Ilir Demalia: Enveri, Ramizi, Foto Çami dhe Xhelil Gjoni, i shikonin filmat para se të shfaqeshin

Ilir Demalia: Enveri, Ramizi, Foto Çami dhe Xhelil Gjoni, i shikonin filmat para se të shfaqeshin
INTERVISTA/ Flet kineasti dhe publicisti Ilir Demalia: “Si mund të pretendojmë se komunizmi ishte sistem kriminal (dhe ashtu ishte), kur filmat e realizmit socialist dhe letërsia apo arti i tij që kishte për producent këtë sistem, kishte vlera etike-morale dhe artistike? A është e mundur kjo? Është absurde”

“Mbasi përfundonte një film, kalonte nëpër filtrat e Komitetit Qendror të Partisë duke u parë dhe duke u bërë vërejtjet, derisa ai të dilte ashtu siç e donte partia. Ata shikoheshin sa ishte gjallë, nga Enver Hoxha në shtëpinë e tij, para se të vinte urdhri që të shfaqeshin në publik. Më pas, nga Ramiz Alia, Foto Çami, Xhelil Gjoni, pra nga sektori i propagandës së Komitetit Qendror të Partisë”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press” kineasti dhe publicisti Ilir Demalia. Duke dhënë edhe mendimin e tij rreth filmave të realizmit socialist. “Me ndonjë përjashtim të disa filmave, që nuk bëhen as sa gishtat e njërës dorë, në kinematografi krejt filmi shqiptar është nivel i ulët artistik dhe propagandë banale”, vlerëson ai. Duke shtuar madje se “edhe këto 28 vjet të postkomunizmit nuk kemi arritur të kemi një vepër dinjitoze, se është po ajo armatë sunduese në vazhdimësi, si stafetë brezash të kulturës, pjellës së tyre”. “A duhet të shfaqen filmat e realizmit socialist? Unë jam për lirinë e zgjedhjes së çdo njeriu. Përderisa nuk thyen ligjet dhe nuk cenon jetën e njeriut, secili ka të drejtë të shikojë dhe të lexoj çfarë të dojë, të shikojë e të veshë çfarë të dojë, e jetën e tij ta bëjë si të dojë”, shton ai....

 

Intervistoi: “Albanian Free Press”

Vazhdon që të flitet ende shumë për filmat e realizmit socialist. Ka shumë mendime rreth tyre. Po ai i juaji cili është? A duhet të shfaqen sot të tillë filma dhe pse?

Fakti që filmat e realizmit socialist ndiqen akoma pas 28 vjetësh dhe ende flitet akoma rreth tyre, sesa janë shkëputur shqiptarët nga mendësia dhe kultura e regjimit komunist si “trushpëlarje”. E kam përsëritur edhe herë të tjera, si mund të pretendojmë se komunizmi ishte sistem kriminal (dhe ashtu ishte), kur filmat e realizmit socialist dhe letërsia apo arti i tij që kishte për producent këtë sistem, kishte vlera etike-morale dhe artistike? A është e mundur kjo? Është absurde. Fakti që shqiptarët duan të shikojnë ata filma, flet për formimin e tyre psikik, estetik, filozofik dhe moral. Kjo edhe për vetë faktin se krijuesit shqiptarë, pikërisht ata që krijuan dhe prodhuan nën regjimin komunist, jo vetëm se nuk e pranojnë që arti tyre ka qenë pllakat i demagogjisë së një regjimi kriminal dhe ata, shërbëtorë të demagogjisë dhe propagandës së këtij regjimi; por janë kapur me thonj dhe me dhëmbë si vazhdimësi e po atyre elitave si sundim, vazhdimësi kulturore për të na e mbajtur veprën e tyre si vlerën artistike-kulturore, më e larta e krijuar. Artistët dhe krijuesit e regjimit komunist nuk kanë arritur të kapërcejnë dot veten dhe jo vetëm. Me fuqinë e sundimit, me bashkëpunimin politik dhe ky vazhdimësi e së djeshmes, kanë bllokuar frymëmarrjen e lirë të zhvillimit kulturor dhe artistik nëpërmjet manipulim-simulimit dhe modeleve që kanë krijuar edhe për brezin e pas ‘90-ës i cili  nuk ka jetuar komunizmin. Me rrethin vicioz që kanë krijuar jetojmë si kulture antipodin komunist në demo(n)kraci. Me ndonjë përjashtim të disa filmave që nuk bëhen as sa gishtat e njërës dorë, në kinematografi krejt filmi shqiptar është nivel i ulët artistik dhe propagandë banale. Edhe këto 28 vjet të post-komunizmit nuk kemi arritur të kemi një vepër dinjitoze, se është po ajo armatë sunduese në vazhdimësi si stafetë brezash të kulturës, pjellës së tyre.

 

Në konceptimin tuaj, Kinostudio “Shqipëria e re” a ka pasur vlera artistike dhe ndër filmat e realizuar a kishte nga ata që ishin zhveshur nga demagogjia e kohës? Cilët nga udhëheqësit e asaj kohe vinte dhe jepte direktiva më shpesh në Kinostudio dhe a ka pasur përplasje mes artistëve? Cilat kanë qenë problemet dhe sukseset e Kinostudios në regjimin komunist?

Në hyrje të Kinostudios, ashtu si edhe në çdo institucion kulture e arti dhe deri tek “vatrat e kulturës” në fshatra, ishte e shkruar me gërma të mëdha: “Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmës të partisë", (Enver Hoxha). As nuk mund të mendohej që të ishin të zhveshur nga demagogjia dhe propaganda. Arti ishte në funksion të demagogjisë dhe propagandës komuniste. Kush thotë ndryshe, gënjen. Edhe filmat historikë bëheshin sipas gjykimit dhe interpretimit partiak, e kjo do të thotë duke falsifikuar historinë. Në këtë falsifikim, kineastët kanë rolin e tyre në deformimin dhe gënjeshtrën e së vërtetës, ashtu si edhe letërsia dhe teatri. Mbasi përfundonte një film, kalonte nëpër filtrat e Komitetit Qendror dhe Komitetit Partisë se Tiranës duke u parë dhe bërë vërejtjet, derisa filmi të dilte ashtu siç e donte partia. Ata shikoheshin sa ishte gjallë nga Enver Hoxha në shtëpinë e tij, para se të vinte urdhri që të shfaqeshin në publik. Më pas, nga Ramiz Alia, Foto Çami, Xhelil Gjoni, pra nga sektori i propagandës së Komitetit Qendror të Partisë. Sinqerisht nuk di cilin film të vlerësoj që do t’i rezistojë kohës…!

 

Sot filmi artistik në krizë, dje i mbushur me demagogji, ç’bëhet kështu me filmin shqiptar?

Asgjë e re nga fronti i djeshëm në krizën e demagogjisë së djeshme si krizë permanente. Kur thoni se filmi artistik është në krizë, nënkupton që ai ka pasur arritje të larta ideore, shoqërore, artistike, morale dhe sot ka rënë në krizë? Përderisa ka rënë regjimi politik komunist-diktatorial, si i dështuar prej fillimit si eksperimenti më i tmerrshëm i historisë njerëzore, ka rënë edhe i gjithë establishmenti i shërbesës. Pra, ka rënë edhe kinemaja e krijuar në atë eksperiment që artistët-kineastë nuk duan ta pranojnë, por duan dhe të drejta autori, kur producenti ishte partia, e cila prodhonte 14 filma artistikë dhe nuk di sa dokumentarë, të gjitha në funksion të propagandës së jetës së ndritur socialiste me punën e skllevërve shqiptarë. Artistë që nuk janë në gjendje të krijojnë veten e tyre, por presin lëmosha nga qeveria dhe ministria e anti-Kulturës nuk mund të jenë artistë, por thjeshte zanatçinj arti me rrogë për te mbajtur shpirtin me bukë. Arti në kapitalizëm, të cilin kërkuan shqiptarët në ‘90, është si çdo gjë tjetër: treg. Prodho dhe shit. Jo të më japë shteti pará dhe unë të bëj “art”. Kjo quhet hibrid, që prodhon mostra të reja jo vetëm arti, por edhe shoqërore, si shërbim ndaj së keqes dhe mungesës së moralitetit shoqërore për t’u përballur. Kjo është edhe një nga arsyet që nuk kemi prodhuar asnjë vlerë kinematografike këto 28 vjet si vazhdimësi e mendësisë së para ’90-tës dhe abuzimit e shpërdorimit të parasë publike të taksapaguesve shqiptarë. Mos harroni se si u zhvat nga këta batakçilerë që i thonë vetes artistë e intelektualë, të cilët kontribuuan me qeverinë e radhës si kameleonë, në shërbimin e së keqes së radhës, për ta bërë ngastra-ngastra të gjithë Kinostudion! U vodhën dhe u privatizuan atelietë, studio e zërit, laboratori, teknika, rekuizita, kostumeria, piroteknika, arshiva, parku me automjetet “e vjetra”, të gjitha mund të ruheshin fare mire dhe të shfrytëzoheshin për prodhimin e filmave, pasi kjo e gjitha ishte bërë me paratë e skllevërve shqiptarë dhe teknika e blerë me miliona dollarë valutë, ishte e fjalës së fundit. Si p.sh., ajo e studio-zërit, që sot është pronë e Kujtim Çashkut. Meqë ra fjala, e keni dëgjuar këtë të thotë një fjalë për teatrin? Jo, nuk mundet. Ky gjithmonë, si ky edhe shpura e sojit të tij e ka ngrënë lugën e çorbës. Kush është përgjegjës për këtë krizë? Cili është vizioni juaj për filmin artistik shqiptar? Përgjegjëse janë elitat e artit në papërgjegjshmërinë e tyre dhe mosndërgjegjien intelektuale, kapacitetin dhe formimin e tyre si njerëz meskinë që bëhen me të keqen ashtu si dje, për të përfituar dhe manipuluar gjithçka në funksion të vetvetes, por jo vlerave dhe shoqërisë.

 

Jeni penduar për deklaratën mbi kthimin e dekoratës “Medalja e Artë e Shqiponjës” dhe pse?

Aspak. Absurditeti tjetër që ndodh në Shqipëri, është se janë dekoruar në të njëjtën kohë edhe kriminelët, edhe viktimat me të njëjtën dekoratë, persekutorėt dhe të persekutuarit, spiunët dhe të spiunuarit e gjatë ceremonisë së dekorimeve shtrëngojnë duart si bashkëvuajtës e bashkëfajtorë, por ndahen në demagogjinë e tribunave. Vendi dhe shoqëria po udhëhiqen nga antivlerat si vlera kombëtare të kulturës së manipulim-simulimit, që ka sjellë inflacionin e vlerësimeve të modeleve të idhujve pa krena. Mos flasim pastaj për çmime që ndahen nga organizata tip piramida Sude, si exellenca me gala pa gala e turpet e mashtruesve dhe delirantëve dhe skizofrenisë shqiptare jashtë e brenda kufijve, në një kohë që jemi në gjendje mjerane.

Keni pasur një debat të gjatë me Kadarenë, a e vlerësoni sot pas kaq debatesh veprën e tij artistike dhe a e meriton sipas jush Kadareja, Nobelin në letërsi?

Kurrë nuk kam thënë se Kadareja nuk është një talent i letërsisë shqipe. Përsa i përket veprës së tij artistike, megjithë talentin e tij të madh, ndihma e partisë dje ka qenë e madhe, duke investuar për Kadarenë për t’i shërbyer, asaj siç edhe ka shërbyer në pjesën më të madhe të veprës së tij. Kadare, është vlerë në letërsinë shqipe dhe padyshim ka dhënë kontribut si në stilin e tij në zhvillimin e stilit modern në letërsi dhe elaborimin e gjuhës shqipe. Por vepra e tij ka qenë siç dhe theksova, në shërbim të regjimit komunist, sidomos publicistika dhe poezia, por edhe romani e proza. Kadare është shkrimtar si produkt i regjimit komunist dhe po ta shikosh, i gjithë konceptimi dhe teknika e tij e shkrimit, veprat më të arrira të tij i ka nën regjimin komunist. Në liri, letërsia e tij vdiq. Merret me librat e shkruar në komunizëm, duke i rishkruar. A e meriton Kadareja Nobelin? Nuk jam unë që jap vlerësimet për Nobelin, as si autoritet, as si vlerësues. Por po të ishte në dorën time, sigurisht që do t’ia jepja një shqiptari.

 

Politika 27-vjeçare shqiptare mes debatesh dhe tensionesh pa fund, si mund të formatohet me përgjegjësinë dhe kreativitetin e vendeve kryesore të BE, për të dalë nga konflikti i acaruar dhe pa rrugëdalje?

Vetëm duke larguar këtë establishment politik, si shkaktar i kësaj gjendje dhe inkriminimit të tyre politik, ekonomik, abuzimit me pushtetin, paaftësisë dhe mosvullnetit për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe prosperitetin shoqëror, si shkak i frikës nga shteti i së drejtës. Këta e dinë mirë çfarë kanë bërë këto 27 vjet dhe vendosja e shtetit të së drejtës do t’i ulte në bankën e të akuzuarve dhe jo në kolltukët qeveritare dhe parlamentare. Kjo është arsyeja që ky establishment e mban gjendje amullie e tensioni permanent politikën. Pa u larguar ai dhe pa filluar themelet e shtetit të së drejtës me vendosjen e ligjit dhe jo Maliqit, për Shqipërinë jo që nuk do të ketë BE, por e ardhmja e saj do të jetë edhe më keq.

 

QËNDRIMI

A duhet të shfaqen filmat e realizmit socialist? Secili sot ka të drejtë të shohë ç’të dojë

“Unë jam për lirinë e zgjedhjes së çdo njeriu. Përderisa nuk thyen ligjet dhe nuk cenon jetën e njeriu, secili ka të drejtë të shikojë dhe të lexojë çfarë të dojë, të shikojë e të veshë çfarë të dojë dhe jetën e tij ta bëjë si të dojë. Në Amerikë, njerëzit dalin me fotografi të Castros, Gadafit, Hyseinit, madje në një rast, dikush doli edhe me këmishë të Bin Ladenit. Në librari ke Marksin, Engelsin, Mao-n, Hitlerin edhe Enver Hoxhën. Botë e lirë! Përderisa nuk prek lirinë e tjetrit, nuk të ngacmon kush. Por çfarë ndodh? Asgjë. Ata s’kanë impakt, se janë të papërfillshëm dhe me ta qeshin dhe tallen shumica. Dhe këtu ështē diferenca e kulturës dhe lirisë si kulturë për të qenë të lirë. Po ndër shqiptarë ç’ndodh? Shikojnë filmat e realizmit socialist dhe telenovela turke. Komentet më tej më duken të tepërta”.

 

DEBATI

 “Teatri Kombëtar, artistët po jargaviten pas pushtetit”

“Fillimisht, unë kam qenë kundër prishjes së stadiumit, si bukuri e arkitekturës në harmoni dhe funksion urban me gjithë kompleksin e Universitetit, Akademisë së Arteve dhe Institutit Arkeologjik, në vazhdimësinë e gjithë bulevardit me kompleksin e kryeministrisë dhe ministrive. Kam qenë kundër prishjes së sheshit për t'u ngritur një mostër, shesh që përmbyti edhe Bibliotekën Kombëtare për shkak të shkatërrimit të kanalizimeve dhe vendosjes së depove të ujit në themelet e Pallatit të Kulturës. Po të kishte shtet, të gjithë përgjegjësit e kësaj katrahure duhet të ishin nën akuzë. Edhe teatri është në harmoni dhe funksion me të gjithë këtë kompleks të qendrës së Tiranës, si pjesa më e bukur që ishte, sepse tani nuk është më. Nuk është më, se edhe diktatori Enver Hoxha nuk e bëri këtë vandalizëm me bulevardin e Tiranës. Ai ruajti kuotat e lartësisë dhe iu përshtat arkitekturës. Vandalët e pas ‘90-ës ngritën dy kullat që prishën gjithë kuotat e kompleksit të bulevardit. Kanë lënë në rrënim një nga hotelet më të bukur të Ballkanit, por edhe në Evropë në vitet ‘30, Hotel “Dajti”-n. E bëjnë me qëllim që t’i vënë rruspën e të ngrejnë kullë. Tani po i vënë rruspën me nxitim, me forcën e kartonëve në Kuvend dhe me shpejtësinë e dritës vandalizmit të radhës me kryevandalin dhe pseudoartistin, kryeministrin Edi Rama, Teatrit Kombëtar. Pas saj do ta kenë radhën Sarajet e Toptanëve, Pallati i Pionierëve, e... nuk e di çfarë i ka shpëtuar akoma pa i vënë rruspën historisë dhe trashëgimisë kulturorë të kryeqytetit. Nuk më vjen keq fare për artistët, se i patë vetë se çfarë jargavitësish janë pas pushtetit të vandalizmit, injorancës dhe banditizmit të pushtetit, të hajdutëve, ku presin edhe këta lugën e çorbës nga Rama-Veliaj! O Zot, si s’kanë turp e i thonë vetes artistë dhe intelektualë....këta! Ku janë ata “asnjanësit” që nuk duan të përzihen, ata që na këndojnë gjithë ditën e gjithë natën si kukuvajka: Ne intelektualët! Ne artistët! Ne shkrimtarët! Ne që dje u shpëlamë trurin njerëzve me artin e soc-realizmit në shërbim të diktaturës, duke anatemuar e denigruar, zhvarrosur e groposur vlerat intelektuale, atdhetare, historike, artistike, letrare të Shqipërisë se kështu donte Nëna Parti, për të krijuar humnerën e e ngritjes se llumit e krimit si moral i kohës së shërbimit. Mirë dje se ishte diktaturë, po sot? Sot shiteni si dje për një lugë çorbë, në çorbën që kanë kontribuar dhe kontribuojnë "intelektualët”, “artistët", “shkrimtarët” si shërbëtorë të zellshëm të regjimeve politike, se kështu janë formuar, mësuar dhe kështu do vdesin. Judët makabre të shitur për një qese monedhash nuk mund të bëhen kurrë Krisht. Judë kanë lindur e si Judë do mbyten në turpin tyre, në jargët e kazanit të çorbës që kanë përgatitur vetë. Do të ngelen në historinë e artit si shërbëtorët e pushtetit anti-art dhe anti-kulturë së kombit të vet”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: