetë se kam një vit e martuar. Por ende s’e kemi vendosur të bëjmë një fëmijë. Nuk është edhe aq e lehtë sa ç’duhet”. Klara, 25-vjeçare nga kryeqyteti, nuk jep detaje të tjera në fakt për arsyen se përse ende nuk mendon të sjellë në jetë një fëmijë. Vetëm këmbëngul se sipas saj, ky është një vendim i vështirë. “Duhet menduar mirë gjithçka. Ana ekonomike, ajo sesi do përshtatemi edhe me punët, se kush do merret me fëmijën. Jo, jo, nuk është aspak e lehtë”, thekson ajo.

                                        ***

“Kam qenë e vetmja e re në moshë spital, kur linda në Itali vajzën time të parë. Nuk i kisha kapur të tridhjetat, kurse zonjat që ishin shtruar në pavionin tim, ishin thuajse të gjitha mbi 40-vjeçe”. Kjo është një tjetër eksperiencë e rrëfyer për “Albanian Free Press”, nga Ina, që tashmë ka arritur vetë në të 40-tat, por që shpreh habinë e saj teksa kujton ato momente dhe e krahason veten me italianet. “Ne, si shqiptare, vërtet që lindim më të reja në moshë se ato. Kurse ato e marrin më vonë vendimin në kohë për të sjellë në jetë një fëmijë”, shton ajo. 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: