Hepatiti Viral, çfarë duhet të dimë për virusin B

Hepatiti Viral, çfarë duhet të dimë për virusin B
Në veçanti, llojet B dhe C të hepatitit çojnë në sëmundje kronike qindra milionë njerëz, dhe së bashku janë shkaku më i zakonshëm i cirrozës dhe kancerit të mëlçisë, që shpesh përfundojnë në vdekje. Virusi i hepatitit B dhe hepatitit C së bashku, shkaktojnë rreth 80% të rasteve të kancerit të mëlçisë në botë

Sonila Isaku

Hepatiti viral është inflamacion i mëlçisë i njohur si verdhëza, i shkaktuar nga viruse të ndryshme. Ka disa lloje hepatitesh virale A, B, C, D dhe E, në varësi të llojit të virusit që i shkakton. Hepatiti viral është një problem i shëndetit publik mbarëbotëror, për shkak të barrës së sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë që shkakton. Hepatiti viral prek qindra milionë njerëz në mbarë botën, duke shkaktuar sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë, si dhe është një nga shkaqet kryesore të vdekjes në nivel global. Parashikimet janë që hepatiti viral të renditet ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në dy dekadat në vazhdim. Në veçanti, llojet B dhe C të hepatitit, çojnë në sëmundje kronike qindra milionë njerëz, dhe së bashku janë shkaku më i zakonshëm i cirrozës dhe kancerit të mëlçisë që shpesh përfundojnë në vdekje. Virusi i hepatitit B dhe hepatitit C së bashku, shkaktojnë rreth 80% të rasteve të kancerit të mëlçisë në botë. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se, çfarë është virusi B dhe si mund të parandalohet.

Hepatiti viral B

Hepatiti B është infeksion i mëlçisë, potencialisht kërcënues për jetën, që shkaktohet nga virusi i hepatitit B dhe që mund të shkaktojë sëmundje. Hepatiti B nuk përhapet nëpërmjet kontaktit të përditshëm si: puthja, përqafimi, kollitja, teshtitja, kapja ose shtrëngimi i duarve, përdorimi i përbashkët i enëve të kuzhinës. Virusi i hepatitit B nuk përhapet nga ushqimi ose uji i kontaminuar, dhe nuk mund të përhapet rastësisht në vendin e punës.

Simptomat

Periudha e inkubacionit të hepatitit B është mesatarisht 75 ditë, por mund të shkojë nga 1 deri 6 muaj. Shumica e njerëzve nuk përjetojnë asnjë shenjë gjatë fazës të fshehur të infeksionit. Kur shfaqen shenjat, ato përfshijnë: zverdhje të lëkurës dhe syve, urinë të errët, lodhje ekstreme, të përziera, të vjella dhe dhimbje barku. Virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, që më vonë mund të kalojë në cirrozë ose kancer të mëlçisë. Gjasat që infeksioni me virusin e hepatitit B të bëhet kronik, varet nga mosha në të cilën një person infektohet. Fëmijët e vegjël të cilët infektohen me virusin e hepatitit B, kanë më shumë gjasa për të zhvilluar infeksione kronike.

Transmetimi

Virusi i hepatitit B transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, me spermën ose lëngun vaginal të një personi të infektuar. Mënyrat e transmetimit janë të njëjta si për virusin HIV, por virusi i hepatitit B është 50 deri në 100 herë më infektues. Ndryshe nga virusi HIV, virusi i hepatitit B mund të mbijetojë jashtë trupit së paku për 7 ditë. Gjatë kësaj kohe, virusi mund të shkaktojë infeksion, nëse hyn në trupin e një personi i cili nuk është i mbrojtur nga vaksina.

Çdo njeri që bie në kontakt me gjakun ose lëngje të tjera të trupit të një personi të infektuar me virusin e hepatitit B, është i rrezikuar të infektohet. Rreziku është më i madh nëse personi shpohet me age të infektuara; injekton drogë me të njëjtën shiringë që ka përdorur një person i infektuar me hepatit B; përdor mjetet personale si furçën e dhëmbëve ose mjetet e rrojës të personit të infektuar; bën seks me një person të infektuar pa përdorur prezervativ; ka më shumë se një partner seksual ose i ndërron shpesh; bën tatuazhe ose vendos vathë (piercing) me mjete të ndotura të përdorura më parë nga një person i infektuar; nëna shtatzënë e infektuar me virusin e hepatitit B, mund të infektojë fëmijën e saj të porsalindur.

Hepatiti B nuk përhapet nëpërmjet kontaktit të përditshëm si: puthja, përqafimi, kollitja, teshtitja, kapja ose shtrëngimi i duarve, ose përdorimi i përbashkët i enëve të kuzhinës. Virusi i hepatitit B nuk përhapet nga ushqimi ose uji i kontaminuar, dhe nuk mund të përhapet rastësisht në vendin e punës.

Diagnostikimi

Nëse një person është i infektuar, kjo mund të konstatohet vetëm nëpërmjet bërjes së testit të gjakut. Një numër testesh janë në dispozicion për të diagnostikuar personat me hepatit B. Por, për fat të keq, një pjesë e njerëzve nuk e dinë që janë të infektuar, sepse nuk kanë shenja të dukshme. Kur ata fillojnë të kenë shenja, dëmtimet kanë përparuar.

Trajtimi

Nuk ka trajtim specifik për hepatitin akut B, ndërsa hepatiti B kronik mund të trajtohet me barna, përfshirë interferonin. Trajtimi mund të kushtojë mijëra dollarë në vit, prandaj nuk është në dispozicion për shumicën e njerëzve në vendet në zhvillim.

Infeksioni kronik i mëlçisë

Gjasat që infeksioni me virusin e hepatitit B të bëhet kronik, varet nga mosha në të cilën një person infektohet. Fëmijët më pak se 6 vjeç të cilët infektohen me virusin e hepatitit B, kanë më shumë gjasa për të zhvilluar infeksione kronike: 80-90% e foshnjave të infektuara gjatë vitit të parë të jetës, dhe 30-50% e fëmijëve të infektuar para moshës 6 vjeç, zhvillojnë infeksion kronik. Rreth 15-25% e të rriturve me infeksion kronik, të cilët janë infektuar gjatë fëmijërisë, vdesin nga kanceri ose cirroza e mëlçisë të lidhura me hepatitin B.

Parandalimi

Vaksina kundër hepatitit B është në dispozicion që nga viti 1982, duke parandaluar infeksionin dhe pasojat kronike të tij. OBSH-ja rekomandon që të gjithë fëmijët të marrin vaksinën e hepatitit B, sa më shpejt të jetë e mundur pas lindjes, brenda 24 orëve. Doza e lindjes duhet të pasohet nga 2-3 doza të tjera për të përfunduar gjithë skemën e vaksinimit. Përveç vaksinës e cila ka një siguri dhe efektivitet të lartë, zbatimi i strategjive të tjera të sigurisë së gjakut, duke përfshirë sigurimin e testimit të të gjithë gjakut të dhuruar dhe komponentëve të tij të përdorur për transfuzion, mund të parandalojë transmetimin e virusit të hepatitit B. Praktikat e injeksioneve të sigurta, duke eliminuar injeksionet e panevojshme dhe të pasigurta, mund të jenë strategji efektive për t’u mbrojtur kundër transmetimit të virusit të hepatitit B. Gjithashtu, praktikat më të sigurta seksuale, përfshirë minimizimin e numrit të partnerëve dhe përdorimin e masave mbrojtëse/prezervativë mbrojnë kundër transmetimit të virusit të hepatitit B.

 

Rrugët e transmetimit të Hepatitit B

  • Shpohet me age të infektuara;
  • Injekton drogë me të njëjtën shiringë që ka përdorur një person i infektuar me hepatit B;
  • Përdor mjetet personale si furçën e dhëmbëve apo mjetet e rojës të personit të infektuar;
  • Bën seks me një person të infektuar pa përdorur prezervativ.
  • Ka më shumë se një partner seksual apo i ndërron shpesh ata.
  • Bën tatuazhe apo vendos vathë (piercing) me mjete të ndotura që i ka përdorur më parë një person i infektuar.
  • Nëna shtatzënë e infektuar me virusin e hepatitit B mund të infektojë fëmijën e saj të porsalindur.

Hepatiti B nuk përhapet nëpërmjet kontaktit të përditshëm si: puthja, përqafimi, kollitja, teshtitja, kapja apo shtrëngimi i duarve, ose përdorimi i përbashkët i enëve të kuzhinës. Virusi i hepatitit B nuk përhapet nga ushqimi apo uji i kontaminuar, dhe nuk mund të përhapet rastësisht në vendin e punës.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: