Goditjet në tru, 10 këshillat që parandalojnë sëmundjen

Goditjet në tru, 10 këshillat që parandalojnë sëmundjen
Bluzat e bardha rekomandojnë që marrja e kripës të zvogëlohet në më pak se 5 gram në ditë, për të zvogëluar rrezikun e goditjes në tru. Kjo pasi kripa rrit presionin e gjakut në organizmin tonë. Sa më i lartë presioni i gjakut, aq më shumë shtohen mundësitë e një goditjeje në tru.

 Sonila Isaku

Çdo vit në 29 tetor, organizohet Dita Botërore e Goditjes në Tru. Kjo ditë shihet si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të organizuar fushata sensibilizuese, me qëllim uljen e barrës së goditjeve në tru në nivel global, rajonal dhe lokal. Nëpërmjet krijimit të një platforme globale, në Ditën Botërore të Goditjes në Tru përforcohen zërat tanë individualë dhe rritet numri i njerëzve në zhvillimin e bisedave rreth trajtimit dhe mbështetjes për parandalimin e goditjeve në tru.  Fushata e këtij viti, është e fokusuar në rritjen e ndërgjegjësimit mbi goditjet në tru dhe parandalimin e rreziqeve, prandaj u bëhet thirrje të gjithë individëve, familjeve, komuniteteve, profesionistëve të shëndetit dhe qeverive, për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me rreziqet kryesore të goditjes në tru, dhe për të ndërmarrë veprimet konkrete parandaluese.

Sëmundja

Goditja në tru (ose infarkti i trurit) ndodh kur qarkullimi i gjakut në tru ndërpritet dhe, për pasojë, qelizat e trurit në zonën e prekur, fillojnë të vdesin nga mungesa e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese, të cilat janë të nevojshme për funksionimin e tyre. Masa dhe vendndodhja e qelizave të dëmtuara përcaktojnë shkallën e infarktit. Miliona qeliza të trurit vdesin çdo minutë kur infarkti i trurit është i patrajtuar.

Si ulet rreziku

A e dini se 90% e goditjeve janë të lidhura me 10 rreziqe të shmangshme? Nëse keni diabet, probleme të zemrës ose histori familjare, bisedoni me mjekun rreth rrezikut të goditjes në tru dhe trajtimeve parandaluese. Në vijim po rendisim hapat që mund të ndjekë secili, për të zvogëluar mundësitë dhe rrezikun e goditjes në tru; kontrolloni presionin e lartë të gjakut, bëhuni fizikisht aktivë dhe ushtrohuni rregullisht; mbani një dietë të shëndetshme, të pasur me fruta dhe perime, me pak kripë, për të patur shëndet sa më të mirë dhe për të mbajtur në normë presionin e gjakut; ulni kolesterolin; ruani një peshë konstante; ndaloni pirjen e duhanit dhe shmangni ekspozimin ndaj tymit të duhanit; sa më pak alkool tё konsumoni, aq më mirë është për shëndetin; mësoni të dalloni shenjat e goditjes në tru; zvogëloni rrezikun nga diabeti, bisedoni me mjekun; njihuni me faktorët e rrezikut si presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe kolesteroli i lartë në gjak.

 Kripa

Rekomandohet që marrja e kripës të zvogëlohet në më pak se 5 gram në ditë, për të zvogëluar rrezikun e goditjes në tru. Kjo pasi kripa rrit presionin e gjakut në organizmin tonë. Sa më i lartë presioni ynë i gjakut, aq më shumë shtohen mundësitë e një goditjeje në tru. Të rriturit duhet të konsumojnë më pak se 5 gram kripë në ditë, ndërsa fëmijët edhe më pak. Është veçanërisht e rëndësishme që fëmijët të mos konsumojnë shumë kripë, pasi presioni i gjakut fillimisht, nis të rritet që në fëmijëri. Pjesa më e madhe e kripës së konsumuar gjendet në ushqimet që ne konsumojmë përditë si: buka, djathi, salcat e ndryshme, mishi i përpunuar, si dhe te kripa që përdorim në tryezat tona. Duhet pak kohë sa të mësoheni me ushqimet me pak kripë, por ju sigurojmë që do t’i pëlqeni ato aq shumë, për të mos thënë më shumë sesa ushqimet e kripura.

Fibrilacioni arterial

Fibrilacioni atrial (FA) është një patologji e zemrës e diagnostikuar më pak dhe jo e trajtuar plotësisht, e cila përbën një rrezik madhor për goditjen në tru. FA bën që dy dhomat e sipërme të zemrës (atriumet) të shpeshtojnë rrahjet, në vend që të rrahin normalisht, duke bërë që gjaku të mos pompohet jashtë atriumeve plotësisht. Më pas, kjo situatë krijon premisat e formimit të mpiksjes së gjakut. Koagulat (copëza të mpiksura gjaku) mund të qarkullojnë në tru dhe të shkaktojnë infarkt të trurit, me pasoja fatale për individin. Goditja në tru, shkaktuar nga FA (fibrilacioni atrial), është në të shumtën e rasteve e parandalueshme me marrjen e barnave antikoagulantë. Rekomandohet që personat të cilët kanë kaluar një atak zemre, kanë qenë diagnostikuar me çrregullime në zemër apo kanë patur çrregullime të ritmit, të bëjnë kontrolle të rregullta shëndetësore te mjeku, me qëllim parandalimin e një goditjeje të mundshme.

Simptomat

Testi i shpejtë është një mënyrë e mirë për gjithsecilin, për të njohur shenjat dalluese të goditjes në tru. Testi i shpejtë observon fytyrën, krahët, të folurën, si dhe kohën e veprimit.

Fytyra

Ekzaminoni fytyrën. A dalloni deformim në pjesën e gojës? A duket pjesa e gojës si e varur? Gjatë buzëqeshjes, dalloni rënie të njërës anë të fytyrës?

Krahët

A i ngre dot individi të dy krahët? Kur dy krahët i ka të ngritura, e e ndjen njërën anë më të pafuqishme se tjetrën?

E folura

A është e folura e tyre e paqartë? Nuk flasin dot? Ngatërrojnë apo hanë fjalët?

Koha

Është kritike. Nëse ju dalloni njërën prej këtyre shenjave, veproni shpejt. Thërrisni sa më shpejt shërbimin e urgjencës ose shkoni te spitali më i afërt, sa më shpejt. Veproni shpejt dhe kërkoni shërbimin e urgjencës mjekësore. Humbja e kohës do të thotë humbje e funksionit të trurit.

 

Këshilla për parandalimin e goditjes në tru

Kontrolloni presionin e lartë të gjakut.

Bëhuni fizikisht aktivë dhe ushtrohuni rregullisht;

Mbani një dietë të shëndetshme, të pasur me fruta dhe perime, dhe me pak kripë, për të patur një shëndet sa më të mirë dhe për të mbajtur në normë presionin e gjakut;

Ulni kolesterolin;

Ruani një peshë konstante;

Ndaloni pirjen e duhanit dhe shmangni ekspozimin ndaj tymit të duhanit;

Sa më pak alkool të konsumoni, aq më mirë është për shëndetin;

Mësoni të dalloni shenjat e goditjes në tru;

Zvogëloni rrezikun nga diabeti, bisedoni me mjekun;

Njihuni me faktorët e rrezikut si presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe kolesteroli i lartë në gjak.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: