Fjalimi i çuditshëm i Enverit: Gjykatat, vendime të nxituara ndaj grave të "njollosura"

Fjalimi i çuditshëm i Enverit: Gjykatat, vendime të nxituara ndaj grave të "njollosura"
Nga Thanas Mustaqi

Nga diskutimi në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, më 28 shkurt 1975

Dispozitat ligjore duhet të interpretohen drejt, sipas frymës së vërtetë të tyre dhe jo në mënyrë subjektive e arbitrare. Në qoftë se ligji është i paqartë ose mund të lihet shteg për dy kuptime, atij t’i bëhet interpretimi autentik nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje punës së gjykatave për interpretimin dhe zbatimin e drejtë të ligjeve.

FOSHNJA

Para disa ditësh, vajza e shkurorëzuar e një tradhtari më shkruante se e kishte dënuar babanë, se ajo është me Partinë etj. Ish-bashkëshorti e kishte paditur në gjykatë për shkurorëzim dhe gjykata, pasi i ndau, ia merr nga gjiri mëmës vajzën e vogël 11-muajshe dhe ia jep babait, i cili do të martohet nesër dhe nuk do të ketë mundësi ta rritë fëmijën si mëma, që është zor të martohet më, sepse atë, si xhins i tradhtarit, nuk e merr njeri për grua. “Unë, shoku Enver, nuk kam njeri tjetër veç Partisë dhe juve”, - vazhdonte të shprehej letërshkruesja, - “por nuk më duket se është e drejtë që t’i merret mëmës foshnja nga gjiri, kur ajo s’ka faj”.

PRISHJA E VENDIMIT

Me këtë rast u rekomandova organeve përkatëse, ta rishikonin vendimin e gjykatës sipas procedurës së caktuar nga ligji, sepse ligjet e shtetit tonë, që përshkohen thellësisht dhe tërësisht nga fryma e humanizmit socialist, nuk e lejojnë heqjen e fëmijës së vogël nga gjiri i një mëme që nuk është dënuar penalisht për ndonjë krim, që nuk i është hequr e drejta prindërore, që nuk vuan nga ndonjë sëmundje infektive etj. Jeta do të tregojë si do të jetë ajo në të ardhmen, por sa kohë që do të punojë kokulur, si shtetase e republikës, asaj nuk mund t’i mohohen të drejtat e siguruara nga shteti. Sipas mendimit tim, ky qëndrim i nxituar i gjykatës nuk ishte në vijën e Partisë, prandaj shpreha mendimin që gjykata le të vendosë sipas bindjes së saj, por të më njoftohej vendimi që do të merrej për çështjen në fjalë. Në qoftë se, sipas ligjit në fuqi, ankueses nuk do t’i jepej e bija për rritje, unë do t’ia parashtroja çështjen për diskutim Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili, po qe se do të vërente që Kodi i Familjes përmban ndonjë dispozitë ligjore që nuk është e drejtë, do ta korrigjonte me siguri atë sipas procedurës së parashikuar me ligj. Pas kësaj u njoftova se gjykata e shkallës së dytë, që kishte shqyrtuar çështjen me kërkesën e prokurorit, prishi vendimin e gjykatës së rrethit, sepse e gjeti të padrejtë.

SHKURORËZIM ME PROKURË

... Një vajzë më shkruante se babai i vet u përjashtua nga Partia për fajet që kishte kryer. Bashkëshorti i saj, me të cilin ajo kishte lidhur martesën e pakonsumuar, donte ta shkurorëzonte me anën e një përfaqësuesi të pajisur me prokurë të posaçme. Shkurorëzimi me përfaqësues bëhej se i shoqi ndodhej përkohësisht jashtë shtetit e nuk mund të paraqitej në gjykatë para tre muajve. Babai i bashkëshortit të ankueses, nën presionin e opinionit, bëri ç’ishte e mundur që, në bazë të ligjit, të zgjidhej martesa sa më parë me anë përfaqësuesi.

Ligji ynë e njeh edhe të drejtën e ngritjes së padisë së shkurorëzimit nëpërmjet përfaqësuesit të pajisur me prokurë të posaçme, prandaj edhe burri i ankueses, sipas porosisë së babait të tij, shpejt e shpejt dërgoi një prokurë për t’u shkurorëzuar me gruan, e cila, sikurse më shkruante, e dënon veprimtarinë e të atit. Kur njerëzit lidhin martesën para zyrës së gjendjes civile, ligji ynë me të drejtë kërkon paraqitjen personale të bashkëshortëve të ardhshëm, sepse nuk është pranuar të lidhet martesa me përfaqësues dhe pa pëlqimin e të dy bashkëshortëve. Në kohën e mbretërve të Francës ka ndodhur që, kur deshi të martohej Luigji i 16-të me Mari Antuanetën, Luigji i 15-të dërgoi në Austri kontin e Gramonit të pajisur me prokurë dhe Mari Antuaneta, pasi hyri në Francë, u prit në një katedrale, ku u bë ceremonia e martesës së saj me Luigjin e 16-të.

Unë pyes: Është e drejtë që ta lidhësh martesën në prani të çiftit dhe ta zgjidhësh atë në mungesë të tij me përfaqësues? Në rast se zgjidhja me përfaqësues është e nevojshme në disa raste kur ka pengesa serioze për paraqitjen e bashkëshortit para gjykatës dhe kur shkurorëzimi duhet bërë sa më parë që të jetë e mundur, këto raste duhet të përcaktohen mirë nëpërmjet interpretimit të ligjit nga organi kompetent.

RRALLË

Kur pyeta nëse e praktikojnë shpesh zgjidhjen e martesës me përfaqësues, më thanë se kjo dispozitë e ligjit zbatohet rrallë. Mirëpo vajzën që më shkroi letër mua, e shkurorëzuan menjëherë, pa e pezulluar gjykimin për tre muaj, sa të kthehej bashkëshorti paditës, që të shpjegohej personalisht me gruan e të thoshte vetë para gjykatës nëse me të vërtetë nuk e donte më atë ose, në të kundërtën, po të bindej se ajo e dënonte sinqerisht babanë e saj dhe kishte shkëputur përfundimisht lidhjet me të, të hiqte dorë nga gjykimi i padisë. Në qoftë se gjatë jetës ajo do të lidhej me babanë, përsëri ai ruan të drejtën e shkurorëzimit. Atëherë pse nuk pritet që koha të provojë ç’qëndrim do të mbajë bashkëshortja?

XHAXHAI

... Një anëtare partie, që është gjini me një armik, më shkruante se nuk i flet njeri, nuk i japin shtëpi dhe ka mbetur rrugëve. “Vete te xhaxhai, - vinte në dukje ajo, - por edhe ai më thotë: “Vajzë, unë mund të të pranoj në shtëpi vetëm po të më porositë ndonjë udhëheqës!!” Nuk janë të drejta këto qëndrime braktisëse ndaj njerëzve të pafajshëm vetëm pse ata janë farefis me armiqtë.

Jo më lista pushimesh nga puna për biografi

Nga diskutimi në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH, më  21 maj 1975

... Po na vijnë lajme që vërtetojnë veprime të nxituara dhe ekstreme ndaj disa kuadrove. Një inxhinier vërtet mund të ketë bërë ndonjë gabim në punë ose në jetë, por Partia nuk thotë që këtij t’i pritet koka, ose t’i ndërrohet profili, pse bëri një gabim që nuk e justifikon ndëshkimin e rëndë. Inxhinierit që gaboi, nuk mund t’i thuhet: “Shko e puno me kazmë!”, kur atij mund t’i jepet edhe një punë tjetër e përshtatshme në profesionin e tij, duke e ndihmuar politikisht që të përmirësohet dhe duke e kontrolluar. Prandaj duhet të bëhet një punë e kujdesshme. Veprimet në trajtimin e kuadrove dhe të të gjithë punonjësve, duhet të kryhen me urtësi, në vijë partie, pa lejuar që të shkaktohen shqetësime dhe alarmime të kota.

Ne kemi informata që në ndonjë rreth, po përgatiten lista me emra njerëzish, të cilët mendojnë t’i pushojnë nga punët që kryejnë, si “të papërshtatshëm”. Dhe “për të argumentuar” këtë qëndrim, fillojnë nga origjina e gjyshit e stërgjyshit dhe dalin tek ata, që kanë një aktivitet shoqëror e politik shumë të mirë. Si është e mundur që, pasi e kanë mbajtur 17 ose 20 vjet në Parti një njeri që punon mirë, t’i thonë: “Meqenëse rrjedh nga një familje e pasur, do të të përjashtojmë nga Partia!”. Si u përjashtoka nga Partia një njeri, kur gjatë 17 vjetëve veprimtarie si komunist, si inxhinier i dalluar, ka treguar se është besnik i Partisë dhe i popullit? Si mund të përjashtohet ky nga Partia, vetëm sepse rrjedh nga një familje e pasur, kur asnjë nga familja e tij nuk është i dënuar për ndonjë veprimtari armiqësore dhe kur ai nuk ia ka fshehur Partisë origjinën e tij?

Ka edhe rrethe që kanë hartuar lista me 50 emra arsimtarësh e arsimtaresh, të cilat kanë nga 20 e ca vjet që punojnë dhe duan t’i pushojnë nga puna se “u mungojnë kushtet e nevojshme për të edukuar brezin e ri”. Pas Çlirimit këta mësues e mësuese kanë qenë të rinj e të reja, kanë bërë pjesë në organizatën e rinisë dhe kanë edukuar me mijëra të rinj e të reja. Të kërkosh pushimin e tyre nga puna tani, kur njëri ose tjetri është në prag të pensionit, ky është një qëndrim sektar, në këtë rast më i dënueshëm nga liberalizmi, sepse krijon shqetësime të panevojshme. Partia këto gjëra duhet t’i shikojë me mend. Ata që kanë bërë gabime, të ulen në përgjegjësi, ata që kanë fshehur origjinën e tyre dhe, natyrisht, për këtë qëndrim janë fajtorë, të shikohen. Këta, sipas rastit, mund të ulen nga vendi ose përgjegjësia që u është dhënë pa të drejtë, por jo t’i hedhim rrugëve. Edhe kur largohet njeriu nga detyra që kryen, sepse i mungojnë kushtet politike, duhet të sqarohet duke i thënë: “More shok, kjo është luftë klasash, ne kemi respekt për ty si person, por në këtë punë nuk të mbajmë dot. Ne bëmë gabim kur të morëm në këtë punë, por edhe tani ne nuk po të hedhim poshtë”. Duhet të bëjmë kujdes në këto gjëra, shokë, të mendojmë e të veprojmë kurdoherë duke zbatuar drejt vijën e Partisë.

Partia nuk duhet të divorcojë për arsye klasore

Nga biseda në takimin ditor të sekretarëve të KQ të PPSH, më 7 nëntor 1975

Armiqtë u qëruan [fjala është për likuidimin e B. Ballukut, P. Dumes, H. Çako, A. Këllezit e K. Theodhosit]. Tani duhet bërë shumë kujdes dhe të rritet vigjilenca, po midis njerëzve duhen bërë diferencime. Rrethi i këtyre shtrihet si valët rrethore që krijohen pas hedhjes së një guri në një pellg me ujë të qetë...

Duhet pasur kujdes që të gabuarit të mos trajtohen si armiq, por Partia t’i ndihmojë të korrigjohen njerëz të tillë si në ushtri, ashtu dhe jashtë ushtrisë. Këta, në përgjithësi, janë të moshuar, njerëz që kanë bërë luftën, prandaj puna dhe e kaluara e tyre duhen pasur në konsideracion, por u duhet thënë dhe duhet ta njohin se në punën e tyre kanë pasur gabime. Gjatë periudhës së luftës ata kanë qëndruar e kanë luftuar mirë, por pas Çlirimit, pasi bënë edukimin ushtarak në shkolla e në akademi, patën edhe trajtim të mirë, faktorë që krijuan te këta shokë një botëkuptim të sëmurë që duhet shëruar. Por edhe ne duhet të pranojmë se puna edukative e Partisë ka bërë pak efekt tek ata...

Në jetë, shokë, dalin gjithfarë problemesh, deri dhe familjare e personale. Ja, më shkruante një oficer se djali i është martuar me një vajzë, babai i së cilës ka qenë oficer i Zogut dhe pas Çlirimit është futur në burg, “kurse unë, thotë ai, kam qenë partizan dhe tash vazhdoj të jem oficer i Ushtrisë Popullore. Kur i them djalit të heqë dorë, ai më përgjigjet: “Ti baba nuk më kupton, je me koncepte të vjetra”, dhe në fakt u martua me të”. Për këto arsye i lutet Partisë të ndërhyjë që djalin ta ndajë nga ajo vajzë. Pra, ky shok kërkon të ndërhyjë Partia në këtë çështje, gjë që nuk mund të bëhet. Prandaj iu përgjigja që djali, tash që janë martuar, të përpiqet ta bindë nusen që të mos mbajë anën e prindërve, por ta edukojë atë me mësimet e Partisë...

Titujt dhe mestitujt e dokumenteve janë të autorit të dossierit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: