Ekonomia, shtatori nis me aplikimin e taksës së Rrugës së Kombit dhe buxhetin e ri

Ekonomia, shtatori nis me aplikimin e taksës së Rrugës së Kombit dhe buxhetin e ri
Jo vetëm politika, por edhe ekonomia po niset “me pushime”. Duke e lënë në këtë mënyrë muajin gusht, në një rutinë zhvillimesh e pagesash, në pritje të shtatorit për zhvillime të reja edhe në këtë sektor.

Mjafton të përmendim këtu atë të nisjes së aplikimit të taksës së re për Rrugën e Kombit. Në këtë përfundim kanë arritur të paktën para disa javësh përfaqësuesit e qeverisë shqiptare, teksa kanë debatuar dhe negociuar gjatë me grupet e interesit. Sjellim ndër mend faktin se një proces i tillë u pri nga një protestë e fuqishme e banorëve të zonës së Kukësit, shumë prej të cilëve edhe u ndaluan nga policia, apo u burgosën më pas me vendim gjykate.

“Nga 17 shtatori të fillojë të aplikohet tarifa”, ka thënë rreth kësaj, vetë ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, gjatë një tryeze me përfaqësuesit e bizneseve. Duke përcaktuar kështu, që kalimi me pagesë në aksin Milot-Morinë të fillojë të zbatohet duke nisur nga data mesi i muajit shtator e në vijim, bazuar në tarifat e reja të vendosura prej qeverisë dhe që sipas tij, nuk diskriminojnë asnjë kategori popullate, madje as edhe kosovarët.

Nga ana tjetër, për në shtator është shtyrë edhe aplikimi për të përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë. Fjala është konkretisht për aplikimet që fermerët shqiptarë mund të bëjnë për të përfituar nga fondi IPARD, prej 90 milionë eurosh për financimin e projekteve të ndryshme.

Shtyrja e një procesi të tillë ka ndodhur pasi vetë BE-ja a kërkuar që të realizojë një vlerësim administrativ në lidhje me menaxhimin e fondit në fjalë, pavarësisht se janë përmbushur kushtet e vëna.

17

Shtator 2018 është data e re e caktuar nga ministria e Infrastrukturës për nisjen e aplikimit të kalimit me pagesë në aksin rrugor Milot-Morinë

Shpërndajeni me miqtë tuaj: