Insulti cerebral, si të sillemi në raste të tilla

Insulti cerebral, si të sillemi në raste të tilla
Hipertensioni arterial, diabeti melit, duhanpirja, konsumimi i alkoolit dhe mbipesha janë që të gjithë faktorët që ndikojnë në zhvillimin e këtyre sëmundjeve. Ndaj, një stil jetese i shëndetshëm është i këshillueshëm për të gjithë ata persona të cilët kanë edhe histori familjare të rasteve të insulteve cerebrale

Sonila Isaku

Insulti cerebral është përgjegjës për humbjen e jetës së rreth 6 milionë njerëzve në mbarë botën, çdo vit. Mjekët neurologë nënvizojnë rëndësinë e parandalimit. Sipas tij, është e rëndësishme të theksohet se, faktorët që ndikojnë në shfaqjen e këtyre sëmundjeve janë faktorë që interesojnë shëndetin publik dhe në përgjithësi, mund të kontrollohen ose modifikohen. Por çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë jo, kur kjo sëmundje kërcënon jetën e familjarëve ose miqve tanë.

Sëmundja

Sëmundjet cerebrovaskulare janë një grup sëmundjesh që prekin enët e gjakut, të cilat ushqejnë trurin. Këto sëmundje shfaqen zakonisht me episode të papritura, të menjëhershme, dramatike dhe shkaktojnë një përjetim të dhimbshëm, si nga pacienti edhe nga familjarët. Në gjuhë mjekësore njihen si ‘’aksidente vaskulare”, ndërsa në zhargonin e përditshëm të njerëzve përdoren shpesh termat trombozë dhe hemorragji e trurit. Ambientet akademike shpesh përdorim edhe termin “strok (stroke)”, pasi tashmë është term ndërkombëtar. Shqipëria është një nga vendet që ka sëmundshmëri të lartë për këto lloj sëmundjesh. Nga burime të papublikuara mendohet se janë rreth 3000-4000 pacientë që preken çdo vit për herë të parë, nga sëmundjet cerebro-vaskulare.

Ishemia

Ishemia shkaktohet nga bllokimi i një ene gjaku të trurit, nga ku si pasojë e mos furnizimit me gjak vdesin qelizat nervore ose neuronet. Shenjat janë të ndryshme, por më të zakonshmet janë: çrregullimi i të folurit – pra, i sëmuri fillon të mos flasë qartë si më parë; devijim i këndit të gojës që shpesh vihet re nga të afërmit; rënie e forcës muskulore në gjymtyrët e njërës anë ose paraliza që shpesh përjetohet si pamundësi për të ecur ose për të mbajtur objekte në dorë. Nëse vihen re shenja të tilla, veprimi i parë që duhet bërë është thirrja e urgjencës në nr. 127. Ndërkohë, duhet të maten parametrat vitale: presioni arterial, pulsi, frymëmarrja. I sëmuri duhet kthyer në anën e paralizuar, pasi kjo ndihmon për të ruajtur rrugët e frymëmarrjes (përfshirë edhe nëse ka të vjella). Ajo që NUK duhet bërë, është dhënia e medikamenteve për uljen e presionit arterial, pra JO nifedipine (ose adalat). Rritja e presionit arterial është përgjigje reflektore e trurit ndaj aksidentit vaskular dhe në fakt presionet e larta nuk rekomandohet që të ulen me shpejtësi gjatë 24 orëve të para.

Hemorragjia

Hemorragjia shkaktohet nga çarja e një ene gjaku dhe për pasojë rrjedhjen e gjakut brenda lëndës së trurit ose në hapësirat përreth tij, në varësi të shkakut. Shpesh këto forma shfaqen me dhimbje të forta koke dhe të vjella. Një person që ka këto shenja, veçanërisht nëse janë për herë të parë, duhet të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore.

Faktorët

Është e rëndësishme të theksohet se, faktorët që ndikojnë në shfaqjen e këtyre sëmundjeve janë faktorë që interesojnë shëndetin publik dhe në përgjithësi, mund të kontrollohen apo modifikohen. Konkretisht, hipertensioni arterial, diabeti melit, duhanpirja, konsumimi i alkoolit dhe obeziteti janë që të gjithë faktorë që mund të modifikohen mirë përmes një stili jetese të shëndetshëm dhe një kujdesi të mirë nga mjeku i familjes. Në veçanti duhet përmendur një nga aritmitë kardiake që shkakton shpesh isheminë, që quhet Fibrilacioni Atrial. Kjo aritmi shfaqet gjithnjë e më shpesh me plakjen e njeriut dhe përtej moshës 60 vjeç, nevojitet kontroll i kujdesshëm i saj. Përsëri vlen të përmendet roli thelbësor i mjekut të familjes.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: